Shqip Română
Kultura

Letërkëmbimet e Dora D’Istrës me De Radën dhe Kamardën (Pjesa II)

 Letërkëmbimet e Dora D’Istrës me De Radën dhe Kamardën (Pjesa II)

Në parathënien e veprës së vet De Rada i referohet Motit të madh, pra metaforës me të cilën ai quajti periudhën historike kur u shfaqën ato virtyre “kombëtare” që do ta shtynin popullin shqiptar të ngrihej në luftë për çlirim kombëtar dhe pavarësi. Mesjeta e Skënderbeut, e heroit dhe e besimit të të parëve, e dashurive dhe e tragjedive, u bë jo vetëm epoka e idealizuar na romantikët arbëreshë, por edhe ideologjema që, nga viti 1836 kur De Rada botoi “Këngët e Milosaos”, do të kishte kushtëzuar dhe frymëzuar të gjithë prodhuesit arbëreshë të kulturës.  Në një tjetër aspekt është për t’u theksuar një e dhënë intertekstore që ka të bëjë me rrafshin kohor horizontal. Është fjala për marrëdhëniet mes këngëve të Milosaos dhe disa teksteve të autorëve bashkëkohës të tij si ato të Pushkinit, Lord Byron-it, Lamartine-it, Ugo Foscolo-s, në të cilat tekste ku më pak e ku më shumë, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë e ku tërthorazi, mund të vëmë re disa struktura që përbëjnë precedentin historik prej të cilit De Rada mori frymën e kohës së tij. Këngët e Milosaos jo më kot Ismail Kadare i quan të denja të maten me veprat e autorëve të sapopërmendur.

I ashtuquajturi fragmentarizëm që nga klasicistët fanatikë konsiderohej si shenjë dobësie e impiantit të tij stilistik, së fundmi ka nisur të rivlerësohet në perspektivën e një konceptimi të ri të strukturimit të gjuhës poetike, asaj gjuhe që Kadare e ka quajtur “forca e tij e madhe sintetizuese”. De Rada e bëri zgjedhjen e tij jo pa vështirësi. Ai u rrek t’i ndërthurte bashkë të dy sistemet, atë sasior me atë cilësor, sikundër e dëshmojnë edhe tekstet e ndryshme të këtyre veprave, sidomos të Këngëve të Milosaos që Francesco Altimari po i përgatit në një botim kritik. Në hullinë e ndikimit nga poezia popullore që De Rada e mblodhi me dashuri dhe pasion të veçantë, gjejnë shpjegim edhe vargje të tëra që u morën ashtu siç ishin dhe u ngërthyen në indin poetik të veprës të tij. Mund të bëhet edhe një tjetër vërejtje tipologjike: vëllimi i kufizuar poemës, që përbëhet nga disa dhjetëra vargje, ndoshta është bërë për të dëshmuar imitimin e rapsodive të shkurtra popullore. Poema e De Radës dallohet nga strukturat e gjata e të ndërlikuara neoklasike, ajo përdor një figuracion tipik popullor, ekzalton lirikën e fluturimit pindarik, kërkon përfaqësimin jo-pasiv të metaforës së jetës. Të gjitha këto tipare përbëjnë thelbin e modelit letrar që do të ndiqet nga poetët e tjerë arbëreshë ithtarë të De Radës dhe poetikës së tij.

