Shqip Română
Histori

““Ossiani” ynë më i lashtë dhe komb-formimi herderian në Ballkan“

““Ossiani” ynë më i lashtë  dhe komb-formimi herderian në Ballkan“

Pas shekujsh të tërë degradimi, njeriu i ‘800 u kthye përsëri te shpirti i antikitetit, te respektimi i vetvetes dhe te ideja e të drejtave të tij. Fjalët “atdhe” dhe “qytetar” rifituan kuptimin e tyre. “Sipas Renanit, kishte ndodhur kështu një nga veprimet më guximtare në histori, një veprim që do të mund të krahasohej, në terma fiziologjie, me përpjekjen për t’i dhënë jetë një trupi, të cilit i qe hequr më pare truri dhe zemra”. (202) Edhe ideja kombëtare që përhapi ky shekull i konsideron “kombet” si diçka shumë e re në histori. P.sh. ato ishin të panjohura në antikitet: as Egjypti, as Kina e vjetër nuk ishin kombe. Antikiteti klasik kishte republika dhe qytete shtete, konfederata republikash lokale dhe perandori, por në asnjë mënyrë ato nuk ishin kombe në kuptimin që i japim ne sot kësaj fjale. Renani, njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të epokës, në leksionin e tij të famshëm “Ç’është kombi?”, mbajtur më 11 mars të vitit 1882, arrin në përfundimin se nuk ka raca të pastërta dhe të bazuarit e politikës mbi analiza etnografike është si të bësh një kala me rërë. Vendet më të përparuara, si Franca, Anglia, Italia, janë ato që e kanë gjakun më të përzier. Me një fjalë, Renani në fund të shekullit të XIX mendonte se elementi i racës, dikur shumë i rëndësishëm, po e humbet me kalimin e kohës rëndësinë e tij.

Në bazë të mendimit të tij është ideja se “kombet” janë një gjë pozitive për kohën d.m.th. për shek. XIX, por ato nuk mund të jenë të përjetshme. “Teksti i Renanit tingëllon në fundin e tij si një hymn për vullnetin njerëzor, hymn për të parë njerëzimin mbarë të jetë solidar në rrugën drejt qytetërimit dhe progresit. Këto të fundit mund të arrihen vetëm nëse çdo “komb” sjell kontributin e tij të vlefshëm në “koncertin e madh të njerëzimit”, siç e quan ai”. (203) Këto ide janë me rëndësi sepse siç do ta shohim më tej, ideja e kombeve si shprehje e natyrshme e ekzistencës së shoqërisë njerëzore dhe se çdo komb ka rëndësinë e vet në përparimin e saj, janë disa nga idetë thelbësore të liberalizmit të shek. XIX, që ushtruan njëndikim të fortë edhe te intelektualët patriotë shqiptarë të Rilindjes.

Mirëpo, gati një shekull më parë parashtrimeve të këtij mendimtari, kish ndodhur edhe diçka tjetër, po kaq vij-shënjuese për kombet dhe nacionalizmin. Në fund të vitit 1761 del në dritë “Fingal”, një poemë e vjetër epike, në 6 libra, sëbashku me poema të tjera, thurur nga Ossian, i biri i Fingal; përkthyer nga gjuha gale nga James Macpherson.Këto epope, sipas studjueses së njohur franceze Anne-Marie Thiesse, përmbushën dy qëllime kryesore. I pari ishte se këto tekste vërtetonin se popullsia skocezeishte e lashtë dhe vinte nga keltët dhe, së dyti, epopetë e mësipërme sillnin në jetë monumente kulturore të tjera dhe thyenin kështu supremacinë, ose monopolin kulturor, të qytetërimit greko-romak. Pra, Evropa ka edhe qytetërime të tjera që duheshin përfillur, përveç atij greko-romak të kthyer në një vlerë klasike dhe themel të kulturës së kontinentit”. (204)Sipas saj, epopeja e Ossianit “sjell prova” se tashmë ekzistojnë edhe tradita të tjera kulturore që përbëjnë themelet e kulturës më të përgjithshme evropiane. Kësisoj, “qytetërimi greko-romak nuk është i vetmi, por krahas tij kemi edhe “kulturat e tjera barbare”, të cilat edhe ato janë të afta të prodhojnë kryevepra letrare. Por, ajo që është më e rëndësishmja ky lloj decentralizimi kulturor do të jetë në shek. XIX i lidhur tepër ngushtë edhe me decentralizimin e legjitimitetit politik. Me fjalë të tjera, kultura të veçanta - popuj të veçantë –me individualitet të veçantë dhe, rrjedhimisht, edhe shtete të veçanta, ose sovranitet politikë që të sigurojë njëfarë mëvetësie për një popull të caktuar”. (205)

