Në veriun e Rumanisë, në zemër të Maramureshit, ndodhet një nga vendet më të pazakonta dhe më të veçanta të botës: "Varrezat Gazmore" të Sëpëncës (ro: Cimitirul Vesel din Săpânța). Në vend që të jetë një hapësirë e mbuluar nga hijet dhe trishtimi, kjo varrezë është një shpërthim ngjyrash, simboleve dhe epitafesh humoristike. Me mbi 800 kryqe të pikturuara në ngjyra të gjalla dhe me vargje satirike që përshkruajnë jetën e të ndjerëve, Sëpënca ka fituar famë ndërkombëtare si një destinacion ku arti popullor, filozofia e jetës dhe qasja e pazakontë ndaj vdekjes krijojnë një kulturë unike.
Kjo traditë e veçantë nisi në vitet 1930, falë mjeshtrit drurit Stan Ioan Pătraș. Ai e theu konvencionin klasik të varrezave dhe vendosi që çdo kryq të tregonte me humor historinë e jetës së personit të varrosur. Tekstet e tij nuk kursyen ironinë: aty gjen epitafe që përshkruajnë veset, zakonet apo edhe gabimet e të ndjerëve, shpesh me një ton të shkujdesur e satirik. Qëllimi nuk ishte tallja, por një mënyrë për të parë vdekjen si pjesë natyrale të jetës dhe për të ruajtur kujtimin me një buzëqeshje.
Estetika e "Varrezës Gazmore" është po aq e rëndësishme sa edhe teksti. Kryqet prej druri janë të pikturuara me motive popullore dhe ngjyra të forta: bluja e kaltër që përfaqëson qiellin dhe paqen, e kuqja që tregon dashurinë dhe jetën, jeshilja për natyrën, dhe të verdhën për energjinë. Figura të stilizuara tregojnë zanate, pasione apo momente kyçe nga jeta e personave - një album i hapur i historive njerëzore.
Kjo varrezë është sot jo vetëm një vend i kujtesës lokale, por edhe një simbol i universalitetit të kulturës. Ai tërheq mijëra turistë nga e gjithë bota, të cilët vijnë për të parë se si një komunitet i vogël rumun ka arritur ta kthejë vdekjen në një tregim të ngrohtë dhe shpesh humoristik. "Varrezat Gazmore" janë përfshirë në "tentative list" të UNESCO-s, duke u konsideruar një nga shembujt më origjinalë të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit.
Në një botë ku vdekja shpesh shihet me frikë dhe tabu, Sëpënca dhe Rumania sjell një perspektivë të re: kujtimi i të vdekurve mund të jetë i gëzueshëm, i sinqertë dhe i afërt. Është një mesazh që thotë se historia e çdo njeriu është më e vlefshme kur ruhet me dashuri dhe humor, duke e bërë këtë varrezë një testament të përhershëm të lidhjes mes jetës dhe artit popullor rumun.
Çfarë mesazhesh janë shkruar në kryqet shumëngjyrëshe të Varrezave Gazmore në Sëpënca
“Nën këtë kryq të rëndë shtrihet e shkreta vjehrra ime; edhe tre ditë po të jetonte më shumë, do të isha shtrirë unë dhe do të më lexonte ajo. Ju që kaloni këtej, përpiquni të mos e zgjoni, se po erdhi në shtëpi prapë do të më qortojë; por unë do të sillem kështu që ajo s’do të kthehet më mbrapsht. Rri këtu, e dashura vjehrra ime.”
“E dashura Ankuca, ki parasysh, ji e zgjuar, ji e urtë. Më sill në varr lule qindra e mijëra herë! E tani po ju lë të gjithëve, vëlla, motër e nipa! Ju lë të gjithëve me të mirë dhe mos më harroni!”
“Të djegtë zjarri, taksi, pse erdhe nga Sibiu; në gjithë Tokën Rumune nuk paskësh pasur vend të ndaleshe, veç pranë shtëpisë sonë, për të më goditur mua. Prindërit e mi të gjorë i bëre të vuajnë; për asgjë tjetër s’kanë kaq mall, sa kur të vdesë i biri i tyre. Nuk ka aq hidhërim kur vdes burri, por kur vdes gruaja e shtëpisë, prindërit, sa të rrojnë, për mua do të qajnë.”
“Sa kam jetuar në këtë botë, Pop Ion Poroncioc kam qenë. Sa kam qenë gjallë, kam dashur të jem njeri i ndershëm; një kopsht të bukur kam bërë dhe kam punuar shumë në të. Dy gra kam pasur dhe të dyjat më kanë pëlqyer. Katër fëmijë kam pasur dhe i kam rritur me mirësi. Ti, Marie, gruaja ime, të kam lënë të vejë. Marie, ti kujdesu dhe më vajto derisa të vish tek unë.”
“Sa kam jetuar në këtë botë, kam qenë një traktorist i mirë. Në fushë e në pyll, kam shërbyer gjithë botës. Vajza të dashura dhe biri im, ju kam ndihmuar shumë, por fat nuk pata t’ju ndihmoja më tepër, se vdekja nuk më la: më futi i ri në dhe.”
GALERI FOTOGRAFISH

