Shqip Română
Histori

"A qe i vonuar shkrimi i shqipes në kontekstin europian?"

"A qe i vonuar shkrimi i shqipes në kontekstin europian?"


Për kulturën kombëtare shqiptare të sapo-plazmuar - sepse rryma humaniste e shekullit XV nuk mund të mungonte së krijuari një të tillë - invazioni turk qe si breshëri për vreshtat, i cili duke goditur një nga një të gjitha rrënjët e tyre, jo vetëm i than e i zhvesh, duke i privuar nga prodhimi i atij viti, por edhe i bën të papërdorshme më, derisa të mos mbillen më vreshta të reja.

Gjithçka ishte kulturë, u zhduk. Heshti organoja e katedrales së Shkodrës nga momenti që gjithë popullësia e saj, deri asokohe latine, emigroi duke u sistemuar e tëra në Venedik; mbetjet e mrekullueshme të monumenteve romane të Durrësit filluan t’u shërbenin si gurrore turkëve dhe ciganëve që nisën të vërshonin aty; lumenjtë, të lënë pas dore në rrjedhën e tyre, nisën të mbulonin me baltë e kallama Apolloninë e ndërtuar sipas stilit grek dhe Butrintin sipas atij roman. Kapitolet e katedraleve, kolegjet, manastiret e famshëm benedetë, bazilianë apo domenikanë u rrënuan gjithandej. Vetëm aty-këtu ndonjë prift i trembur mbeti bashkë me popullësinë, e ndonjë qelëz fretërish françeskanë vulosi në ndërgjegjje trashëgimninë e rrënimit të madh të  institucioneve.

Po me të kaluar vrulli i stuhisë turke, u pa të rikthehej tek-tuk ndonjë famulltar e të rigjallërohej ndonjë kishë. Veçse, s’duhet të harrojmë se jemi, në shekullin XVI, kur kishin vdekur dhe të fundit priftërinj të mbetur gjallë, e ata që i kishin zëvendësuar, qenë njerëz të varfër e të paditur, që punonin gjithë ditën për të siguruar jetesën e që mezi arrinin t’i lexonin librat liturgjikë, pa i kuptuar fare.

Ja, në një ambjent të tillë e për t’i ardhur në ndihmë rimëkëmbjes, na shfaqet libri i parë i shtypur në gjuhën shqipe, me autor një famulltar, Gjon Buzukun, i cili duket ta ketë përgatitur materialin, gati rrëmbimthi, currenti calamo, e ta ketë dhënë për shtyp brenda pak muajve. Po gjithësesi, nëse shohim përmbajtjen e librit, sigurisht të bazuar te liturgjia romane e në këtë pikëpamje një vademecum për një prift që nuk kuptonte latinisht, mund të pohojmë se bëhet fjalë për një vepër të konsiderueshme, për të qenë e para që njihet në lindjen e një literature.

Shekulli epik i Skënderbeut u transmetoi shekujve pasues idenë madhështore të lirisë. Skënderbejada e Mesjetës së përflakur shqiptare qe, veç të tjerave, edhe një dialog i Shqipërisë me Rilindjen europiane. Mirëpo, shekulli XVI është shekulli i pështjellimeve tronditëse deri në themele për Shqipërinë dhe Evropën. Koalicioni Evropian i vitit 1536 kundër osmanëve ngjalli shpresa e krijoi projekte të bujshme për çlirimin e Ballkanit, por ai u tregua i zbehtë e anemik e më tepër i dha rëndësi anës propagandistike se sa veprimit konkret.
Më 1540 Venediku del nga koalicioni e bën paqe të veçuar me Portën e Lartë.
Në këto rrethana shqiptarët, si kurdoherë, mbeten vetëm fare e vazhdojnë luftën e tyre titanike për ekzistencë. Rreziku i islamizimit në masë në këtë shekull u bë mjaft i madh e në plan të parë kishte dalë detyra urgjente historike e kombëtare e ruajtjes së individualitetit të kombit, kundër shkombëtarizimit.
Ishin momente tepër të rënda, momente të një prove totale. Nga ky mjedis tragjik dhe i ashpër i shekullit dhe i popullit të tij doli dhe u evidentua Buzuku.
Ai diti të kuptonte shqetësimin e kombit për gjuhën e tij e të shfrytëzonte kushtet e krijuara në Evropë e Ballkan për të shkruar veprën e tij, për të kontribuar për lëvrimin e vitalitetin e shqipes.

