Zanafilla e Himnit kombëtar shqiptar në Bukuresht të Rumanisë
Rrëfime nga Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli, se si u krijua kënga në mënyrë rastësore nga anëtarët e shoqërisë “Bashkimi”, frymëzimi i Asdrenit për tekstin, këndimi për herë të parë i himnit në kishën “ Shën Gjergji i vjetër” në Bukuresht
Historia e plotë e Himnit shqiptar nga lindja deri sot*
Në kuadrin e 106-vjetorit të Ditës së Pavarësisë, 28 Nëntorit e cila emërtohet nga të gjithë shqiptarët pa diskutim si Dita e Flamurit, natyrshëm redaksia e gazetës “Telegraf” sjell për lexuesit historinë e plotë të Himnit shqiptar nga lindja e tij deri më sot. Një histori që mbart në vetvete mrekullinë dhe pushtetin e artit apo siç do ta quante Konica i madh “The sweet power of music”( Pushteti i ëmbël të muzikës), Kryekëngë që në momente kyçe ka ngritur peshë zemrat e shqiptarëve kudo që ata ndodheshin brenda kufijve shtetërorë, në trojet e tyre amtare në Ballkan apo në Diasporë. Me tingujt dhe fjalët e zjarrta të këtij himni, kësaj Kryekënge, ngritur mbi tekstin e Asdrenit “Betimi mbi flamur” janë shoqëruar çaste tepër të rëndësishme për fatet e Kombit, e shtetit amë dhe mbarë etnisë shqiptare.
“KRYEKËNGA E KOMBIT”, 100 vjet me Himnin e Flamurit
(Historia e shkruar me gjak dhe zemër zjarri e Himnit tonë kombëtar)
Skenari dhe regjia; Petrit RUKA
Producent: Piro MILKANI
Në historinë e gjerë të shqiptarizmit që po përgatiste themelet e pavarësisë së Kombit shqiptar, kolonia e Bukureshtit mbetet e para dhe më e ndritura flakë e shpirtit të patriotizmit sonë më të kulluar. Bukureshti në atë kohë ishte kryeqyteti shqiptar i mërgimit, qyteti ku lindi Himni Shqiptar. Për historinë e Kryekëngës ka qindra e mijëra faqe, nëpër të cilat mund të ngatërrohesh si mos më keq, sikur të mos kishin lënë, të parët fare, dëshmitë e tyre, dy nga anëtarët e kësaj kolonie, dy nga mendjet më të ndritura të letërsisë shqiptare Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Të dy u mbrujtën atje me zjarrin e tyre të shenjtë të shqiptarizmit, njihnin frymë për frymë tërë atë grusht burrash që bënë historinë e madhe, ishin miq të ngushtë e bij në shpirt të Asdrenit. Të dy kishin thithur pluhurin e Kishës Shën Gjergji i Vjetër. Të dy i kishin dëgjuar prej gojës së themeltarëve historitë e lindjes së Himnit. Nuk kishin kaluar më shumë se dhjetë vjet që nga ato ditë të bekuara dhe Lasgushi i ri ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Më 1943, i bindur se historinë e Himnit, këtë thesar të paçmuar të Kombit duhet t’ua linte deri në detaje shqiptarëve, ai ulet e shkruan dhe po këtë vit e botoi në 14 numra të fletores “Tomorri”. Shkrimi titullohet “Himni Kombëtar ‘flamurit pranë të bashkuar’ dhe gjeneza e tij.”
