Shqip Română
Kultura

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” për dhimbjen e Kosovës edhe në rumanisht

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” për dhimbjen e Kosovës edhe në rumanisht

”Un fir de speranţă, un băţ de chibrit”, është titulli në rumanisht i romanit “Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Në ballinë ka pikturën ”Niobe” të vitit 1920 të Artuš Scheinerit (1863 –1938). Është një gjetje e qëlluar pasi “Një fije shprese, një fije shkrepëse” nis me dy rreshtat e dramës së humbur të Eskilit, “Niobës”

Romanit të Ag Apollonit për fatin tragjik të dy nënave shqiptare nuk i janë dashur as pesë vjet që të kapërcejë kufijtë në pesë gjuhë. Në rumanisht vjen i përkthyer nga Marius Dobrescu, i cili njihet për përkthimin e dhjetëra librave të Kadaresë në gjuhën rumune. “Meqenëse ky është një roman që gjeneralizon dhimbjen tonë nëpërmjet paradigmave mitike, besoj që do të ketë çfarë t’u thotë edhe lexuesve rumunë”, ka thënë Apolloni. Qysh në fillim të vitit, “Një fije...” e presin edhe tri gjuhë të tjera

Rumanishtja është gjuha e radhës në të cilën flet “Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Romani i Ag Apollonit tashmë është botuar edhe në këtë gjuhë nga shtëpia botuese “Sitech”. Deri më tash vepra që trajton fatin tragjik të dy nënave shqiptare, Pashke Markut dhe Ferdonije Qerkezit, pas botimit në shqip në vitin 2020, është botuar në gjuhët angleze, gjermane, holandeze e malazeze. Në gjuhën rumune, siç ka njoftuar botuesi i Apollonit, “Bard Books”, e ka përkthyer  Marius Dobrescu, i cili njihet për përkthimin e dhjetëra librave të Kadaresë në gjuhën rumune. 

“Një fije...” nuk i janë dashur as pesë vjet që të kapërcejë kufijtë në pesë gjuhë. Pos kritikës vendore, ai është çmuar edhe nga ajo ndërkombëtare. 

Ag Apolloni ka thënë se ata që e kanë lexuar në gjuhën rumune i kanë thënë se është një përkthim i bukur dhe i rrjedhshëm. 

“Nuk dyshoj në këtë, kur kam parasysh që përkthyes i këtij romani është Marius Dobrescu, i cili ka përkthyer rreth 50 vepra të Ismail Kadaresë në gjuhën rumune. Natyrisht, ndihem i nderuar nga botimi, por edhe më shumë nga përkthimi apo nga përkthyesi”, ka thënë Apolloni në përgjigje për KOHËN. Ka thënë se shqiptarët kanë lidhje të vjetra me rumunët, letërsia e të cilëve ka pasur një ndikim të madh në modernizimin e letërsisë shqipe. 

“Prandaj më gëzon mundësia për një komunikim me lexuesit rumunë. Për këtë botim një meritë të veçantë e ka edhe Cristian Beşleagă, i cili e ka bërë redakturën krahasuese dhe e ka gjetur botuesin”, ka thënë ai.  

”Un fir de speranţă, un băţ de chibrit”  është titulli në rumanisht i romanit. Në ballinë ka pikturën ”Niobe” të vitit 1920 të Artuš Scheiner (1863 –1938).  Është një gjetje e qëlluar pasi “Një fije shprese, një fije shkrepëse” nis me dy rreshtat e dramës së humbur të Eskilit, “Niobës”: “Ulur mbi varret e tyre, ajo i vajtoi fëmijët e saj të vdekur”. Apolloni krijon Niobën kosovare të portretizuar nëpërmjet figurës së Ferdonije Qerkezit, e cila tash e 20 vjet ka mbetur e vetme. Tenton ta universalizojë luftën e Kosovës duke e bërë një krahasim me atë të hebrenjve, të Luftës së Dytë Botërore, nëpërmjet shkrimtarit me prejardhje hebraike, Elie Wiesel, i cili si fëmijë i kishte përjetuar vetë ngjarjet e Holokaustit, ndërsa si shkrimtar, në moshë të rritur, kishte punuar në pengimin e gjenocidit që po zhvillohej gjatë luftës së fundit në Kosovë.  Është gjuha universale e romanit ajo që thyen kufijtë. 
“Meqenëse ky është një roman që gjeneralizon dhimbjen tonë nëpërmjet paradigmave mitike, besoj që do të ketë çfarë t’u thotë edhe lexuesve rumunë”, ka thënë Apolloni. 