Shkrimi i gjuhëve amtare qe një moto kryesore e një nga dukuritë thelbësore të humanizmit rilindas. Këtu është nyja ndërlidhëse më përfaqësuese e Buzukut me kulturën e avancuar humaniste dhe me personalitetet e shquara, kohëtarë të tij. Madje, duke shkruar shqip, Buzuku ka një përparësi edhe ndaj vetë Barletit të madh. Barleti e ndërlidhi me mjeshtëri si askush tjetër temën shqiptare me publikun evropian. Kurse Buzuku synoi në radhë të parë publikun shqiptar.
Ai lëvron gjuhën për vetë shpëtimin e gjuhës, për të luftuar kundër shpërbërjes së saj. Konceptet e tij thellësisht humaniste mbi gjuhën amtare e lartësojnë së tepërmi veprën e tij. Po Barleti dhe Buzuku gjithashtu plotësojnë njëri-tjetrin, janë shprehje të fuqishme të të njëjtit humanizëm shqiptar, bashkëkohës që realizuan detyra të mëdha të të njëjtit front, në shërbim të atdheut. Veprën e tij ia kushton popullit e atdheut.
Ai këtë e ka shprehur fare qartë. Shtojmë gjithashtu
se në këtë vepër, ku shihet një përkthim vise-vise mjaft i lirë, siç e kanë vënë në dukje me plot të drejtë studiuesit, ka edhe “gabime” të karakterit kanonik, gjë që ndoshta ka sjellë edhe ndalimin e qarkullimit të “Mesharit”.
Këtu kemi të bëjmë me një moment politik e shoqëror mjaft të rëndësishëm, që na e ndriçon personalitetin e Buzukut e na e lartëson atë, pasi s’ka asnjë dyshim që Buzuku në librin e tij ka përkthyer jo vetëm tekste të Kishës Romane, por edhe në përdorim të Kishës Ortodokse, duke qenë vetë katolik. Është ky shembulli më i madh i mendësisë ekumenike shqiptare. Kronika biografike e këtij shkrimtari është e mangët, por personaliteti i tij mund të zbërthehet nga vepra që na ka lënë: krijimi dëshmon për krijuesin jo thjesht si individ po edhe si kohë.
Më 20 mars të vitit 1554 Gjon Buzuku u ul të shkruante veprën e tij që, siç dëshmon vetë në pasthënie, e mbaroi më 3 janar 1555. Gjatë afro dhjetë muajve ai shkroi tepër i shqetësuar, me përgjegjësi të madhe para vetes dhe kombit fjalët e gjuhës amtare, plotësisht i ndërgjegjshëm për veprimin kukturor  që po realizonte. Ky ishte një aksion kulturor i një rëndësie të jashtëzakonshme e të padiskutueshme, që nuk do të zbehej e nuk do të zhvlerësohej aspak në shekujt pasardhës. Autorët e dokumenteve të shqipes përpara Buzukut janë larg nismës madhore të këtij të fundit, nismë me karakter më të ndërgjegjshëm e të kompletuar.Vetë Buzuku shkruan në Pasthënie: “Duke menduar shpesh herë që gjuha jonë nuk kish gjë të kuptueshme… prej dashurisë së atdheut tonë desha të përpiqem, me sa mund të dija, të ndrit pak mendjen e atyre që të kuptojnë…”( shqipërimi është ne variantin letrar) (113).