 

Do të gjejmë një bashkësi të këtyre qëllimeve dhe strategjisë së lëvizjes së tij edhe me misionin që sapo kish nisur në Shqipëri Veqilharxhi. Udha që ata hapën vijoi të korrë frute deri më 1860, kur De Rada do të bjerë në kontakt me Dora D’Istrian, e cila do t’i japë mjaft ide të vlefshme për zhvillimin e jetës kulturore dhe rritjen e ndërgjegjies kombëtare. Kjo përbën fazën e dytë të mendimit të tij politik, një fazë e pasur me një letërkëmbim që na lejon të rindërtojmë marrëdhëniet mes shumë intelektualëve dhe shkrimtarë arbëreshë të ishullit. Nga leximi i këtij burimi të rëndësishëm del jo vetëm roli qendror dhe ndikimi që De Rada ushtroi mbi bashkëbiseduesit e tij, por edhe forca e jashtëzakonshme me të cilën ai, edhe pse jetonte në një zonë periferike, ia doli të nxiste e të bashkërendiste veprimtaritë kulturore, letrare e patriotike të intelektualëve që, ndryshe prej tij, jetonin në kryeqendrat e mëdha të Jugut të Italisë.

Një kapitull i veçantë në këtë panorama zë letërkëmbimi me eruditen shqiptare Dora D’Istria. Ajo ishte 30 vjeçe kur filloi t’i shkruante poetit arbëresh e përmes këtij letërkëmbimitë zgjatur nëpër shumë vite, mund të shpjegohet gjerësisht edhe mendimet apo botëkuptimet e tyre. Ajo mendonte se kriza e krijuar në Ballkanin e atyre viteve duhej shfrytëzuar për një kryengritje shqiptare, që do të lidhej me lëvizjet e tjera kryengritëse në Europë. Ndaj punoi shumë për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare te shqiptarët, por mbi çdo gjë vlerësonte nevojën e bashkimit të tyre kombëtar. Dora D’Istria ishte e parimit se shqiptarët duhet të merreshin vesh me njëri-tjetrin, t’i harronin përçarjet, të mos ketë më as gegë, as toskë, as lebër, as çamër, por bij të devotshëm të të njëjtit atdhe, sepse kështu gjaku nuk do të shkojë kot. Ajo kishte arritur në konkluzionin dhe shihte si detyrën më të ngutshme përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe, pa të cilën nuk mund të realizohej bashkimi kombëtar. Pa rilindje letrare nuk ka ringjallje politike, nga ky parim i Elena Gjikës grupi arbëresh u përpoq të themelonte një shoqëri letrare mbarë shqiptare, e cila botoi një gazetë me emrin “Flamuri i Skënderbeut”, një fjalor dhe një gramatikë të gjuhës shqipe.

Edhe Dhimitër Kamarda ka pasur një letërkëmbim të dendur me Elena Gjikën. Ata kanë shkëmbyer rreth 60 letra në mes tyre. Gjithashtu Dhimitër Kamarda i ka kushtuar asaj dy libra: “Fyletia arbërore” që u botua në Livorno, në vitin 1867 dhe “Shqiptarët për Dora d’Istrian”, që u botua po në Livorno, më 1870. Përtej qëllimit kryesor, për t’i shprehur mirënjohjen, shkrimtares së shquar për ndihmën që i jepte çështjes shqiptare, ky libër ishte konsideruar edhe si manifest i rëndësishëm i gjithëlëvizjes sonëkombëtare, e cila dita ditës po rritej edhe më shumë. Hartuesi i kësaj antologjie, Dhimitër Kamarda, duke vlerësuar figurën e Elena Gjikës në hyrje ka shkruar: Një emër i tillë veçanërisht është i vyer për të zbukuruar këtë hyrje, sepse është mbushur me nderin e racës shqiptare si nga origjina e familjes së saj, si nga lavdia, që t’i përkasë sërës të shkrimtarëve më të gjallë të Evropës, si dhe të diturve dhe bukurisë, që ka mundur të bashkojë kultin plot fryte të shkencës dhe të letërsisë, ndërkaq nuk lë rast të ndihmojë me shkrime dhe vepra kombin shqiptar që nuk ia harron përjetë.