Në vitin 1767, i frymëzuar nga këto parime, Herderi boton Fragmente mbi letërsinë gjermane që përshkohet nga ideja se “zhvillimi kulturor kombëtar shkon së bashku me lirinë e popullit”. Sipas Herderit, vlera e vërtetë e një kulture nuk qëndron te ajo se sa në gjëndje është kjo kulturë të imitojë një kulturë më të lartë, p.sh. atë franceze, por se sa ajo është origjinale dhe autentike. Gjithmonë sipas Herderit, kultura e vërtetë vjen nga populli dhe nuk është kulturë e vërtetë ajo që është privilegj i disa individëve që kanë pasur mundësi të arsimohen. Në këtë aspekt gjuha vjen dhe merr një rëndësi të dorës së parë në lidhje me konceptimin e “kombit”. Gjuha, sipas Herderit, përmban/është shpirti i kombit. Në këtë mënyrë Herderi e koncepton diversitetin e kulturave nëpërmjet ekzistencës së gjuhëve kombëtare. Ai e vlerëson gjuhën si shprehje e gjallë dhe organike e shpirtit të një kombi dhe e shikon atë si mjet për të njohur kulturën dhe vlerat e një kombi, si edhe, nga ana tjetër, thekson nevojën e një gjuhe të përbashkët për konstituimin e një kombi.Herderi nuk e pranon pozitën dominuese të kulturës së rafinuar franceze në fund të shek. XVIII fillim i shekullit të XIX. Ai shkruan me ekzaltim për poezinë popullore të popullit. “Sa më shumë një popull është primitiv, i lirë, i gjallë, aq më tepër këngët e tij, nëse ka të tilla, duhet të jenë të gjalla, të lira dhe lirike. Kjo poezi nuk është një art i vdekur i disa njerëzve të kultivuar, shkruan ai në “Pjesë e një korrespondence letrare mbi Ossianin dhe këngët e vjetra të popujve”.(206)

“Të gjithë popujt që nuk janë prekur nga qytetërimi këndojnë dhe veprojnë. Ata u këndojnë veprimeve të tyre. Këngët e tyre janë si arkivat e popullit, një thesar i shkencës dhe fesë së tij, i dijeve të tyre mbi hyjnitë dhe universin. Ato janë thesari i bëmave zulmëmëdha të të parëve të tyre, tregojnë historinë e tyre, mbajnë gjurmën e zemrës së tyre, na flasin mbi jetën shtëpiake, mbi gëzimet dhe hidhërimet, nga shtrati martesor dhe deri te varri”. (207) Në vijim të mendimeve të Herderit, afirmimi i kulturave të popujve kalon në këtë mënyrë përmes mbledhjes së këngëve të popullit. Dhe kulturat e popujve janë të barabarta ndërmjet tyre, siç janë të vlefshme kultura franceze,gjermane dhe angleze, po ashtu janë edhe kulturat e popujve të ndryshëm. Kjo është e rëndësishme të dihet sepse, shumica e intelektualëve patriotë shqiptarë të Rilindjes kanë në tekstet e tyre mbi kombin shqiptar të njëjtin qëndrim me Herderin. Megjithatë, pjesa më e madhe e influencës së ideve të reja evropiane mbi ta duket sikur vjen nga kultura franceze për shkak, midis të tjerash, edhe të statusit dominues të gjuhës franceze si gjuhë e kulturës së lartë.Veprat në stilin e Ossianit marrin dhenë në Evropën e gjysmës së dytë të shek. XVIII dhe të fillimshekullit të XIX. Herderi vetë i dërgonte të fejuarës së tij pjesë të përkthyera nga vepra e Macphersonit, Ossiani. Ndërsa në vitin 1817 adoleshenti Viktor Hygo i dërgontë një konkursi poezie një poezi në frymën e Ossianit. Në Rusi një kont me emrin Moussine-Pouchkine bëri me dije në vitin 1795 se kishte gjetur një manuskript të një epopéje të luftës së rusëve me disa popuj nomadë në shek. XII. Një transkriptim i këtij “dokumenti” të vjetër iu paraqit careshës Katerina II dhe u botua në vitin 1800 me titullin Kënga e ushtrisë së Igorit, sipas emrit të princit rus që kishte mposhtur në fushën e betejës hordhitë nomade. Kjo vepër, që pretendohej si e dalë nga dora e një autori anonim, u vlerësua shpejt e shpejt si e barabartë në vlerë dhe rëndësi me epopenë e Ossianit. Kjo epopé u mbajt si provë e faktit se edhe rusët kishin Ossianin e tyre ose, edhe më mirë akoma, Homerin e tyre. Të tëra këto përpjekje dhe këta autorë i bashkonte një shqetësim i njëjtë: të krijonin një kulturë kombëtare.

