Shqip Română
Histori

"Për Voskopojën dhe gjuhën shqipe" -Pjesë të përzgjedhura nga libri “Kodikët e Shqipërisë”- KODIKU I 99-TË, I KORÇËS

"Për Voskopojën dhe gjuhën shqipe" -Pjesë të përzgjedhura nga libri “Kodikët e Shqipërisë”- KODIKU I 99-TË, I KORÇËS

Koha e shkrimit: Viti 1676 (data më e hershme). Shkrimi më i hershëm përmban

formulën kishtare të falënderimit të besimtarëve që dhurojnë pasuri për kishën, duke filluar

prej kohës kur ky kodik iu dhurua Kishës së Shën Mërisë. Kjo formulë është përkthyer në

shqip së paku dy herë, nga dy klerikë, në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, për nevoja

shërbese. Me këtë rast, secili përkthyes ka pasuruar listën e emrave të dhuruesve me më të

rijtë. Falënderimi bëhej Ditën e Ortodoksisë.

Regesti ka vazhduar të mbahet për afro dy shekuj e gjysmë me radhë. Shenjimi i fundmë

është i vitit 1943. Këtë e shkroi Ilo Mitkë Qafëzezi, “më 26 të vjeshtësë së parë më 1943”. Ky

saktëson se “shkrimin e kësaj faqje e diktoi imzot Çamçe“. Për mitropolitin Agathangjel Çamçe,

I. M. Qafëzezi shkruan se „është i pari mitropolit korçar që nga ditët e Parthenit (1670-1676)

dhe të Joasafit të parë (1709-1741).

 

Për këtë kodik në Fondin 488 nuk ekziston skedë (pasaportë). I vetmi shenjim që gjendet prej

autorit të katalogut, Theofan Popa, është se „kemi kapërcye numrin (dhe kemi përshkruar

më parë „Kodikun e 100-të, të Fierit“), sepse kodiku me numër 100 ishte vënë (ishte bërë

pjesë e Fondit 488) pa u punuar kodikët e tjerë (pa u pajisur me të dhënat përshkrimore)“.

Në kapakun e dorëshkrimit gjendet ky titullim, që është përgatitur prej arkivistëve: „Kodiku i

madh i Korçës, që përfshin ngjarje të viteve 1572-1941, si dhe lista (listën) e pasurive të

Mitropolisë së Korçës (të) vitit 1887“.

 

Sido që thuhet se kodiku bën fjalë për ngjarje që fillojnë prej vitit 1572, as grafia, as koha e

shkrimit nuk janë të shekullit të 16-të. Dëshmohet qartazi nga një shenjim se ky kodik filloi të

shkruhej në vitin 1676, „kur ishte patrik i Ohrit Joasaf Voskopojari“. Në një dëshmi tjetër në

gjuhën shqipe, që ruhet si shtojcë e kodikut dhe ka titullin „Pikërisht e njëshme“, thuhet:

„Joasaf-i, me dëshirën e Perëndisë kryeepiskop i Justinianës ... kryetar i Ohrisë dhe patriark

i Bullgarisë, gjithë Maqedonisë dhe gjithë Shqipërisë, prej Voskopoje, vërteton (dëshmon) /se

/ në vitin 1725 u ngrit ky tempull i burimit jetëdhënës të Korçës dyke qenë dhespot hirësi e tij

mitropolit’ i Korçës dhe Zvezdës, dyke qenë ekzark i fort të lumturit z. Parthen prej Korçe, prej

të cilit u dhurua ky kodik në ditët e epitropëve dhe ndërtonjësve të kësaj kishe... U vendos që

ky kodik i dhuronjësve të këndohet çdo vit ditën e sotme, që quhet e diela e ortodoksisë“.

Kjo mund të jetë arsyeja që Ilo Mitkë Qafëzezi, në një shenjim të shkruar në vitin 1943 në

brendësi të fletës së kodikut, e quan „Codex Zosimea-Partheni-Kavalioti“. Zosimea apo Zosimi

ishte arkipeshkv (mitropolit) në vitin 1607, fill mbas Gavrilit (1572-1580). Emri i Parthenit

është zgjedhur për të njëjtën arsye, si mitropolit korçar i respektuar. Emri i Kavaliotit mund të

jetë zgjedhur për faktin se kodiku ka fletë të tëra për Voskopojën (fletët 86-87 dhe të tjera).

Sipas Ilo Mitkë Qafëzezit, „Codex Zosima-Partheni-Kavalioti“ mund të jetë një „titull i paskajuar

i këtyre kondikëve /kodikëve / për diturina të kërkimeve ballkanike“ (titull i përgjithshëm).

Një tekst tjetër, gjithashtu në gjuhën shqipe, që përsërit pak a shumë tekstin e cituar më sipër

për dhurimin e kodikut nga Joasafi prej Voskopoje, lejon të kuptohet se bëhet fjalë për një

përkthim shqip të shenjimit me grafi relativisht të vjetër, që gjendet në dy anët e brendshme të

kapakëve origjinalë.

 

Nga ky version i të njëjtit tekst del se kisha që iu dhurua kodiku quhej„ Zonja Shën Mëri“, se në atë kohë mitropolit i Korçës ka qenë Sallasfori i Zvezdës, se kjo kishë „u zugrafis prej zotërinjtë vëllezërit Zografët“, se „u shkruhen emrat në këtë kodik të gjithëve atyre që kanë falur ...“ pasuri e ndihma për kishën.