“Himni i Flamurit u lind në Bukuresht. U lind jo si himn po
si këngë. Vetë populli shqipëtar e njojti më vonë për himn. Pa ditur
qysh, në një kohë të shkurtër, kënga e bërë vetëm për anëtarët e
“Bashkimit” u përhap në gjithë Kolloninë e Bukureshtit. Disa të rinj që
vajtmë në Korçë e shpumë dhe atje”… Mitrush Kuteli
Ata u nisën me një flakë e me një mall mu në zemër. Dy emigrantë të thjeshtë anonimë që nuk u dihet emri, një gjuhë e një racë, një gjak e një flamur të kuq si gjaku i tyre…. Ec e ec përmes Ballkanit dhe Shqipërisë me ngarkesën më të çmuar kombëtare që ka hyrë ndonjëherë në trojet e Arbërit. ”
“Kush ishin vallë?! Ç’muaj ishte? Asgjë nga këto nuk dimë. Por dimë
që Ata po binin një këngë që do të bëhej nesër Himni i Atdheut. Kështu u
kishin thënë shokët në Bukuresht. Ky do të jetë Himni i Shqipërisë kur
të bëhemi shtet. Ishin dy burra të rinj që nxirrnin bukën e gojës me
punë krahu, larg Shqipërisë. Shokët u patën thënë ta çonin Këngën e tyre
në atdhe e ata ishin mallëngjyer. Çojeni në shtëpitë tuaja, mësojuani
shokëve, çojuani djemve që kanë dalë komitë në male, shpjerjeni deri ku
te mundeni…
“Ata ishin ca djem që e çuan deri në atdhe -shkruan Mitrushi. –Ca djem që kishin bërë shkollën e shqiptarizmës në Kolloninë e Bukureshtit”.
Të dy shkrimtarët e mëdhenj e shkruajnë fjalën Koloni me ll- ë të
fortë, a thua se duan të mos e humbasin fuqinë e fjalën “kollonë”, që të
kujton gurin…
Historia e Kolonisë shqiptare të Bukureshtit, me emrin “Bashkimi”, që aso kohe ishte kryeqyteti shpirtëror shqiptar i mërgimit ka një histori të gjatë e të pafundme. Ndihma e shtetit rumun ndaj saj ishte e çmuar dhe jetike. Për çudinë e kronikave të përgjakura të Ballkanit, midis popullit shqiptar dhe atij rumun nuk ishte derdhur në shekuj asnjë pikë gjaku. Përkundrazi vllahet apo rumunët që jetonin në trevat shqiptare kishin ndërtuar me vendasit një bashkëjetesë të shkëlqyer vëllazërimi, duke arritur deri tek Akademia e famshme e Voskopojës. Kjo ishte arsyeja, pse mijëra shqiptarë ishin derdhur si emigrantë në Rumaninë e çliruar si në një oaz shpëtimi dhe po lindnin aty frymën e Shqipërisë së lirë. Më 1897 kjo shoqëri kishte kërkuar hapur nga Stambolli autonominë e Shqipërisë, kish botuar libra e gazeta dhe 12.000 abetare. Metropolia Rumune jep leje të meshohet shqip ne vitin 1907, në Kishën Shën Gjergji i Vjetër. Midis qindra akteve të mëdha kombëtare, më 1907 ajo themelon në Bukuresht edhe Korin Kishtar Shqiptar me 30 të rinj. Në kor bënte pjesë edhe poeti i kolonisë, Asdreni. Ky kor do ta këndojë për herë të parë Himnin Kombëtar Shqiptar.
Festa më e madhe e Kolonisë dhe kishës shqipe të Bukureshtit ishte 28
Nëntori: Dita e Flamurit dhe Shën Gjergji: Emri i Gjergj Kastriotit.
“Këto kremtime bëheshin me bujën dhe madhështinë më të madhe, shkruan poeti Lasgush Poradeci, duke
ftuar në Seli të Kolonisë dhe në kishë autoritetet dhe personalitetet
më të larta të vëndit, me mbretin në krye të të gjithëve. Kisha qe e
mbushur përplot, dhe tri të katërtat e të pranishmëve rrinin nga mungesa
e vëndit jashtë në oborr, Aty jashtë në oborr, më të djathtën e hyrjes
kryesore të Kishës qëndronte i vendosur me shkëlqim flamuri i Kollonisë,
i cili ishte më i madhi dhe më i bukuri nga gjithë flamuret e shoqërive
dhe organizatave të Bukureshtit që kishin flamur. Flamuri i Kolonisë
shqiptare ishte shumë i rëndë dhe nga ky shkak e mbanin përherë dy veta,
njëri tosk, tjetri gegë, të mveshur secili burrërisht me rrobet e tyre
kombëtare. Dhe pas Te-deumit të shërbyer në gjuhën e ëmbël nënore,
vinte fjalimi prej veteranit të madh Thanas Kantili, të zjarrtit, të
flaktit, të djegurit dhe të zhuriturit luftëtar të Kolonisë në Rumani.
