(Titulli I artikullit është redaksional. Ai
është përshtatur dhe përmbledhur nga Gersa Rrudha për TRICOLOR ,duke zgjedhur dhe
fokusuar vetëm në ato pika ku përkon me
arumunët sipas shkrimit të Cabej me
titullin “Doke dhe zakone shqiptare”.)
Zakonet dhe doket e Shqiptarvet nuk përbâjnë nji tânësi të njajtë.
Këto janë nji përmbledhje institucjonesh vêndase të ndryshme ndërmjet vedit.
Jam i sigurtë se kjo gjâ ngjanë nga gjêndja e posaçme geografike e Shqipnis,
mbasi vendi ká qênë urë përshkimi i popujvet të ndryshëm, të cilët kanë lânë
influenca në mënyrën e jetesës së popullit Shqiptár. N’anë tjetër Shqipnija,
nga shkaku i pozitës së vet, ká qênë nji votër prej së cilës janë shpërndám
rrezet e vetinave të posaçme balkanike, kshtu qi shum prej këtyne kanë marrë
edhe popujt të tjerë. Ksodore zakonet e Shqipnís na paraqesin po atë fytyrë
sikurse na e paraqet edhe gjuha e saj.
Le te rendisim nje sërë zakonesh e dokesh të përbashkëta që përmend
Eqerem Cabej per kulturen shqiptare dhe ate arumene, apo dhe më gjerë, me
kulturën e lashtë trakase:
1.
Në Shqipni
dëshirohet nji lindje e shumët fmijsh; nji martesë pà fmij kundrohet e pà-fate.
Populli përdorë mjete të ndryshme mjeksore të vendit kundër shterpësís së
gravet. Grueja me shtat-zânë lirohet prej çdo pune së rândë; ajo në Mirditë e
në rrethet e Elbasanit nuk guxon të shkojë në treg n’atë gjêndje. Në Shqipni
familjet gzohen, sikurse edhe në krejt Balkanin, mâ tepër për lindjen e njij
djali si vijues i brêzit dhe si nji zbatues eventual i gjakmarrjes. Prandej në
Mirditë e në Malsí lindja e nji djali lajmohet me të shtime pushkësh. Përpara
ishte zakon në verín e Shqipnís qi nji grue për martesë të mos mund të
paraqitej n’elterin e kunorëzimit përpara se të kishte bâ nji djàl. Kësaj pune
i japin nji randsí të madhe, dhe kur afrohet koha e lindjes, hjedhin nji plumb
pushke në zjarrm dhe si pas trajtës qi merr plumbi mbasi të shkrihet,
parashofin lindjen e njij djali a po të njij vajze. Në Gjinokastër vajtimi i
hutînit mbi pullazin e shtëpís paralajmon lindjen e njij djali, përkundrazi aji
i kukuvajkës lindjen e njij vajze. Gjithashtu edhe ndër viset slave vajtimi i
kukuvajkës tregon nji lindje fatlume. Lindja
në Shqipni mbahet sa mâ tepër e mshefët sikurse pr’anë Boshnjakve dhe Rumenve
të Macedonis, për të mos t’a kuptue shpirtënt e këqij e mos të pêngojnë lindjen.
Posa të lejë fëmija lahet; n’Elbasan qesin edhe krypë n’uj qi të dalë i
kandshëm dhe i dashtun.
2.
Në Shqipní, sikurse edhe në Rumaní, zakonisht martesa bâhet në verë ase në vjeshtë, atëherë kur ka
marrë fund stina bujqsore. Për ditën e martesës, âsht e nevojshme qi kjo të
caktohet në kohën e hânës së plotë. Hâna e ré dhe hâna e plotë kanë qênë kundruem
edhe pr’ anë popujve të tjerë indo-germanë si të dobishme e me fat për pasunín
toksore. Dikur, vetëm kur ishte hâna e ré dhe e plotë, këta popuj bâjshin lufta
dhe kremtojshin festa. Edhe sot n’Elbasan lindja para kohe i mvishet kohës së
pa hânë.
3.
Molla përgjithsisht
ka nji rândsi të madhe e nji kuptim të veçantë në zakonet e martesave të
Ballkanit. Kshtu për shêmbull
Kucovllahët kanë zakon me futë në mollë mbrênda të holla argjanti ase ari
si mbas gjêndjes financjare të familjes. Në Serbi dhândri shkon në mëngjesin
para fejesës ke e fejuemja e vet dhe i jep jabuke-n, qi âsht nji mollë e
stolisun me të holla t’arta.