Duke ndier thellë forcën e veçantë të gjuhës shqipe, duke e njohur mirë natyrën e strukturën e brendshme të saj, duke e trajtuar me pasion të madh atë, Buzuku e kreu misionin e tij novator në mënyrë të lavdërueshme.Pa njohuri e kulturë të gjerë shkencore gramatologjike, pa përvetësimin e disa gjuhëve të tjera të huaja, do të ishte e vështirë dhe e pamundur që Buzuku të krijonte alfabetin më të përshtatshëm për veprën e tij, të realizonte shkrimin fonetik e ortografinë e fjalëve shqipe, për të na lënë kështu dëshmi autentike të shqipes mesjetare të para katër shekujve.

Kjo është fillesa e parë e një njesie mendimi që, duke sjellë ndër mend diskutimet e përpjekjet që u bënë disa shekuj më vonë për ta shkruar shqipen me alfabetin grek, arab etj., kuptojmë më mirë se përcaktimi i alfabetit latin i Buzukut është një zgjidhje e shkëlqyer e paraprijëse, që në Rilindjen Kombëtare do të fiksohej si alfabeti përfundimtar i letrave shqipe, natyrisht me disa ndryshime më progresive.

Buzuku, sipas studiuesve, i përket trevave Shkodër-Ulqin-Tivar.
Kjo ndihet edhe në gjuhë.Po Buzuku nuk ka bërë thjesht një vepër dialektore. Ai synonte për më shumë, për një sintezë e përgjithësim (aq sa ia lejonte koha natyrisht) të shqipes. Siç e thekson në mënyrë të argumentuar prof. Eqrem Çabej, “Buzuku shkruan në mjaft raste “një shqipe klasike” dhe se “tek ajo kemi të bëjmë me një farë koineje” (114). Me tendencën e tij për të njehsuar gjuhë, për të ngritur në një shkallë mbidialektore, Buzuku dëshmon tërthorazi për ekzistencën e një tradite më të hershme të shkrimit të shqipes, kurorëzimi i së cilës është “Meshari”.Gjithashtu ky veprim i tij me karakter novator thotë se Buzuku e kuptonte dhe e ndiente intuitivisht perspektivën e zhvillimit të brendshëm ligjësor të gjuhës së shkruar të kombit. Ai është pararendësi i parë i madh në këtë rrugë.Krahas leksikut popullor që përdor, Buzuku krijon edhe neologjizma, kalke, duke treguar praktikisht një nga rrugët më të efektshme të pasurimit të gjuhës me vetë mjetet e saj, duke u bërë shembull i një qëndrimi krijues ndaj gjuhës.

