Shqip Română
Histori

Mbi gjuhën e zhdukun vllahe (cincare) në Kosovë

Mbi gjuhën e zhdukun vllahe (cincare) në Kosovë

MBI GJUHËN E ZHDUKUN VLLAHE (CINCARE) NË KOSOVË

Nga Col Mehmeti.


Hera e fundit kur në Kosovë u fol vllahisht duhet me qenë koha para Luftës së Dytë Botnore, nashta para nja 90 e kusur vjete.


Deri atëherë si gjuhë shpije, e shpesh edhe si kriptolekt (e folme sekrete), në Prizren, Ferizaj e Lipjan janë ndigjue shprehje përshëndetëse si “Bunã dimneatsã” (Mirëmëngjes), “Bună ziua” (Tungjatjeta), “Cum eshti?” (Si je?),  “Haristo multu” (Falemnderit shumë), ““Ti mults an!” (Rrnofsh), etj.


Historia e bashkësive vllehe në Kosovë âsht komplekse dhe jo e lehtë me i ra në fije: tjetër gjâ janë latinishtfolësit e moçëm që dëshmohen qysh në vitin 1198 në anë të Prizrenit, e tjetër gjâ ardhësit relativisht të vonë nga Voskopoja.


Të parët përpos në ndonji relik toponimi nuk kanë mbijetue, tu u shkri në masën shqiptare; por të dytët, me prejardhje voskopojare, janë ata që kanë prodhue dinamika të reja sociale e ekonomike.


Kur Voskopoja dha shpirt nën zullumin e Ali Pashë Tepelenës, vllehët e atjeshëm migruen nji pjesë në Maqedoni (ku themeluen Krushevën), e nji pjesë edhe në Prizren e ma vonë në Ferizaj e Lipjan. 


Tu qenë komunitet ndërmarrës e me afinitete zejtare, familja e Rrotullave në Prizren e nxiti vendosjen e tyne në qytet—nga ajo kohë e tutje peizazhi urban u pasunue me biznese të reja artizanale. Prej Shkodre deri në Prishtinë, vllehët, ose “gogët” qysh i quejti shumica shqiptare, u bânën inaguruesit e hoteleve të para në këto hapësina primitive osmane. Cili udhëpërshkrues nuk e kujton hotelin e vllaznive Toshli në Shkodër ose bujtinat cincare në Shtime e Caralevë qysh i pa me sytë e tij Nopça?


Se sa punëtorë ishin vllehët voskopojarë e kallxon ma së miri shprehja e shkijeve “radi kao goga” (punon si gogë/vllah), si kompliment ndaj dikujt që âsht i vyem e punëtor.


Afërmendsh që vllehët e ardhun nga jugu, pos gjuhës së tyne, ishin konverzant edhe në shqipen toske. Mbase tu qenë tradicionalisht të lidhun me Patriarkanën greke, pra tu e ndjesue njifarë superioriteti, ata kujtohen për antipatinë e sherret e shumta me shkijet e Prizrenit.


Me 1836, vllehët e marrin në zotnim kishën e Shën Spasit, poshtë kalasë së Prizrenit, tu e meremetue e përshtat për nevojat e tyne. Urrejtja mbërrin deri atje sa në vitet 1860 vllehët dëbojnë shkijet nga kisha, aq sa këtyne të fundit iu del në krah konsulli rus, Jastebov. Për pak kohë vllehët e drejtojnë edhe manastirin ortodoks të Shën Trinisë në Mushtisht. Nga inati shkijet nuk patën çka me bâ pos me e krijue shprehjen defamatore "Goga nema boga" (Goga nuk ka zot).????


Kudo në Kosovë ata nuk bân kompromis dhe nuk iu dorëzuen ortodoksisë pravosllave; andaj kurrë nuk e njohën Shën Savën, por vazhduen me traditat epirote të shenjtorëve si Shën Thanasi, Shën Haralambi, Shën Stiliani, Shën Minai, etj. Por, në Serbinë e Miloš Obrenović-it vllehët janë dënue me gjoba të randa për mosnjohjen e kanoneve pravosllave. Kur E. Leari erdh në Prizren, ai u habit sesi ortodoksët e qytetit (fjala duhet të jetë për vlleh) kërkonin bibla në shqip—pra, ata ma fort prireshin për shqipen sesa për greqishten a serbishten.


Vllahishtja (ose cincarishtja) e Kosovës, sidomos kjo e  të ardhunve nga jugu, nuk ka mbijetue dhe nuk kemi thuejse as edhe nji kampion leksikor a idiomatik. Se qysh ka tingëllue e folmja vllahe (ose arumune) mjafton me e ndigjue artistin e ndjerë vlleh nga Maqedonia, Toše Proeski tu e interpretue kangën “N’veasta Jilosa” (Nusja e pikëllueme). 


Në popull ka mbijetue ndonji shprehje për thmi si ajo “elem belem belbasija…”


Sot mbasardhësit e këtyne vllehëve në pjesën ma të madhe janë shqiptarë krenarë e vetëm tek-tuk janë serbizue si pasojë e mospasjes së nji kishe tamam të tyne. Kjo bâni që serbishtja me depërtue në të folmen e tyne—nji tablo interesante e fotografon Mitrush Kuteli kur e bâni nji reportazh për Prizrenin e 1943-s. Nji nânë para djalit të saj të vdekun vajtonte me të madhe: “Sino! Biro!” (E para fjalë serbisht, e dyta shqip).

VIDEO

Postime të Ngjashme