Shqip Română
Kultura

"Mirëbërësi i madh nga Bukureshti i kryeveprës së arkitekturës gotike në Shqipëri"

"Mirëbërësi i madh nga Bukureshti i kryeveprës së arkitekturës gotike në Shqipëri"

Arkitektura gotike dhe neogotike është pak e përfaqësuar në vendin tonë. Të pakta janë rastet e katedraleve të këtij stili arkitektonik në Shqipëri.

 

Mes tyre interes të veçantë shfaq ish-katedralja e Shën Gjergjit në qytetin e Korçës. Elementët dallues të këtij objekti kulti bëjnë që katedralen e Shën Gjergjit ta quajmë një kishë neogotike par excellence.

 

 Dy kullat prej guri, rozeta në pjesën ballore, lartësia e tavanit, harqet e brendshme dhe mënyra e depërtimit të dritës brenda në katedrale e vërtetojnë më së miri këtë ide.

 

Së pari, pranë kësaj kishe ka ekzistuar një varrezë e madhe, që shtrihej deri afër Bankës Kombëtare Tregëtare të qytetit të Korçës. Kjo varrezë është identifikuar që në kohën e luftës së II-të botërore, kur italianët ndërtuan këtu fortifikime ushtarake, por edhe në vitet 1950, kur filluan ndërtimet për pallatet e reja.

 

Varret ishin me drejtimin Lindje - Perëndim. Për këtë varrezë rreth kishës së Shën Gjergjit, nuk flet asnjë autor, as kodiku 400 vjeçar i Mitropolisë së Korçës e Selasforit, gjë që tregon se kjo varrezë ka ekzistuar përpara vendosjes osmane në Korçë.

 

Në vitin 1875, korçarët prishën kishën e vjetër të qytetit (e ndërtuar në mesjetën e hershme, rreth shek të XIII) dhe rrethuan me mure territorin mjaft të madh që zotëronte kjo kishë si pronë dhe e bënë gati për ndërtimin e katedrales së re mbi themelet e kishës së vjetër.

Mitropolia e Shenjtë e Korçës mblodhi ndihma, si dhe fonde nga pasuritë e saj dhe në vitin 1881 filloi të ndërtojë katedralen e re të qytetit.

 

Ndërtimi i katedrales përfundoi në vitin 1905 vit në të cilin dhe u inagurua. Mbi portën e brendëshme të këtij objekti ishte vendosur një pllakë e madhe në të cilën qenë shkruar emri i mirëbërësit dhe viti i ndërtimit të kësaj kishe. Anastas Lakçja i cili ndihmoi për ndërtimin e kësaj kishe vdiq në Bukuresht në vitin 1894.

 

Trupi i tij u balsamos dhe u soll në Korçë ku fillimisht u varros në një dhomë qeli me kupolë në avlli të kësaj kishe pranë portës kryesore, por më vonë kur avllia u prish dhe u bë me kangjella rrethimi i kishës, trupi i tij u vu në një qimitir afër murit të kishës në të djathtë. Ikonat dhe pikturat e kishës ishin bërë nga piktorët vendas nga Dardha, Hoçishti dhe Ziçishti.

 

Dy tërmetet, ai i vitit 1930 dhe ai i vitit 1960, do t’i dëmtonin katedrales vetëm këmbanaret e larta dhe pjesërisht kubenë e saj. Shkatërrimi përfundimtar i saj erdhi në vitin 1971 nga regjimi komunist.

 

Sa herë të mendoni për katedralen e Notre Dame në Paris, mos harroni të kujtoni edhe Notre Dame e Korçës, si një vepër e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore që fatkeqësisht sot mund ta shohim vetëm me anë të fotove të kohës.

GALERI FOTOGRAFISH

"Mirëbërësi i madh nga Bukureshti i kryeveprës së arkitekturës gotike në Shqipëri"
"Mirëbërësi i madh nga Bukureshti i kryeveprës së arkitekturës gotike në Shqipëri"
"Mirëbërësi i madh nga Bukureshti i kryeveprës së arkitekturës gotike në Shqipëri"

Postime të Ngjashme