4.
Zjarmi dhe
uji losin nji rol të rândsishëm ndër lindje dhe ndër dasma, si elemente
jetsore. Në kët mënyrë edhe në Greqi âsht zakoni qi farë e fisi fêmnuer i nuses
shkon dhe e merr këtê për t’a çue ke kroni.
Ky zakon gjindet edhe pr’anë Bulgarvet dhe Arumunvet.
5.
Në verín e
Shqipnís âsht zakon me e rrue të vdekunin, me i përdredhë mustakët, me i vû në
dorë nji pushkë të gjatë, me e ulë ndêjun në tokë kinse me pritë ngushullimet e
atyne qi vijnë për krye-shndosh. Në Dibër, po të kalojë njerzija me nji të
vdekun afër shtëpís, âsht zakon qi të zbrazen të gjitha ênët qi ndodhen plot. Gjithashtu në nji rasë të tillë edhe në
Rumani mbulohen të gjitha ênët e ujit, pse besohet qi shpirti i të
vdekunit, i cili âsht shum etshëm, mund të bijë në ndonji ênë të mbushun me új
dhe mbytet mbrendë.
6.
Âsht nji
besim i përgjithshëm i popujve të Balkanit, qi të vdekunit jetojnë mbas vdekjes
si hije: prej kndej fjalët hije (shqip), qi ká kuptimin edhe të shpirtit,
iskjotikos ose iskjos (greqisht) qi d.m.th. shpírt mbrojtës ase genius,
sënishte ase sënka (bulgarisht), sjen (sërbohr.), aumbros (aromunisht) qi kanë të gjitha nji kuptim.
7.
Rradha e
formavet të bestytnivet shqiptare âsht e ndryshme ashtu edhe êmnat e tyne janë
euphemistikë. Shka âsht éjlli i rojës për të krishtênin dhe për muhamedanin,
ashtu âsht ora për malcorin e çdo besimi. Ora e përsjell dhe e mbron malcorin
në çdo kohë të jetës së tij. Emnin e zânës së Shqiptarvet të veriut, qi âsht
mbrojtësja e fatosavet në luftë, e gjêjmë edhe pr’anë Aromunvet me êmnin
dzinele. Janë për t’u përmendun edhe shtojzovallet ashtu edhe gogoli, tmera e
fëmijvet. Forma e të bukurave të nëndheut (e bukura e dheut) gjindet edhe në
Greqí me êmnin hé pentamorfé, pr’anë
Aromunvet me êmnin musata loklui, ashtu edhe pr’anë Tyrqve, Kyrdvet,
Sirjanvet dhe n’Italí.
8.
Besimin në
shtriga ashtu edhe êmnin e këtyne i kanë
Shqiptarët të përbashkët me Arumunët dhe Grekët e rij: shqip shtrigë,
arumunisht striglà dhe greqisht strigla. Në verín e Shqipnís shtrigat janë hije
fêmnore, të cilat i mbysin njerzit tue u thithë gjakun ase tue u a hângër
mushkënít. Shtriga, me êmnin Lubia, në Gjinokastër mëmë lubia han me ândje
mishin e fmijvet të vegjël.
9.
Edhe gjarpni
lot nji rol të rândsishëm në besimin e popullit. Ky kundrohet në verín e
Shqipnís si mprojtës i visarevet. Në Tiranë lëkura e gjarpnit vlen si mjet
kundra punherës (ajo e tokës, épilepsie). Për veç kësaj, çdo shtëpí shqiptare ká
nji shpírt mprojtës të vetin nën trajtën e nji gjarpni të trashë me lëkurë të
shum-ngjyrëshme të quejtun vitore. Ky gjarpën i votrës shtëpijake largohet për
gjithmonë nga shtëpija kúr vdes mbrenda i zoti i shtëpís. Nderimi i gjarpnit
shifet shpesh edhe pr’anë popujvet të tjerë. Gjarpij shtëpijakë dhe pala
gjarpnore ndodhen edhe në bestytnít germane, ashtú edhe pr’anë çifutënvet të
Mesjetës. Në qytetin e vjetër Pompei (Italí) gjarpni kundrohej si genius patris
familias (mprojtës i të zotit të shtëpís). Edhe
në Valahín e vogël eksiston sherpi de casa. Bulgarët e quejnë gjarpnin
shtëpijak zmij dhe Serbët e thrasin zmija.