Mirëpo nga ana tjetër, mbetet e pashpjegueshme me fakte, ende dhe sot, se si vallë një prift i varfër si Buzuku, apo një komunitet katolik njerëzish të varfër të detyruar të shpërngulen nëpër male, arritën të mendonin realizimin e një ndërmarrje të tillë kaq të kushtueshme, siç ishte asokohe botimi, e t’ia dilnin mbanë pa ndihmën e Selisë së Shenjë. Mund të aludohet edhe se ajo vetë mund ta ketë marrë përsipër iniciativën, ashtu siç do ta shohim shpesh më vonë për vepra të tilla. Po gjithësesi, edhe nëse citojmë tezën tjerër, sipas së cilës libri u ndalua dhe kopjet e botimit u shkatëruan, përderisa sot në Bibliotekën e Vatikanit ruhet vetëm një kopje, përsëri mbetet i pakontensueshëm jo vetëm fakti se ishte liturgjia romane ajo që i shënoi zanafillën - qoftë edhe në mënyrë jo zyrtare - orvajtjes së parë të përpunimit të gjuhës shqipe, Edhe gjetja e kopjes së vetme të librit, në një gjendje gati të shqyer, në Bibliotekën e Kolegjit të Propagandës, që në vitin 1740, siç rrëfeu zbuluesi i saj i parë, monsinjor Kazazi,  tregon se nxënësit shqiptarë të kolegjeve duhet ta kenë përdorur shpesh e të jenë formuar gjatë me të, përderisa gërmat dhe karakteret e veçanta të botimeve shqiptaro-katolike deri në fundin e shekullit XIX, madje deri më 1909, rrjedhin padyshim nga ato gërma e karaktere që pat sajuar Buzuku.Shekulli i XVI, falë veprave të Canisios dhe Bellarminos, do të qe për një pjesë të mirë të Evropës, shekulli i katekizmës. Menjëherë, pas vizitës së papës  më 1584 në Shqipëri dhe në vendet e tjera ballkanike, shohim të shfaqet më 1592, një përkthim në një dialekt arbëresh të katekizmës latine të xhezuitit Ledesma, nga ana e Lekë Matrengës, nxënës në kolegjin e ritit ortodoks të Shën Athanasit. Ndonëse e shkurtër në krahasim me vepra të tjera të hershme shqiptare, vetëm me 28 faqe, Doktrina e Krishterë e Matrëngës është me rëndësi historike, jo vetëm si botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepra e parë nga një arbëresh dhe e para vepër e shkruar në toskërishte.  Të gjithë autorët e tjerë të hershëm shqiptarë, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, kanë shkruar në dialektin e tyre të gegërishtes. “Me sa duket, Matrënga në Sicilinë e vendlindjes nuk do ta ketë njohur Mesharin e Buzukut të botuar tridhjeteshtatë vjet më parë. Ai nuk u ndikua fare nga drejtshkrimi i këtij të fundit. Por sic duhet kodi i burimit etnik i dha shtysën e brendshme të shkrimit të një vepre për të ndihmuar përhapjen e fesë ndër patriotët e vet. U mjaftua me shkronjat e alfabetit latin, ndërkohë që shkrimtarët shqiptarë veriorë në Ballkan përdornin veç tyre edhe disa shkronja cirilike. Matrënga përdori ae për zanoren e pazëshme që tani shkruhet ë, italishten sc(i) për sh dhe ishte i pari që përdori th për frikativen dentale. Shqipja e tij ka një ngjyrim të fortë me leksik të greqishtes, jo vetëm sepse greqishtja ishte gjuha e kishës ortodokse, por edhe sepse pikërisht nga Greqia kishin ikur arbëreshët e Sicilisë gjashtëdhjetë vjet më parë. Në atë eksod duhet të kenë marrë pjesë gjyshërit e tij, në mos edhe prindërit. Ky shtresim nga leksiku i greqishtes në dialektet arbëreshe ka ardhur duke u dobësuar ashtu si ka ndodhur me leksikun turqisht në shqipen e Ballkanit, i cili pak nga pak ka dalë jashtë përdorimit”. (115)

E lindur kështu me Buzukun, kultura shqiptare do të vazhdojë të zhvillohet për dy shekujt në vijim, në ambjentin e thjeshtë të katekizmit, i thjeshtë, por aspak i anashkalueshëm për ndikimin e vet, në formimin mendor dhe linguistik të një populli: katekizmi është libri që mësohet më lehtë nga të gjithë, edhe nga analfabetët; e nëse është e pranuar se ç’jehonë ka në fillimet e çdo literature gjuha kishtare, mund ta imagjinojmë fare mirë se ç’ndikim duhet të ketë patur ajo aty ku përbënte librin e vetëm të shkruar, të botuar, të lexuar e të mësuar.