Ky me gjithë natyrën e tij zakonisht hijerëndë, kur fliste në kishë në
këto festa kombëtare nuk e përmbante dot veten nga mallëngjimi gjer në
mbarim të fjalës, po i shpërthenin lotët mu në mes, duke e përfunduar
pastaj me fjalët e papritura: Rrofsh moj rrofsh! Ti do të rrosh e do të
jesh moj Shqipëri!”
Lasgushi ngul këmbë se himni lindi fare rastësishëm si një këngë. Ai
betohet se ia ka treguar këtë çast me gojën e tij Dhimitër Kristesku,
nga Drenova, bashkëkohës i Asdrenit, që jetoi në Rumani. Shoqëria
“Bashkimi” e kolonisë së Bukureshtit, me qendër në atë kohë në rrugën
Izvor 16, kish organizuar një kor kishëtar shqip për të luftuar
propagandën greke. Kori udhëhiqej nga profesori rumun Kiriak, i cili më
pas, duke pasur shumë punë me korin e tij të shoqërisë “Karmen”, ia la
në dorë drejtimin 25-vjeçarit Jonesku. Ky i fundit, përveç këngëve
shqipe, i jepte korit për të mësuar edhe këngë popullore e marshe si dhe
një marsh patriotik të Ciprian Porumbeskut.
Ndonjë e ka quajtur si fanitje poetike të Poradecit çastin si lindi kjo këngë.
Por poetët e mëdhenj nuk lajthisin kurrë, Dhe duke u nisur nga poeti, duhet të ketë ndodhur pak a shumë kështu…
Një ditë aty nga fundi i vitit 1907, u mblodhën si zakonisht. Sa
ishte data e asaj dite të bekuar? Këtë nuk e dimë….po ka mundësi që ish
dita për Shën Gjergjin e Vjetër, që për ta ish Gjergj Skënderbeu.
Mbase qe data e 28 Nëntorit, kori i kishës me gjithë ata djem korçarë
pasi kënduan disa këngë patriotike u dehën krejtësisht prej marshit
rumun që u nxirrte ashk prej zemrës. Dihet që kënga të ndez, të derdh
zjarr në damarë, është më i forti narkotik që ka krijuar natyra për
zemrën e mallëngjyer. Djemtë u skuqën në fytyrë duke thirrur në grup
“Pe al nostru steag” – Mbi flamurin tonë…
Salla u nxeh aq shumë sa dukej sikur nuk i merrte më, sikur do t’i zinte
brenda. Atëherë të gjithë filluan të këndonin në rumanisht marshin e
njohur të Ciprian Porumbeskut. Dhe ata u derdhën jashtë në rrugën Calea
Victorei duke kënduar… Mbi flamurin tonë le të betohemi, – këndoi dikush
në shqip… Të tjerët ia dhanë pas tij në mënyrën e tyre, “Të vdesim duke
luftuar” ia priti i dyti. Filluan ta këndonin shqip. Kalimtarët
qëndruan të habitur mbi trotuare. Po dëgjonin një melodi të tyre në një
gjuhë të huaj. Përkthente zemra. Aty për aty. Midis tyre ishte edhe
Asdreni me sy të përlotur. Këndonte edhe ai bashkë me ta. Poeti po
habitej se si po i nakatosnin në shqip shokët e tij fjalët e marshit
rumun ashtu siç ua donte shpirti. Askush nuk mendonte se po bënin një
akt të shenjtë, po lindnin Himnin e Shqipërisë. Për ta ishte thjesht një
këngë dhe kaq. Aty për aty i kërkuan Asdrenit t’u bënte atyre një tekst
në shqip. Poeti e kishte gati përkthimin, ata sa po e kishin kthyer
vetë në shqip. Dhe ai ua bëri këngën e madhe. E titulloi “Betimi mbi flamur”
Ja, kjo është rruga ku lindi një ditë Himni ynë…Në faqet e këtyre ndërtesave u përplasën shqip fjalët e para. Mbase është ende këtu në rrugën Calea Victoriei të Bukureshtit i incizuar zëri i tyre i bekuar, zëri i Tashkos, i Dhanilit e i Dhimitër Zografit, i Llambi Miçes, i Kristo Mborjes, i Dhimitri Koneas, Arhimandrit Harallambi Çallamani, me rrobën e priftërisë që u printe përpara dhe i vetë Asdrenit. Pastaj edhe i qindra burrave të tjerë. Sikur të kishim një magnetofon magjik e ta dëgjonim sot pas 100 vjetësh. Ashtu siç ish: I zjarrtë, i dehur, i kënduar si asnjëherë tjetër… Por nuk e kemi. E megjithatë duket sikur e dëgjojmë edhe sot, …këtu, …në këtë rrugë….