I përmendëm të gjitha këto fakte, për të kuptuar se sa të sforcuara dhe të stisura qenë veprat apo epopetë që zbuloi Europa për kulturën e saj, dhe se në ç’raport qëndron me to Skënderbejada jonë. Sipas Anne-Marie Thiesse, “ishin vëllezërit Grimm të parët që konsiderohen si krijuesit e një projekti patriotik, i cili synonte t’i ofronte kombit gjerman vetëdijen për ekzistencën e tij, për të kaluarën dhe ndërgjegjësimin se kombi duhej të ishte njësh dhe i bashkuar. Gjithnjë sipas tyre, rrugët e ndryshme të evoluimit të çdo populli bënë të mundur edhe krijimin e kulturave të ndryshme. Migrimet e popujve, degëzimet e gjuhëve, të gjitha këto për Grimmët ishin tregues i asaj se antikitetet kombëtare ishin pjesë e një thesari të përbashkët evropian. Si rrjedhim, “për rastin e tyre mund të thuhet se ata propaganduan një nacionalizëm  patriotik, por të vendosur në kuadrin e një kozmopolitizmi intelektual.” (208) Çfarë kuptojmë me këtë? Grimmët ishin liberalë dhe zbulimin e thesareve të vjetra të popujve ata e shikonin si zbulimin e gurëve të një mozaiku të përgjithshëm kulturor evropian. Ata nuk përjashtonin kulturat e ndryshme, përkundrazi, i shikonin ato si përplotësuese të njëra tjetrës. Veprimtaria e vëllezërve Grimm kthehet e bëhet një pikë reference, ose një model veprimi, për të gjithë ata intelektualë patriotë që i hynë punës së ndërtimit të identiteve përkatëse kombëtare. Ndikimi i tyre ishte vërtet i madh në mbarë Evropën, por veçanërisht në mesin e popujve sllavë. Mbledhja e letërsisë popullore, folklorit shkoi paralelisht me hartimin e gramatikave dhe fjalorëve, të cilat ishin gurë të rëndësishëm në duart e intelektualëve “muratorë” që punonin për të ngritur në këmbë ngrehinën e kombit.

Një nga shtysat e rëndësishme, përveç aspektit kulturor që pamë më sipër me mbledhjen e folklorit, ka qënë edhe krijimi i tregut kapitalist të shtypshkronjave. Ky treg, një nga më të vjetrit e sistemit të ri kapitalist, ishte në kërkim të gjetjes së tregjeve të reja, të cilat bëheshin edhe më interesante nëse shtypnin materiale në gjuhën e popullit dhe jo vetëm në gjuhët e larta të kulturës dhe filozofisë. Fakti që gjuhët “kombëtare” u ngjallën më herët në vendet e prekura nga Reforma e Lutherit, i cili kërkonte që gjuha kishtare të mos ishte latinishtja, por gjuha vendase, është një nga shpjegimet e lindjes së gjuhëve kombëtare.Nga ana tjetër, gjuhët e reja “kombëtare” duhej të ishin standarte në mënyrë që tregu i shtypshkrimit të lulëzonte. Lind këtu nevoja e krijimit të gramatikave dhe fjalorëve, të cilët i japin gjuhës një karakter më të qëndrueshëm sesa ç’kishte ajo në kushtet e gjëndjes orale.