10. Asht zakon qi t’u mvaren fëmijve të vogjël në qafë kocka breshkash
dhe në djep eshtna iriqi, kurse pr’anë
Grekovllahvet rreth e për qark Monastirit u mvaren kâmbë urithi. Si
mprojtje kundra synit të keq vlejnë edhe nuska trikândëshe, sikurse bâhet
n’Orjent. Por mjeti mâ i miri kundra tij âsht hudra. Hudrën e kanë përdorë për
kët qëllim të gjith popujt e Orjentit, Grekët dhe Romakët, si edhe Shqiptarët,
Sërbët, Grekët, në Palestinë, n’Arabí dhe përgjithsisht krejt Orjenti.
Baza e zakoneve dhe e dokevet, të cilat e përcjellin Shqiptarin
prej djepit deri në vorr (lindje, martesë, jetesë bashkëshortore dhe vdekje)
âsht sigurisht prej të parvet të tij indogermanë: këtë gjâ na e dishmojnë
krahasimet me zakonet e popujvet të tjerë indogermanë. Kisha e Krishtenë në
Shqipni, sikurse edhe gjetiu, âsht përpjekë të zhduki këto zakone pagane. Por,
nuk âsht qênë e mundun zhdukja e plotë e tyne, pse edhe sot shifen aty-ktu nën
petkun dhe nën êmnin e Krishtênë. Edhè sot ekziston në Shqipní nji besim
primitiv me perendí të ndryshëm, të cilët populli i nderon nën trajtën e
shêjtënve të Krishtenë.
Nji pikë mbështetjeje të rândsishme na e jep në këtë pikëpamje
edhe kalendari shqiptár i kremteve.
11. Në disá vise të jugut të Shqipnís, kremtohet e para ditë e Marsit
si kryevit, si pas kalendarit të vjetër rromak: në ketë ditë në mëngjes rrihen
njerzit dhe kafshët e shtëpís me nji degë qershije për të përfytyrue fuqín dhe
shndetin. Gjithashtu fëmijvet u lidhet në krah dhe në qafë nga nji pê tri
ngjyrash (pêni i Marsit) për t’i mprojtun nga smundjet e diellit. Ket pê e
përdorin edhe greko-vllahët e Macedonís.
12. Nji e kremte e vjetër prendverore âsht, mbas mêndimit t’êm, edhe
dita e Shën Gjergjit më 23 Prill të kalendarit të vjetër. Në ketë ditë âsht
zakon në verín e Shqipnís dhe në Maqedoní me përdorë Helleborus odorosus, qi
shqip quhet shpêndër, shpëntër dhe në greqishten e ré skarfé. Edhe pr’anë Aromunvet kjo ditë âsht
nji e kremte gzimi për ringjalljen e natyrës. Muslimanët e lindjes në ketë ditë
kremtojnë Babà Edrelén.
13. Në viset
malcore Shqiptare, zakonet e vjetra janë ruejtun mâ së miri. Katundi Zavalín në
Shpat (Prefekturë e Elbasanit), kremton me 20 Korrik pajtorin e vet Shën Illín.
Ky përftyrohet i hypun në nji kál të bardhë në qiell dhe lshon rrufé mbi
kulshedrën. Në fillim zbriste nga qielli nji kapruell si flî; tash i flijohet
Shêjtit nji ká. Edhe në Sërbín lindore dhe në Bulgarí Shën Illija kundrohet si
lshuesi i bumbullimës.
Zoti i stuhivet, në verín e Shqipnís, âsht
Shurdhi, të cilin Baron Nopcsa e lidhë me pjesën e dytë t’êmnit thrak të
Perendís së stuhivet Zibelthiurdos. Kso dore jeton endé sot në Shqipní
Perendija indogermane i bumbullimës dhe i vetimës. Edhe fjala shqipe Perendí i
përket gjinís s’êmnavet indo-germanë të perendivet të stuhivet; në hindishten e
vjetër quhet parjangas, lituanisht perkunas, galisht cernunnos, slavishte e
vjetër perunë, greqisht keraunos.
14. Pjesa katholike e veriut të Shqipnís dhe Valishi në Shpat
kremtojnë më 29 Korrik Shëna Prêndën.
