Manastiri i Llëngës në rrethin e Pogradecit i është kushtuar Shën Marenës.
Rreth viteve 1750 fshati Llëngë ka pasur 10000 banorë, të cilët kanë kontribuar
në ndërtimin e manastirit. Banorët e Llëngës janë arumunë dhe kanë pasur lidhje
me banorët e Voskopojës.
Manastiri zë një
sipërfaqe të madhe toke, e cila fillon nga livadhet e Mujazeve. Kisha mendohet
se është ndërtuar në vitin 1660 dhe është rindërtuar më 1754.
Kisha është e stilit bazilikë njënefëshe me
përmasa 11.85 x 6.75 metra. Kisha është e pikturuar me afreske, ku më i
spikaturi është ai që i kushtohet martirizimit të Shën Marenës. Afresket janë
pikturuar në vitin 1754 nga Kostandin Shpataraku.
Mbi portën
perëndimore të naosit brenda kishës është shkruar: “U pikturua ky tempull
hyjnor dhe i gjithnderuar i dëshmores së madhe të Krishtit, shën Marinës, me
ndihmën e të gjithë të krishterëve, të esnafëve, të mjeshtërve, të
rrobaqepësve, të kasapëve dhe të karvaneve të vegjël e të mëdhenj, që gjenden
në qytetin Llëngë, me përpjekjet dhe shpenzimet e të shumëdevotshmit prift
Gerasimit dhe mbikqyrsit të këtij manastiri të shenjtë, me kujdesin dhe
kontributin e të shumëndershmit, kryetarit Gjergj Nikollë Manit, së bashku me
pleqtë që e pasonin atë, emrat e të cilëve së bashku dhe të peshkopit dhe të
priftërinjve gjenden në tempullin hyjnor të shën Gjergjit, në mes të qytetit,
si të ekspozuara për ata që do ti lexojnë. U përfundua në vitin prej Krishtit
1754, muaji tetor 2”.
Me anën e një
mbishkrimi tjetër mësojmë së kunga e kishës është pikturuar me shpenzimet e
Kostë Nirrës: “Kjo kungë hyjnore dhe e hirshme e pikturuar me shpenzimet e
Kostës, birit të Mark Nirrës, për shpëtimin e shpirtit të tij dhe të
prindërve”.
Mbishkrimi është
shkruar me dorën e Kostandin Shpatarakut dhe gjendet në faqen e murit lindor,
mbi nikën e prothesit.
Në portën perëndimore
të narteksit të kishës është shkruar: “Do të hyj në shtëpinë tënde, do të
adhuroj në kishën e shenjtëruar tënden, me frikën tënde, zot, më hiq udhën në
drejtësinë tënde për punë të armiqve të mi. Drejto përpara teje udhën time”.
Gjithashtu
peneli i Kostandin Shpatarakut ka pikturuar një pjesë të ikonave që gjenden në
ikonostasin e kishës. Këtë fakt e
vërteton mbishkrimi që gjendet në ikonën e madhe të Krishtit në ikonostasin e
kishës: “Prej Krishtit 1755, dora e jerodhiakon Kostandinit”.
Gjithashtu ikonografi Shpataraku në ikonën e
Shën Thanasit ka lënë këtë mbishkrim: “Lutje e shërbëtorit të Perëndisë Gjergj
Manit”.
Mbi gurin arkitra të portës jugore të kishës
gjendet një mbishkrim, i cili tregon kohën e ndërtimit të strehës së hajatit
jugor: “E ndërtoi at Sotiri (Ropa) 1832”.
E kremtja e Shën
Marenës është më 17 korrik, por me kalendarin e vjetër i bie që të festohet më
30 korrik.
Në panairin që zhvillohet me këtë rast vijnë
shumë besimtarë, kryesisht njerëz që kanë probleme shëndetësore dhe kalojnë
natën në kishë me besimin që Shën Marena do t’u japë shërim.
Në pjesën perëndimore
të kishës ndodhet një burim me ujë të kthjellët, me të cilin besimtarët lajnë
fytyrën dhe mbushin shishe me ajazëm, ndërsa në pjesën juglindore të manastirit
gjendet shpella e Shën Marenës.
Klerikët që kanë
shërbyer në kishën e Shën Marenës kanë qenë vendas nga fshati Llëngë: papa
Jorgji, papa Kostandin Kokoneshi, papa Qirill Gegprifti, atë Dhimitër Kokoneshi
etj.
Mbrapa kishës gjenden
konakët e vjetër të manastirit. Me prishjen e kishave në vitin 1967 në mjediset
e manastirit u vendos një repart ushtarak dhe vite më vonë zyrat e ndërmarrjes
pyjore.