Misioni i “zbulimit”, “shpluhurosjes” dhe sistematizimit të “kulturave popullore” të popujve ishte një detyrë tepër fisnike për kohën, ishte si të thuash, në rast se duam të sjellim një shembull nga ditët e sotme, se ne duhet të plotësojmë standartet për në BE, por nuk na prish dhe aq punë në rast se bëjmë disa manipulime të vogla në zgjedhje. Puna për të “zgjuar” kombet nëpërmjet “zbulimit” të kulturave është ai fenomen që Anne-Marie Thiesse e ka përcaktuar si “kozmopolitizëm intelektual”, d.m.th. që intelektualët evropianë ofruan modelin dhe mënyrën e “zbulimit”, ndërsa zbatimi në praktikë u ndërmorr nga intelektualët lokalë duke imituar kolegët e tyre më të “përparuar” perëndimorë. Ata të ngjajnë të tërë me Macphersonin dhe veprat e tyre shëmbëllejnë pothuajse si dy pika uji me Ossianin e famshëm. Le ta ilustrojmë këtë parashtrim me rastin e grekëve, si u zbulua “kombi” i tyre? Në thelb teknikat janë të njëjta, folklori, legjendat, përpjekja për të ndërtuar gjuhën “kombëtare”. Po e njëjtë është edhe dinamika e procesit, shkëndijat hidhen në perëndim dhe entuziazmi merr flakë në “atdheun e Homerit”. Një rol bukur të madh luan vepra e francezit Claude Fauriel. Ky i fundit deri në vitin 1802 ishte sekretar i ministrit të policisë së Bonapartit, Fouché. Më pas largohet dhe bie në kontakt me Akademinë Kelte, ndërkohë që zgjeron mjaft njohuritë e tij mbi letërsinë e gjuhëve romane. Nga viti 1830 drejton katedrën e gjuhëve romane në Fakultetin e Letërsisë në Paris. Disa vjet më parë, në vitin 1824, ai botoi Këngë popullore të Greqisë. Ky botim i tij vinte fill pas shtypjes së kryengritjes së parë greke kundër turqve dhe synonte të provonte se kombi grek ekzistonte dhe rrjedhimisht ai kishte të drejtën për pavarësi.

Hyrja e librit, që ishte shkruar në greqisht dhe në frëngjisht, zotëronte të gjitha cilësitë që gjykoheshin në atë kohë si të mjaftueshme për t’u kualifikuar si “komb”.Kishte një gjuhë dhe një kulturë që siguronte një vazhdimësi me të parët e tyre të “lavdishëm”, një letërsi popullore të gjallë dhe të rrënjosur në tokën dhe shpirtin e kombit. 

“Hapi i dytë do të ishte paraqitja e tyre si vazhdimësi me krijimet antike të grekëve. Sipas teorive moderne të Herderit dhe vëllezërve Grimm, “kombi” grek duhej të kishte një vazhdimësi të balladave që këndoheshin në fshatrat greke gjatë dominimit osman me krijimet e antikitetit. Faurieli fillon nga puna për të mbaruar edhe këtë mision të dytë. Pra, paraqitjen e një vazhdimësie të pandërprerë të folklorit grek të shek. XIX me antikitetin grek. Ai veçoi për këtë punë këngët e kleftëve, të cilët ishin cuba, që vërtet luftuan kundër turqve, por vilnin edhe haraçe nga popullsitë e fshatrave. Faurielit i kujtohet personazhi i Robin Hudit në romanin Ivanhoe (1820), shkruar nga Uollter Skot, dhe vendos që kleftëve t’u caktojë rolin e luftëtarit të lirisë, që mbart me vete heroizmin e Greqisë antike. Pra, edhe grekët dolën se paskërkëshin një epopé kombëtare. Këngët kleftike merren si fragmente të Iliadës së Homerit”. (209)

Si në çdo vend ballkanik në kohën e ngritjes së shtetit kombëtar dhe të kombit më vonë, edhe grekët u morën mes veti për të përcaktuar se cila gjuhë do të ishte gjuha letrare e të gjithë grekëve, gjuha demotike (gjuha popullore), apo gjuha kathaveroussa (gjuha e pastruar). Ky konflikt midis partizanëve të njërës gjuhë dhe atyre të gjuhës tjetër do të vazhdojë përgjatë krejt shek. XIX dhe në fund do të anojë në favor të gjuhës demotike. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me shqipen, në përzgjedhjen si bazë të gjuhës kombëtare, dialektin tosk apo geg.