Rumanishtja është vetëm gjuha e radhës në të cilën botohet. Apolloni ka njoftuar se  “Një fije shprese, një fije shkrepëse” shumë shpejt do të botohet edhe në gjuhën sllovene dhe në dy gjuhë të tjera.  

“Një pjesë është botuar në një revistë sllovene, ndërsa romani është në fazën përgatitore të botimit. Gjithashtu ai është përkthyer edhe në frëngjisht dhe bullgarisht e shpresoj të botohet së shpejti”, ka thënë ai.  

Botime të tilla vijnë në pak kohë. Në anglisht do të botohej në majin e vitit 2023, përkthyer nga Robert Wilton, i cili do ta konsideronte romanin si dokumentar të jashtëzakonshëm duke vënë në pah vuajtjet e grave për humbjen e fëmijëve.  “Jehona e kobshme e luftës dhe vuajtjet e dallueshme të nënave vazhdojnë”, kishte thënë Wilton për botimin, i cili gjendet edhe në gjigantin “Amazon” që veprën e Apollonit e vlerëson si “zë unik nga vendi më i ri i Evropës, i rrënjosur në traditat e tij më të vjetra letrare”. 
“Një mozaik i fateve të liga të luftës dhe pasojave të dhimbshme të paqes, romani u bën jehonë të vërtetave të përjetshme të tragjedisë së lashtë greke, ndërsa tregon dhimbjet e luftës moderne. Ai eksploron kuptimin e mëmësisë, të familjes dhe të shtëpisë”, shkruhet në platformën globale të blerjeve online “Amazon”. Apollonin e cilëson si njërin prej shkrimtarëve të dalluar shqiptarë të brezit të tij, i admiruar për prozën e tij bashkëkohore më eleganten deri më tash dhe për larminë e pasur të referencave. Po atë vit, në shkurt, do të botohej edhe në holandisht. Doli në treg më 17 shkurt, kur Kosova festoi 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. U promovua në Hagë. Vepra është përkthyer nga Jan Jansen, ndërsa është botuar nga “Het Hereldvenster”.  Me ftesë të Ambasadës së Kosovës në Holandë, në promovimin e librit i pranishëm kishte qenë edhe vetë autori Apolloni. Libri në gjuhën holandeze i kishte rënë në dorë edhe kritikes së njohur holandeze, Mieke Bal, e cila, në një koment dhënë për KOHËN, e kishte cilësuar atë si kryevepër. Pikërisht ky koment i saj për librin ka zënë vend në kopertinën e librit të botuar në anglisht. “Një kryevepër”, shkruhet mbi emrin e Mieke Bal. 

“Një doku-roman që me anë të një stili të përmbajtur e rrëfimi të shkurtër rrëfen tmerret e luftës, duke qëndruar pranë përvojave të viktimave dhe njëkohësisht duke shmangur patetikën e tepërt: kjo është dhurata e Ag Apollonit për botën. Është një kryevepër letrare që ia vlen të shndërrohet në film”, kishte thënë kritikja Mieke Bal me rastin e promovimit të librit në Hagë të Holandës. 

“Një fije...” – që ka marrë çmimin e Ministrisë së Kulturë për romanin e vitit më 2020 – vetëm sa e ka tërhequr “fijen” e përkthimeve të veprave të Apollonit për sivjet. 

“Brenda vitit do të dalin në gjuhën angleze edhe dy romanet e tjera të mia, ‘Ulurima e Ujkut’ dhe ‘Kësulëkuqja, përrallë për të rritur’, të përkthyer nga Robert Wilton”, ka thënë Apolloni, i cili përveç poezive, dramave dhe studimeve, ka botuar edhe disa libra të tjerë në prozë, si: “Ulurima e Ujkut (2013), Zazen (2014), Mesjeta ime (2019), Kësulëkuqja, përrallë për të rritur (2022) dhe “Sikur t’isha djall” (2024), e siç shkruhet në biografinë e tij, “prej disa vjetësh e prezanton letërsinë shqipe nëpër vende të ndryshme të Evropës”.


Postime të Ngjashme