Të njëjtën gjë pohon Mitrush Kuteli në shënime me rastin e Ditës së
Flamurit, botuar në “Shqipëria e Re”, nr. 572, Konstancë, 28 Nëntor
1934)
“Himni i Flamurit u lind në Bukuresht. U lind jo si himn po
si këngë. Vetë populli shqipëtar e njojti më vonë për himn. Ja se qysh e
ja se si: Më 1908 Shoqëria “Bashkimi” e kollonisë së Bukureshtit, me
qendër në atë kohë në rrugën Izvor 16, kish organizuar një kor kishëtar
shqip për të luftuar propagandën greke. Në atë kohë këndohej në Rumani
an’e mb’anë kënga e Ciprian Porumbeskos “Pe al nostru steag” (“Mi
flamurin tonë”). Disa prej tyre iu drejtuan poetit Asdren dyke iu lutur
t’iu bëjë një këngë pas këngës të tij, që t’a këndojnë në rrethin e
tyre. Sukses i plotë! Pa ditur qysh, në një kohë të shkurtër, kënga e
bërë vetëm për anëtarët e “Bashkimit” u përhap në gjithë Kolloninë e
Bukureshtit. Disa të rinj që vajtnë në Korçë e shpumë dhe atje.” “Sa
djem e sa dëshmorë ka frymëzuar Himni i Flamurit. Populli dhe bijtë e
tij nuk pyeteshin që ku vinte kënga. Ata ishin të drejtuar prej fjalëve
ideal, liri e flamur dhe nuk kërkonin “origjinalet” me qiri si kërkojnë
epigonët e kësaj dite. Kësilloj u lind e kësilloj u përhap “Himni i
Flamurit.”
Ciprian Porumbesku është një nga kompozitorët më të shquar rumun, i
lindur në Moldavi më 1853. Shkoi për studime në kryeqytetin e
ish-perandorisë austro-hungareze, në Vjenë. Ka kompozuar mbi 250 këngë
dhe operën e parë rumune “Hëna e re.” Kur ishte ende student kompozoi
për një grup koral të studentëve të shoqatës “Rumania e Re”, këngën:
“Pe-al nosru steag”, që ushtroi një ndikim të madh gjatë përpjekjeve të
popullit rumun për pavarësi. Kjo këngë patriotike u kompozua, më 1880,
kur Porumbescu studionte aso kohe në Konservatorium “Für Musik und
darstellende Kunst”, madje dhe u këndua atje si pjesë e programit të
mbarimit të studimeve të tij më 1881. Vdiq fare i ri në moshën 30
vjeçare, më 1883, në një çmendinë nga një sëmundje psikike. Sipas
Profesor Ramadan Sokolit po të kërkojmë burimin e motivit të këtij
himni, mund të gjendet shumë më larg, ndër disa balada kalorsiake të
hershme, ndër disa këngë të punës si dhe ndër disa këngë patriotike
gjermane. Mund ta gjesh gjithashtu në disa këngë punëtorësh të traditës
çekosllavake. Një motiv i huaj mund të shfrytëzohet me dashje, por mund
të ndodhë e anasjella. Të kujtosh se ke krijuar diçka të re. Edhe
kompozitori i shquar bashkëkohor George Ligetti- shkruan. Prof. Vaso
Tole, -konstaton me të drejtë ngarkesën edhe origjinën internacionale të
parakrijimit të Himnit Shqiptar të Flamurit. Pohimi i kësaj të dhëne
është me rëndësi jo vetëm për faktin se krijimi i himnit tonë në
pikëpamje muzikore ishte drejtuar për nga orientimit të përgjithshëm
perëndimor, por dhe se në këtë mënyrë nuk ka arsye që ende të citohet
Porumbescu si krijues i tij. Kur Asdreni lexoi përpara shoqërisë së
Bukureshtit fjalët e poezisë së tij “Betimi mbi flamur” që do ta botonte
më vonë, në librin e tij, më 1912, sytë e të gjithëve u mbushën me lot.