Historia e shkrimit shqip është vetëm një pjesëzë e vogël e historisë së shkrimit, në kuptim terminologjik. Për shekuj me radhë shkrimi ka qenë jo thjesht një teknokraci e bartjes së kumteve gojore në kumte letrare, por një mjeshtëri, një art i zbatuar. Dorëshkrimet më të hershme origjinale që ruhen në arkivat e Shqipërisë ("Beratinus-1", shek. VI dhe "Beratinus-2", shek. IX) çmohen jo vetëm për lëndën ungjillore që përmbajnë, por edhe për vlerat estetike të "bukurshkrimit (kaligrafisë) imperial".Sipas vlerësimeve të studiuesve të dorëshkrimeve ungjillore, tradita e të cilave në Shqipëri vijon pa ndërprerje për rreth 15 shekuj me radhë, në zonën ballkanike dhe saktësisht në disa prej qyteteve kryesore shqiptare (Berat, Ohër), ka ekzistuar një shkollë vendore shkruesish ("scribers"). Kjo shkollë ka identitetin e saj në mjeshtërinë e të shkruarit. Kur flitet për traditën e shkrimit të shqipes dhe thellësinë historike të burimit të saj është e arsyeshme që ky fakt të mbahet në vlerësim. Në një hapësirë ku vërtetohet se shkolla e shkruesve vendës, qoftë të traditës helene, qoftë të traditës latine, ka një të shkuar të largët, konteksti kulturor për shkrime të hershme edhe në gjuhën amtare, jo vetëm ekziston, por është inkurajues. Nëse në mjedisin shqiptar të periudhës prej paleokrishterimit deri në Rilindjen Evropiane kishte traditë të shkrimit në përgjithësi, siç provohet prej tipologjisë së dorëshkrimeve kishtare që ruhen në arkivat e vendit, ky është një fakt që favorizon edhe besueshmërinë e një tradite të shkrimit në gjuhë amtare para-buzukiane.

Po shtrohet pyetja, a mund të jetë shkruar shqipja, që në shekullin XIII? Ndoshta po. Një nga filologët, ndër më të njohurit e gjithë kohëve, eruditi Faik Konica, është ende më i skajshëm në mendimet e tija. Ai thotë: "Gjuha shqipe duhet të jetë shkruar në shekullin XIII, kur në 1272-në, Karli Anzhu, vëllai më i vogël i Shën Luigjit, mbretit të Francës, u zgjodh mbret i shqiptarëve me kryeqytet Durrësin. Ai dërgoi në Durrës mëkëmbësin e tij, Gazon d'Eshinar, për të organizuar Mbretërinë e Shqipërisë. Ai duhet të ketë organizuar edhe gjuhën administrative, edhe në shqip. Por Konica shkruan se fillimet e shqipes së shkruar duhet të jenë që në kohën e normandëve, në shek XI. Ai thotë që, në shek. XII, gjuha italiane vendëse "il volgare" nisi me drojtje të pohojë veten kundrejt latinishtes dhe momenti i parë letrar i njohur në italishte është "Kënga e palaços toskan", që i përket kësaj periudhe”. Meqë gjithçka ndodhte në Itali, herët a vonë do të kishte jehonë edhe në Shqipëri, kjo na lejon të besojmë se ideja për të shkruar gjuhën e vet, shqiptarëve duhet t'u ketë ardhur nga Italia, nga fundi i shekullit XII. Ndonjë ditë mund të gjendet një përgjigje përfundimtare, për këtë çështje në arkivat e Vatikanit ose në dokumentet bashkëkohëse të urdhrave Benediktin dhe Domenikan, madje Konica mendon se kjo lloj letërsie shqipe duhet të ketë qenë laike, rrëfime kalorësiake apo përmbledhje historish, sipas modelit të botimit italian "Cente novelle anche". (127)