Më 15 maj 1866, në të përkohshmen “Revue des deux mondes” Dora D’Istria boti artikullin e famshëm “Kombësia shqiptaresipas kangëvet popullore-Shqiptarët e të dyja anëvet të Adriatikut”. Është për t’u shënuar se ky punim vjen pas letërkëmbimit të nisur me De Radën që më 1859. Ajo kishte për qëllim të argumentonte në këtë artikull qenien e kombësisë sonë, lashtësinë e popullit shqiptar, trashëgimet e tij kulturore-artistike, të çmonte gjuhën e lashtë e të bukur shqipe, letërsinë tonë të pasur gojore.

Por mbi të gjitha, në këtë libër, ajo besonte shumë në ndihmën arbëreshe për zgjimin e Shqipërisë. “Dashunia për atdhe ka qenë gjithmonë veçoria ma kryesore e shqiptarit. Shqipnia ndër të gjitha kohët ka qenë vendi i herojve. Kombi shqiptar asht një popull i fortë, i fuqishëm porsi shkambijtë ku jeton. Shqiptarët janë të gjallë, të gëzueshëm, punëtorë dhe zemërbardhë. Kur asht puan për t’i dalë zot atdheut të vet ase për të mprojtë fëmijtë e vet, ai asht hero në kuptimin e ngushtë të fjalës. Populli shqiptarë ka qitë ushtarë e luftëtarë, që kanë mrekullue botën me trimnitë e tyne, si Pirrua, Aleksandri i Madh, Diokleciani, Skanderbeu, etj. Me plotë të drejtë Bajroni pat shkrue mbi heroizmin e tyne. Vetëmohimi dhe flija e tyne qenë ndihma ma e madhe në kryengritjen greke për çlirim. Mbi shkambijtë e Sulit dhe mbi zallin e Pargës gjinden ende tepricat e një populli, që dha jetën e vet për pavarësinë greke. Atje ndodhen dhe gjurmët e gjakut të martirëve shqiptarë. Në një gjendje të tillë, a asht e mundun me besue se shqiptarët do të mbeten edhe për një kohë të gjatë nën thundrën e sundimit të huej?...Ata, që e besojnë këtë gja, harrojnë se kombi shqiptar asht një komb herojsh, ashtu siç e përshkruejnë njëzani ata që e kanë studiue me kujdes, anglezë, frengë, udhëtarë a histori-shkrues, Gëllet, Douglasët, Lamartinët”(269).

Interesante janë edhe letrat që De Rada shkëmben me Kamardën që në fillim të viteve ’60, kur marrim vesh se poeti i druhej fort mbështetjes së Greqisë. Ai polemizon për kërë çështje me gjuhëtarin, i cili e shihte shpëtimin e vendit te krijimi i një shteti panhelen, ku të hynte edhe vendi ynë. De Rada i shkruan: “Po bëhen rreth 40 vjet që Greqia qëndron në këmbë dhe çka bërë ajo për kombësinë shqiptare gjithë këto vite? Grekët, këta kokëngjeshur të fryrë nga kotësia, kanë kërkuar, përkundrazi t’ua zhdukin kombësinë vëllezërve tanë”. (270) De Rada, siç do ta shohim nga një letër drejtuar Dora D’Istrias 19.II. 1865, pati shpresuar shumë në një clirim të shpejtë të Shqipërisë, por edhe kështu ai trembej e i shkruante Kamardës: “se kurrë s’kishte menduar të bëjë një shtet shqiptar, po thjeshtësisht ta shkëpusë Shqipërinë nga boshi i panhelenizmit histerik” (5.X.1866). (271) Në një letër tjetër për D’Istrian, ai mendon se “ asgjë të mos ngutet në Shqipëri, derisa të mos jetë zgjuar ndjenja e unitetit kombëtar”. (272) Edhe Dora është e të njëjtit mendim me të nga frika se shqiptarët mund të përdoreshin për interesa që u janë të huaja( 19.VII.1866). De Rada preferon, atëherë, një bashkim të gjithë Shqipërisë me Austrinë, ose më mirë, një konfederatë të çliruar ballkanike”. (Letër Kamardës, 5.X.1866).  Megjithatë, frikën më të madhe poeti e ka nga fqinjët e jugut. Ai i druhet edhe Italisë. Italia dhe Greqia, mendon, e rrezikojnë cështjen shqiptare, duke u përpjekur ta ndajnë vendin në sfera ndikimi, sipas feve që ushtrohen në Shqipëri”. Dora D’Istria i jep të drejtë, por kërkon t’i rrisë besimin te forcat kombëtare, pasi shqiptarët do të dinë të veprojnë e  të mbështeten nga jashtë, sikurse kanë bërë të gjithë popujt e tjerë, i thotë ajo (6.IX.1866). Fillon kështu periudha e besimit dhe shpresës së poetit për një ndihmë arbëreshe ndaj Shqipërisë (letër nga Dora 15.X.1866),ashtu si dhe te  Kamarda, Serembe e Sartori në ato vjet. “Kam tre vjet që mendoj të nxjerrë një gazetë”, i shkruan ai Kamardës, që në një letër të vitit 1863. Ajo do të kishte mbajtur emrin “Flamuri i Arbërit”( letër e Doras, 2.IV.1867), por vetëm 20 vite më vonë, fill pas Lidhjes së Prizrenit, patrioti arriti më në fund ta nxjerrë revistën me të njejtin titull.