Një rast i ngjashëm janë edhe rumunët. Edhe ata përpiqen që të bëjnë figurë të mirë para kombeve të tjera të zhvilluara evropiane, dhe ku ka më mire se ta paraqesësh veten si pasardhës i romakëve, me një fjalë si popullsi latine.“Botimi i parë i një përmbledhje të letërsisë popullore rumune kryhet nga dy vëllezër me origjinë gjermane, Arthur dhe Albert Schott, të cilët nën kujdesin e vëllezërve Grimm, botojnë në vitin 1845 një vëllim me përralla vllahe. Gjatë viteve 1836-1841, Arthur Schott qëndron në Banat (në kufirin e sotëm midis Rumanisë, Hungarisë dhe Serbisë). Të dy vëllezërit i hyjnë punës së “bletës” që mbledh “nektarin” e folklorit në principatat rumune, pasi janë njohur me metodologjinë e vëllezërve Grimm për këtë çështje. Në punë e sipër ata njihen edhe me Kopitarin e Fallmerayerin. Vepra e tyre përmbledhëse do të ketë një hyrje ku gërshetohen shqetësimet me natyrë kulturore dhe politike.”(210)

Nëpër të njëjtin shteg ka kaluar pak a shumë edhe puna për “zbulimin” e “kombit” bullgar. Qysh në fillim të shekullit XIX, Rusia mbështeste ngritjen e një ndjenje kombëtare bullgare. Sigurisht që këtë gjë e bënte sepse kishte interesat e veta për territoret në Detin e Zi, por, gjithësesi, nuk duhen mohuar edhe interesi i intelektualëve rusë për vëllezërit e tyre sllavë që “lëngonin” nën sundimin turk. Ljuben Karavelov, i cili kishte bërë studime në Moskë, boton në vitin 1862 librin Monumente të jetës popullore të Bullgarëve, që përfshin mijëra proverba. Ai është edhe autor i një Fjalori franko-bullgar dhe bashkëpunon aktivisht me gazetat bullgare që dilnin në Rumani. Nga ana e tyre vëllezërit Dimitar dhe Konstantin Miladinov botojnë në vitin 1861 përmbledhjen e parë të madhe të këngëve popullore, por ata vdesin në një burg turk. Ata kishin studjuar në Gjermani dhe vepra e tyre ishte financuar nga një erudit kroat. Vëllezërit Miladinov në veprën e tyre ndjekin të njëjtat parime metodologjike si të vëllezërve Grimm. Georgi Rakovski, është një tjetër autor i rëndësishëm bullgar, që ka dhënë kontributin e tij në procesin e kombfomrimit bullgar. Ai boton në Odesë në vitin 1859 librin me titull Guidë e mbledhjes së artit popullor.

Në vitin 1813, në mes të turmës së refugjatëve serbë që kishin ikur në Vjenë, pas dështimit të kryengritjes serbe kundër trupave osmane, gjëndej edhe një djalosh i ri, i varfër, djalë i një familje fshatarësh, që vinte nga Mali i Zi, por kishte pak kohë që ishte vendosur në Serbi. Ky djalë i ri ishte Vuk Stefanoviç Karaxhiç. Në Serbi kishte qenë mësues. Në Vjenë, Karaxhiçi njihet me sllovenin Bartolomeo Kopitar, nëpunës i Bibliotekës Perandorake në kryeqytetin austriak. Kopitari e mëson Karaxhiçin e ri sesi të jetë i vlefshëm në jetë duke i dhënë atij një mision: të kërkojë dhe të sistemojë veprat e kulturës kombëtare serbe. Karaxhiçi fillon punën pa humbur kohë dhe në vitin 1814 mbaron së shkruari librin Gramatika serbe dhe Përmbledhje e këngëve popullore. Mentori slloven i serbit të ri e çon këtë të fundit te Jacob Grimmi, i cili kishte ardhur në Vjenë, dhe rezultati i takimit me personalitetin e shquar qe shtimi i entuziazmit dhe i frymëzimit për të vazhduar më tej punën e mbledhjes së folklorit dhe të përpunimit të gjuhës “kombëtare”. Në vitin 1818 del në qarkullim Fjalori serbisht-gjermanisht-latinisht, i ndjekur nga vëllime të reja përmbledhjesh tëkëngëve popullore, të përkthimit në serbisht të Testamentit të Ri, të shkrimeve gjuhësore ose historike.