Këtu duhet theksuar edhe  pohimi i Eqrem Çabejt se: "Në nëndorin e vitit 1940 N. Borgia më kumtoi në Grotaferata pranë Romës se kishte zbuluar në Arkivin e Vatikanit një dokument në gjuhën shqipe më të vjetër se Buzuku. Fshehtësinë e zbulimit të tij ky dijetar e mori me vete në varr. Gjurmime të mëtejme nëpër arkivat e Vatikanit e të Propagandës mund të na sjellin ndonjë të papritur në zbulim dokumentesh më të moçme të shqipes." (128). Të shkruarit e një gjuhe nuk varet nga trillet e këtij apo atij autori; por nga rrethanat historike dhe kulturore në të cilat ajo gjuhë përdoret. Vetë të shkruarit është një lloj komunikimi, ndoshta jo i drejtpërdrejtë, por i destinuar për një publik të shtrirë më tej në hapësirë e në kohë; kjo edhe ngaqë një vepër e shkruar nuk mund të përligjet, qenësisht, veçse nga lexuesi. Shpesh të shkruarit e një gjuhe nuk është pa lidhje edhe me përvijimin e një vetëdijeje të komunitetit si shtrat i një kulture a qytetërimi të caktuar, për të mos thënë feje; prandaj edhe gjuhë të ndryshme të Evropës dokumentohen me shkrim në periudha historike të ndryshme.
Deri më sot, si dokument i parë i shqipes së shkruar është marrë e ashtuquajtura "Formulë e Pagëzimit" e vitit 1462, ndërsa "Meshari" i Gjon Buzukut i vitit 1555 mbahet si i pari libër në këtë gjuhë. Historianët mendojnë se këto data nuk janë pa lidhje me lëvizjet e Reformës dhe të Kundërreformës në gjirin e krishtërimit evropian, dhe se përpjekja për të shkruar tekste religjioze në një gjuhë të ndryshme nga latinishtja (a greqishtja) shpjegohet me një orvatje të Vatikanit për të reaguar ndaj lëvizjeve të ndryshme qendërikëse që po e troshitnin katolicizmin në Evropë. Në përgjithësi, zgjimi i kulturave lokale pas letargjisë mesjetare nga njëra anë, dhe zhvillimi i shtypshkrimit nga ana tjetër, u treguan vendimtare për t'ua dhënë shkrimin edhe atyre gjuhëve që, deri në atë kohë, kishin mbetur të pashkruara. 

Nga kjo pikëpamje, "Meshari" i Gjon Buzukut nuk paraqitet aspak si vepër e vonuar, as jashtë kontekstit, madje edhe po të kihet parasysh se shqipja flitej pikërisht në ato troje ku lufta për supremaci midis kishës së Perëndimit dhe kishës së Lindjes kurrë nuk kish reshtur. Mjaft të krahasohet kjo datë me çka dihet për historinë e dokumentimit të gjuhëve të tjera me histori të përafërt me të shqipes: rumanishtja, për shembull, na dokumentohet prej vitit 1521; për letonishten, shembujt e parë të shkrimit gjenden në një katekizëm të vitit 1585; në një kohë që lituanishtja dëshmohet në përkthimin nga latinishtja të një himni, në vitin 1545; edhe finlandishtja rezulton e shkruar për herë të parë në shekullin XVI; në një kohë që sllovakishtja na dëshmohet jo më herët se viti 1636. Përkundrazi, për një varg gjuhësh të tjera dokumentimi duket të ketë qenë më i hershëm: si në shekullin XIV për kroatishten e polonishten, në shekullin XII për portugalishten, në shekullin XI për hungarishten e më në fund në shekullin X për sllovenishten.

Autorët që kanë analizuar filologjikisht "Mesharin" e Buzukut, si Petrotta, Resuli e Çabej, kanë vënë re se zgjidhjet grafematike të atij shkrimtari janë aq konsekuente sa të lënë shteg të mendohet për një traditë të shkrimit të shqipes që i paraprin Mesharit, edhe pse Buzuku vetë e thekson se është i pari që po e ndërmerr të shkruarit e kësaj gjuhe; ndërkohë të tjerë filologë kanë vënë re ngjashmëri, po në trajtimin grafematik të tingujve të shqipes, midis teksteve të autorëve katolikë të Veriut nga njëra anë, dhe autorëve të hershëm arbëreshë, nga ana tjetër. Prandaj edhe albanologët në përgjithësi nuk e kanë përjashtuar mundësinë që shqipja të ketë qenë shkruar përpara Buzukut, në periudhën paraosmane a gjithsesi në kohën e përvijimit sado jetëshkurtër të një vetëdijeje unitare të shqiptarëve, në periudhën e invazionit osman e të qëndresës kundër tij. 

Postime të Ngjashme