Në fakt, pjesën më të madhe të lëndës së kodikut e zënë regjistrimet e dhuratave të besimtarëve për kishën: toka, para, sende me vlerë, punishte. Të dhëna të tilla përmbajnë fletët 6-7, 9-15, 17-23, 42-45, 72-73, 80-82. Midis dhuruesve bie në sy emri i Athanas Zografit (fleta 52); emri „kryetarit / princit të Hungaro-vllahisë Joan Mavrokodhrato“ (ky përmendet edhe një herë tjetër si dhurues i madh, sepse jep çdo vit 150 groshë për shkollat e Korçës, fleta 90).

Sipas A. Plasarit, „Hungarovllahi emërtohej asikohe principata rumune e Vllahisë për t’u dalluar

prej „Vllahisë së Madhe“ të Epirit dhe Maqedonisë, qeverisur prej Engëllorëve. Trajta

„Hungarovllahi“ daton prej shekullit të 14-të...“ („Mendimi“, 2003, nr. 2, f. 43).

 

Përmendet gjithashtu emri i rusit Pavel Molenskij, që ka dhuruar një petrahil të qendisur me

flori dhe sende të tjera; esnafi i bakejve, që ka dhuruar „korën e Triarhondëve“; një banor i

Korçës me mbiemrin „Kukuzeli“ / „Kokuzeli“, që ka dhuruar një vreshtë. Nga lista e dhuruesve

mësohet për ekzistencën e një „kore të Shën Kryqit“, të një „kore tjetër“ të Zografit që tregon

„Zotin Krisht kur lindet“, si dhe për mjaft vepra të tjera të artit kishtar, që nuk dihet se çfarë fati

kanë pasur dhe a mund të gjenden më.

 

Në fletën 66 ka kronika për Voskopojën.

 

Në fletën 83 gjendet një raport përmbledhës i veprimtarisë së Mitropolisë së Korçës për

vepra bamirësie. Ky raport është hartuar meqenëse mjeku Joan Llambridhi, i cili cilësohet „i

dëgjuar“, ka vendosur të botojë një libër për bamirësinë. Raporti është shkruar, ose së paku

është parë e miratuar nga „mitropoliti i Korçës dhe Përmetit“, Dorotheu, në vitin 1879. Në

këtë raport ka të dhëna të hollësishme mbi ndarjen administrative të Korçës dhe të Përmetit,

mbi zhvillimin ekonomik dhe jetën shoqërore, mbi çifligjet dhe „fshatrat e pavarur“, mbi shkollat

edhe kishat. Sipas vlerësimit të Mitropolisë, Korça ndahet në tri pjesë: Korçë, Devoll dhe

Opar. Në fletët 83 dhe 86 bëhet fjalë vetëm për Oparin.

 

Në fletën 86 shkruhet për krijimin e “Vëllezërisë për të varfërit“, më 1870, „me ndihmën e

mytesarifit Asim pasha. Në këtë shoqëri bënin pjesë të krishterë e muslimanë dhe përfitonin

ndihmë të varfërit pa dallim. Kjo shoqëri ndërtoi në qytet të parën „foshnjore“ / çerdhe / dhe pagoi shpenzimet e mësueses për dy vjet. Me financat e kësaj shoqërie u hap një shkollë fillore në Pogradec, një tjetër në Opar dhe një e tretë në Borovë të Kolonjës. Në të njëjtën fletë është shkruar për ndërtimin e çezmave nga bejlerët e Plasës dhe nga një qytetar me emrin Jani Banga. Aty shkruhet gjithashtu për punën që bënë më 1784 ndërtuesit „gegë e voskopojarë“ („moskopoliti“) për ndërtimin e orës së madhe të qytetit mbi këmbanën e madhe pranë pazarit.

 

Sipas një të dhëne që gjendet në këtë fletë, në vitet 1750-1760 voskopojarët kishin arritur të

mblidhnin 400 mijë aspra për shkollat. Në atë kohë tregtarët e Voskopojës kishin veprimtari

në Austri, në Vllahi, në Bullgari e Maqedoni, si dhe në Serbi. Qyteti kishte esnafin e

hekurpunuesve, të bakejve, të kasapëve dhe të argjendarëve. Në këtë kohë, sipas të dhënave

të mbajtësit të kronikës të kodikut, Voskopoja kishte shtypshkronjë të mirë.

Në fletën 87 flitet prapë për Voskopojën. Ka të dhëna për banorët e saj në kohën e lulëzimit (të

paktën 12 mijë), për shkollat, për rregullimin urban të qytetit, për gjuhët që janë folur (përmendet shqipja, greqishtja dhe vllahishtja).

 

Në të njëjtën fletë përshkruhet se si „koxha Mirahori“ - është fjala për Iljaz bej Mirahorin, pasi

u kthye në musliman, fitoi simpatinë e sulltan Bajazidit dhe, si mirënjohje për përfitimet, ndërtoi

një xhami atje ku ishte Kisha e Shën Parashqevisë. Thuhet se kjo „ka ndodhur 392 vjet më

parë“, që do të thotë se shenjimi është mbajtur përafërsisht në vitet 1860-1870, duke pasur

parasysh se fermanët e Sulltanit të sipërpërmendur për dhënie timari beut të Mirahorit i takojnë

vitit 1486.

Në fletën 88 gjendet një kronikë e hollësishme mbi pasojat e tërmetit të vitit 1879, tërmet që

„rrëzoi mbi dy mijë oxhaqe“ dhe u pasua nga një thatësirë e madhe. Pasoi një zjarr ipërbindshëm, që dogji „600 punishte“. Në të njëjtin vit u mat temperatura më e ulët që mbahej

mend gjatë dimrit, minus 17 gradë. 

Postime të Ngjashme