Si pas Lambertz-it kjo âsht Zoja e bukurís. Në ketë ditë grát shqiptare të
veriut lyhen e zbukurohen, dhe secila merr nji havan dhe e vên në krye. Kto
zakone ashtu edhe êmni i kësaj dite e Premte ase e Prênde, na tregojnë ketë
Zojë si Perendeshën e vjetër pagane të bukuris. Në Seltë (Shpat) âsht zakoni me
i bâ fli Shën Marís më 15 Gusht nji lopë. Në Kavajë dhe në Tiranë grát e
shtërpa të çdo besimi kanë zakon me shkue me u lá në bregun e detit të Durrsit.
Në qoftë se tallazi bjen mbi ’to, atëherë ata bâhen të frytshme. Në ket zakon
unë shof nji nderim të Perendeshës së plleshmenis dhe e lidhi Shën Marín me
Zojën e vjetër lindore të plleshmenís dhe të dashunís. Të bâmunit e frytmenís
me ânën e tallazevet të detit na kujton lindjen e Afërditës nga shkumba e
detit. Në Pastresh (Shpat) kremtohet Shën Martini si mprojtës i barijvet dhe i
grigjës kundër ujqvet. Në Llëngë (afër
Pogradecit) nderohet pr’anë Shqiptarvet dhe Aromunvet Shën Marena, e cila kur
âsht hâna e plotë duket me flokë deri në fund të kâmbvet. Ksodore ruhet besimi
i vjetër pagan i mshefun në nderimin e Shêjtënvet dhe të Pajtorvet të ndryshëm.
Në të tilla ditë bâhen flij të ndryshme edhe prej Priftënvet.
Nji element i randsishëm i zakoneve dhe i dokevet të Shqiptarvet
âsht njisija balkanike. Kjo qëndron n’influencën e ndryshme të popujvet të
Balkanit. Këto influenca janë ma të mdhaja atje, ku mënyra e jetesës së dy
popujvet âsht e njinjishme.
15. Kshtu barijt
Aromunë të Shqipnís dhe t’Epirit dhe sidomos Frashërotët kanë marrë shum gjâna
prej Shqiptarvet. Pr’anë këtyne na gjejmë
zakone të njinjishme sofre, martese, êmna rrobesh dhe frisure: kshtu barijt e
të dy popujvet kanë zakon me i pré flokët në trajtë kunore, si ç’kam muejtë me
i vû ré vetë në jugun e Shqipnis.
16. Nji krahasim populluer kujtoj unë se mund të bâhet ndërmjet fjalës
shqipe të bardhat me aromunishten albile
(albus latinisht do me thânë i bardhë).
17. Zakoni i vllazënve kryq (frati di kruci) eksiston dhe ushtrohet
prej Aromunvet ndërmjet vedit ase edhe me
Shqiptarë të Krishtenë apo edhe me Muslimanë. Ket zakon e shof edhe pr’anë
Grekvet të rij me të njajtin formim gjuhe: stavradelfos dhe adelfopojetos. Në
jugun e Shqipnís vllau-kryq quhet vëllam; dhe në Gjinokastrë ka edhe motër-kryq
dhe quhet motërm. Në verín e Shqipnís vllau-kryq quhet probatín qi âsht fjalë
slavishte. Ceremonija e ktij zakoni qëndron në të pimunit e gjakut ndërmjet
shoqi-shoqit.
18. Duhet të theksojmë edhe disa zakone baritore të përbashkëta të
popujve të Balkanit. Shqiptarët,
Aromunët e Shqipnís dhe t’Olympit, ashtu edhe Bosnjakët dhe Hercegovinasit
kanë nji zakon të përbashkët paralajmimi i ngjarjevet t’ardhëshme tue shikue
shporin e qingjit apo të pulës. Në ket zakon, mbas mendimit t’im, ká nji lidhje
genetike: ndoshta ky zakon barituer âsht trashigue nga popujt e vjetër të
Gadishullit Balkan.
19. Po kjo gjâ âsht për t’u theksue edhe në lojën e eshtnave pr’anë Rumenvet, Slavëvet dhe Shqiptarvet; kta të
fundit në jug e quejnë këtê lojë kokalli. Arti i tatuazhit âsht i përbashkët
ndërmjet të Shqiptarve, Arumunvet dhe Katholikvet të Bosnës; ky zakon ká qenë
edhe pr’anë Thrakasvet.
20. Po kso dore gjinden edhe teprica t’influencës slave në kalendarin
e të kremteve shqiptare; Kshtu
Shqiptarët dhe Arumunët e Elbasanit e përshndesin vjetin e vjetër me fjalën
sara godina.