E papërkulur nga dështimi i atëhershëm, Dora D’Istria përpiqet të sigurojë deri dhe mbështetjen e Garibaldit për çështjen shqiptare. Garibaldi, e gjen me vend themelimin e një Akademie shqiptare, që ta kryesonte Dora D’Istria dhe që të bënte punën patriotike në sheshin e kulturës (letër e Doras 29.X. 1866).

Ai dërgoi, gjithashtu, me  mision në Lindje, njërin nga oficerët e tij më të zotë, Pjetër Kjaran, publiçist dhe politikan mjaft aktiv në çështjen shqiptare në vitet ’60-’80, të cilit Dora i dha mjaft rekomandime. Pjetër Kjara u kthye nga Greqia i zhgënjyer dhe pa shpresa për çështjen tonë, por në Shqipëri ai u bind se kishte elementë të një rilindje të përgjithshme (Letër e Doras 26.VI.1867). Edhe njëherë ajo i jep plotësisht të drejtë De Radës që i druhej grekëve, por edhe besimit të tij të patundur se arbëreshët mund ta ndihmonin rritjen e besimit në forcat kombëtare. Dora d’Istria mendonte se “ishte koha më e përshtashme për kryengritjen e kombësive  në Evropën juglindore”. (273) Në letrën e 15 tetorit 1866, ajo i shkruan De Radës për shumë detyra, që dilnin në lidhje me çështjen shqiptare, por parësisht e këshillon të nxjerrë fletoren, për të cilën poeti i Makjit i kishte dërgue planin dhe programin. Ajo i propozon që këtë fletore ta botojë afër Gegnisë, p.sh. në Kotorr, në mënyrë që të përdoret si mjet lidhjeje midis lëvizjes atdhetare shqiptare të vendit dhe asaj jashtë vendit.

Kjo do të realizohej me daljen e parë të revistës “Flamuri i Arbërit”, më 20 Korrik 1883, një revistë kjo që së bashku me “Zërin e Shqipërisë” së Kulluriotit dhe “Drita-Dituria” e Shoqërisë së  Stambollit do të shënonin organet e para të shtypit të Rilindjes. “Jehona e Flamurit të Arbrit mbërriti menjëherë larg. Edhe revista të huaja si revista parisiane Melusine, një nga më të përmendurat në Francë, shkruante në një nga numrat e saj: Flamuri i Arbrit nuk është vetëm një organ shtypi për kolonitë shqiptare të Italisë së Jugut, por për të gjithë Shqipërinë, që sot ndodhet nën sundimin turk dhe ka për qëllim të njohë lexuesit, nëpërmjet folklorit dhe veprimtarisë së saj, me të kaluarën historike të popullit shqiptar” (274).