Kori buçiti brenda në kishë dhe drodhi altarin. Zemrat e çirakëvë,
muratorëve, tregtarëve, rrobaqepësve emigrantë ishin plot me Shqipëri.
Ishte e vërtetë që poeti ishte mbështetur mbi fjalët e këngës që kish
shkruar Bârsanu, por adaptimi është aq i lirë dhe origjinal sa që mund
të quhet një krijim tërësisht i tij.
Të dy poezitë kanë ngjashmëri vetëm në motivin e tyre. Le t’i krahasojmë:
Në disa strofa, përveç një kuptimësie të përafërt, Asdreni nuk ka tek
poezia e tij shprehje dhe figura të përbashkëta si për një adaptim, por
një rikrijim krejt të lirshëm. Vargjet janë thellësisht shqip në
tingëllimin e tyre, me gjuhën e prerë, më të drejtpërdrejtë dhe më
luftarake. Në se në strofën e fundit poeti rumun thotë që, në librin e
përjetësisë është shkruar se shumë kombet do të humbasin, Asdreni nuk lë
asnjë dyshim dhe vë Zotin vetë të flasë e të thotë që, Shqipëria do të
rrojë. Barseanu-s i mungojnë krejtësisht fjalët: atdhe, dëshmor, shpëtim, armë. burrë, armik, tradhtar, Zot, dhe mbi të gjitha fjala, besë.
“Siç shihet, tërë shpirti, ritmi dhe muzikaliteti i gjuhës janë të tilla sa e bëjnë këtë këngë etnikisht krejt të pastër”, thotë Lasgushi.
Nuk ka ndonjë dëshmi se sa ditë zgjati ajo rrugë?! Ata udhëtuan me tren, pajtone, karroca, hipur mbi kuaj. Çfarë ndodhi me melodinë e himnit prej atyre të dyve?! Ku ndodhi devijimi i parë, në cilën fushëtirë, grykëmali, a bokërrimë?! Ku lëvizi masa e parë muzikore? Pas cilës gjendje shpirtërore dy – tri notat e para humbën formën e tyre të parë, ritmi u bë më i thekshëm, refreni u ngrit edhe një ton më lart?! Ndryshe nga himnet e gjithë kombeve të tjera, shqiptarët patën bërë një zgjedhje origjinale. Të gjitha himnet që njihen, që nga ai; i Apolonit, 138 vjet para Krishtit e deri më sot u kushtohen perëndive, idhujve, mbretërve, kombit… Po me himnin tonë ishte prishur një rregull i moçëm. Kishte ndodhur një gjë e paparë, një çudi unike. Në asnjë vend tjetër të botës nuk gjendet një himn kombëtar t’i kushtohet po një simboli tjetër kombëtar, flamurit, dhe të dy së bashku t’i kushtohen Atdheut. Të dy simbolet ishin bashkuar, nuk kishin nge të ecnin veç e veç drejt Vlorës për të bërë Atdheun e munguar prej qindra vjetësh. Shqiptarët i kishin bërë bashkë, i kishin ngjitur të dy simbolet në një, a thua se ndjenin frikën shekullore për të mos ua shkulur dot kurrë. Nëse prekej njeri, prekej vetvetiu edhe tjetra. Kënga i kërkonte vëllazëri Flamurit si vëllait më të madh dhe e kundërta, Flamuri kërkonte frymën e motrës për ditë të zeza e të bardha. Shtegtimi i motiveve muzikore nga një vend tjetër është një gjë tërësisht logjike dhe normale në tërë botën. Shtegtojnë dhe rrugës marrin ngjyrën e shpirtit që i rrok. Ashtu si uji që merr formën dhe ngjyrën e brigjeve ku rrjedh, ashtu si era që këndon ndryshe pas çdo zgavre e pas çdo çatie. E aq më shumë një këngë që ish nisur si Kryekëngë drejt e në zemrën e një kombi. E aq më shumë drejt një populli me shpirt aq rebel si ai i shqiptarëve.