Po në të njëjtën kohë, Kopitari fillon edhe ai punën për të reformuar ortografinë kroate në mënyrë që ta afronte sa më shumë me serbishten. Nga ana tjetër “lëvizja ilire” e Zagrebit, e drejtuar nga shkrimtari dhe publicist Ljudevit Graj, vendos që të ndërtojë një gjuhë letrare, jo mbi dialektin e krahinës, që ishte kajkavian, por mbi stokavianin. Qysh nga ajo kohë bëhet emundur që të krijohej një gjuhë e përbashkët për sllavët e jugut, ose siç njihet sot me emrin gjuha serbo-kroate.Megjithatë, “gjuha e re serbo-kroate” nuk u fut dhe aq lehtë në përdorim. Në atë kohë ajo mund të njihej, dhe më vonë të përdorej disi, veçse nga popullsia e mësuar, kurse përhapja e saj masive i takon epokës së krijimit të shtetit të Jugosllavisë. Nëse qarqet politike  evropiane nuk ishin konseguente në mbështetjen e tyre, për veprën e intelektualëve serbë për të ndërtuar një gjuhë dhe kulturë “kombëtare”, vepra e Karaxhiçit arriti të siguronte një mbështetje dashamirëse nga ana e intelektualëve evropianë. Kopitari dhe Grimmët dalin menjëherë në mbrojtje të punës së Karaxhiçit. Grimmët përkthejnë në vitin 1824 Gramatikën e Karaxhiçit duke i shkruar edhe një parathënie të gjatë. Një vit më parë Grimmët e kishin njohur Karaxhiçin me Gëten, i cili fillon e mëson edhe vetë serbishten, dhe boton përkthime nga vepra e Karaxhiçit Përmbledhje e këngëve popullore. Shihet, pra që metodologjia e mbledhjes së folklorit nga ana e vëllezërve Grimm dhe patronazhi i shumë intelektualëve kozmopolitë, kanë qenë shtylla e zbulimit të të gjithë kombeve ballkanike.

Po mendimi dhe lëvizja shqiptare, a u ndikuan nga këto “ndihma jetësore” të komb-formimit. Duket se jo, dhe ka ardhur koha që kjo vecanti e madhe dhe e rëndësishme të nënvizohet me shumë forcë dhe fuqi përballë të gjitha historive komb-formuese herderiane të të gjithë popujve të Ballkanit. Për veçantitë e lirisë që gëzuan, merita më e madhe u takon arbëreshëve. Interesi që ata treguan për të mbledhur letërsinë e tyre gojore është i hershëm. “Mbledhja e parë folkloristike që na ka arritur prej tyre është ajo e Kodikut i quajtur i Kieutit, cili fillon më 1737 dhe mbaron më 1770. “Aty duhet t’i ketë dërguar prifti Nikollë Filja, i cili shërbeu për shumë vjet në atë zonë. Megjithatë , kënga e parë arbëreshe e mbledhur në Itali, edhe kjo në Sicili, gjendet në dorëshkrimin e një fjalori shqip italisht dhe italisht shqip, si dhe të një gramatike të shqipes, të bazilianit nga Sicilia, Nilo Katalano (1637-1694). Është kënga shumë e njohur e Pal Golemit”(211). Për të qenë të saktë, kjo këngë është gjetur gati një shekull më parë se ajo e Ossianit të famshëm kelt.

Folkloristët e parë arbëreshë që njohim janë gjithashtu prej kolonive të Siçilisë: Gavril Dara Plaku (1765-1832) dhe i biri i tij Andrea, njëri gjysh dhe tjetri baba i poetit të njohur Gavril Dara i riu. “Ky i fundit trashëgoi prej tyre një dorëshkrim këngësh popullore me titull “ Kënkat e pleqërisë”, i cili  daton që më 1765, kur lindi Dara plaku, por edhe atij duhet t’ia ketë lënë trashëgim dikush tjetër”. (212)