Gazeta Die presse e Vjenës, në një artikull botuar 5 janar 1887, e quajti revistën Flamuri i Arbit “shenjë e përparimit dhe kulturës në Shqipëri.” (po aty) I ashpër ishte qëndrimi i De Radës edhe për krijimin e “Federatës Ballkanike”, e cila bënte plane në dëm të interesave kombëtare. Ideja e një Federate Ballkanike lindi në mendjet gënjeshtare të Greqisë. Këtë ide e përkrahnin edhe te përkohshmet e Italisë. Qëndrim të prerë kishte De Rada si ndaj Italisë, ashtu edhe ndaj Austrisë, ndaj Fuqive te Mëdha evropiane dhe ndaj Rusisë. “Në një artikull ai shkruan: “Në çdo rast, Shqipëria e mbyllur në vetvete dhe e mbledhur në degët e saj të shpërndara, do të jetë shkëmb në të cilin do të thyhen tallazet slave”. Diku tjetër ai sqaron: “Për ne, më i urryer se ai grek, është asimilimi sllav. Rusia, Mali i Zi me Serbinë e vjetër lakmojnë t`i bëjnë prej emrit tonë. Dhe kudo qofshin panrusët, janë të lidhur në mënyrë të fshehtë me Greqinë, duke bërë plane e projekte për të na shuar”. (275) Që në numrat e parë të revistës, shohim të sulmojë De Rada edhe planet e krijimit të një principate veriore të Shqipërisë, nën “hijen e Austrisë”, siç propozonte Pal Doçi. “Ne s’i kuptojmë këto, shkruan ai te “Flamuri i Arbërit”, dhe s’kuptojmë  se përse Shqipëria jugore lihet mënjanë” (1883, I,2). Integriteti i Shqipërisë është kujdesi i tij më i madh. De Rada, ndonëse kërkonte, po aty, që Shqipëria të mos shkëputet nga Turqia, tregonte se si edhe Turqia nuk e siguronte Shqipërinë kundër rrezikut të copëtimit. E gjitha kjo shkonte me frymën e mosngutjes, që është pozita e përgjithshme e patriotëve të kohës. Ai është për autonominë administrative dhe kulturore, por jo politike, njëlloj si patriotët e Bukureshtit dhe Thimi Mitkos në Misir. Ndaj, më 1883 shkruan te “Flamuri i Arbërit” ( II,1) se nuk mundemi me ndërgjegje të themi akoma se në gjirin e Shqipërisë ka ardhur ora që djemtë të marrin shparën në dorë…Dimë vetëm se shpatat janë nxjerrë nga mhilli  për të mbrojtur të drejtën: 1) të mos paguhet haraç, 2) të mos mbajë më Turqia në burg dhe në internim shqiptarë, por të vendoset amnistia politike.

Një tjetër temë për të cilën ai u përpoq në faqet e revistës, ishte gjuha shqipe, duke propozuar që “patriotët e Stambollit, të Bukureshtit dhe ai vetë, të merreshin vesh për një alfabet të përbashkët të shqipes (1885, II, 8). Kjo do të arrihej shumë më vonë, ndërsa përsa i përket shqipes, pas shumë përpjekjesh, poeti arriti të nxjerrë përsëri lejen për të mësuar shqipen në kolegjin arbëresh pranë shtëpisë së tij, ku ai dha mësim derisa vdiq. Ndërsa më 1900, vendoset më në fund të çelet edhe një katedër e gjuhës shqipe në Institutin oriental të Napolit, të cilën do ta drejtojë  Zef Skiroi.

GALERI FOTOGRAFISH

 Letërkëmbimet e Dora D’Istrës me De Radën dhe Kamardën (Pjesa II)
 Letërkëmbimet e Dora D’Istrës me De Radën dhe Kamardën (Pjesa II)

Postime të Ngjashme