Pra, edhe më parë se sa të botohej Ossiani, arbëreshët kishin tashmë një libër këngësh popullore. Ndërsa në kolonitë e Kalabrisë folklor-mbledhësi më i madhi do të qe De Rada, kurse më i vjetri që përmendet Françesk Avati, nga po i njëjti fshat, që ka jetuar midis viteve 1717 dhe 1800. Shuteriqi shpjegon se “në këto këngë, si p.sh. “Martesa e Skënderbeut” poeti anonim mund të ketë pasur parasysh Barletin dhe të ketë marrë pak gjë prej tij, siç duket të ketë marrë diçka edhe nga Biemi.” (213)

 Paralelizma të tillë mund të shihen edhe në këngën “Skënderbeu dhe Ballabani”, çka dëshmon që këngët duhet të jenë të viteve pas 1742. Gjithësesi, në këngën “Skënderbeu dhe vdekja”, shihet se “afëria me Barletin është shumë e madhe, vetëm se në këtë rast mund të mos jetë poeti anonim që ka imituar Barletin, por ky i fundit të ketë imituar poezinë popullore të kohës së vet. Vetë Barleti pohon se në kohën e tij shqiptarët e kishin për zakon tëkëndonin punët e të parëve të tyre, ndaj është e natyrshme që njëri nga burimet e tij të kenë qenë këngët popullore. Aq më tepër që historian venedikas Sabeliko, që më 1487, kur bën fjalë për Skënderbeun, na flet edhe për këngët që i qenë kushtuar heroit nga populli i tij”. (214)

Më 1845, De Rada njihet në Napoli me arbëreshin Sicilian Dhimitër Kamarda, i cili i tregon një dorëshkrim këngësh popullore të mbledhura nga Avati gjatë shekullit XVIII. Për këtë takim, ai na flet duke pohuar se këngët iu dukën “ si të lindura të gjitha në More”. De Rada nuk kishte ndonjë kriter rigoroz shkencor në punën e vet prej folkloristi. Vërehet qartëqë ndihmesa e “patriotizmit intelektual” tek arbëreshët as nuk ka ndikuar fare. Ai e dëshmon vetë se, si të gjithë folkloristët romantikë të kohës, i preku këngët duke u shtuar edhe nga vetja,  kur shihte ose pandehte ndonjë zbrazësirë. “Mbushja e “zbrazëtirave” donte të thoshte t’i shtoje kësaj kënge diçka mbi Skënderbeun dhe kohën e tij.De Rada ishte sinqerisht i mëndjes se kjo dicka që ai shtonte, ishte ajo që pat humbur gjatë shekujve e që ai e kishte për barrë ta imagjinonte, ta gjente e ta shtonte nëpër këngë. Ashtu sic ngjau me mistifikimin e famshëm të Makfersonit me këngët e bardit skocez Ossian, cdo popull në Europë ishte në kërkim të Ossianit të tij. Një Ossian shqiptar fshihej prapa këngëve arbëreshe, mendonte De Rada. Ky Ossian kishte krijuar një poemë të plotë që në shekullin XV, poemë që gjatë shekujve u pjesëtua, pjesërisht humbi,e prej së cilës kishin mbetur vetëm fragmente.” (215)

Edhe Gavril Dara i riu, në parathënien e poemës së tij “Kënga e sprapsme e Balës”, na pohon se babai i tij Andrea, duke mbledhur këngët popullore arbëreshe, kish formuar mendimin se këto këngë qenkëshin copë të një kënge më të madhe, nga e cila mungonin shumë pjesë. Edhe vetë vepra e këtij autori ishte një mistifikim i bukur i kësaj poeme. Sikundërse shihet ideja e De Radës, për ekzistencën e një epike të madhe të kohës së Skënderbeut, kishte rrënjë edhe para tij ndër arbëreshë. Më vonë, këtë gjë bëri edhe Zef Skiroi në librin “Rapsodi shqiptare”. Kuptohet, që Ossiani kërkohej, por njësia e mendimit shqiptar atë e gjeti në brendësinë e vet logjike, etnike, shumë thjesht, shumë qartë, në mënyrë të natyrshme  dhe organike, falë fuqisë së kodit të saj të burimit etnik dhe modelit të Skënderbeut, si një kapacitet i rrënjosur thellësisht në psikikën e tij, ndryshe nga disa kombe që me sforcim të madh arritën ta shpiknin e ta krijonin kombin e vet. 

Postime të Ngjashme