Shqip Română
Kultura

“Një urë poetike ndërkulturore midis Lasgush Poradecit dhe Mihai Eminescut”

“Një urë poetike ndërkulturore midis Lasgush Poradecit dhe Mihai Eminescut”

“Në një pasazh të tij të njohur për njerëzit e mëdhenj Shopenhaueri shkruan: “I madh është ai që në veprimin e tij nuk kërkon llogarinë e vet...por ndjek një qëllim objektiv. Për këtë arsye për një njeri të tillë poetizimi apo mendimi apo përvijimi është një qëllim, jo një mjet si të gjithë të tjerët....Për rrjedhim, kush është i madh njihet në cdo gjë e në gjithcka, nuk rron si të tjerët, vetëm në mikrokozmosin, por akoma dhe më shumë në makrokozmosin e tij” (Shopenhauer,1723).

Përtej gjithë qasjes së re që është zgjedhur për të trajtuar këtë analizë , do të donim të vendosnim që në fillim caqet jo vetëm të llojit të interpretimit midis Shopenhauerit dhe Lasgushit, por edhe të gjithë kritikës së gjinisë poezi-filozofi. Ideja e ngjashmërisë apo paralelizmit, është një mjet apo instrument krahasimor, për ta bërë sa më të lehtë, jo aq analizën, se sa sintezën e asaj që duam të themi.

Po njëlloj, edhe Lasgushi duhet të kategorizohet në perspektivën e këtyre caqeve. Dihet që ai ka ndikim. Ka ndikim nga poetët shqiptarë. Ka ndikim nga Eminesku, por edhe nga poetët gjermanë. Por nuk është i ngjashëm në të vërtetë me askënd.

Ai është ai, poeti, me kodin e tij të përjetshëm e të padeshifruar. Ndaj, ndikimet te Lasgushi duhen konsideruar si diçka endemike, jo si një proces mutacioni. Përkundrazi, ai asimilon, transformon dhe prodhon sipas stilit të tij. mendon, plazmon, dhe në fund këndon sipas shpirtit të tij, që nuk mund t’ia “disputojë askush”. Janë të gjitha këto atributet e famshëm shopenhauerianë të gjeniut dhe idesë që qëndron në themel të teorisë së tij të artit.

Në një metaforë të famshme për raportin midis poezisë dhe filozofisë Shopenhaueri shkruan se filozofia ndaj poezisë qëndron si vreshti ndaj verës, ndaj mushtit. Ky punim kërkon të jetë sall një punim jo mbi poezinë e Lasgushit në tërësinë e elementëve të saj ndikues, por një punim dialogues, ngritur mbi raportin që ai ka me filozofinë e Shopenhauerit.

 Një punim raportësor ndikimi që katoligëzon, seleksionon, përzgjedh dhe përshtat një mori të tërë elementësh formues e botëkuptimorë, që si të qenë tabela shpirtërore e Mendelejevit të poetit, përzihen të krijojnë atë produkt poetik të pangjashëm me askënd. Edhe në përngjasësinë me kimistin (ashtu sic e analogjizon Shopenhaueri poetin), edhe në atë me “vreshtin” filozofik, faktorët e jashtëm të ndikimit janë të shumtë.

Ngrohtësia, moti, përkujdesja dhe zotësia e vreshtarit, koha e fermentimit, cilësia e butit…gjithcka ka vlerën e duhur, vlerën e caktuar në cilësinë e mushtit, që ngandonjëherë e bën atë të duket krejt tjetër, krejt të ndryshëm nga vreshti prej të cilit u ngjiz.

Ndaj dhe poezia e tij kërkon shumë mund, shumë punë për të nxjerrë një art magjije, një gjuhë që nuk është thjesht gjuhë, por një organizëm i gjallë, një trup organik, me një forcë rigjeneruse, që dëshiron të japë përherë një kumt të pashlyeshëm estetik.

Është ky përfaqësimi estetik i botës për të cilën flet dhe Shopenhaueri dhe që Gadameri, ati i hermeneutizmit, e ka quajtur unitet i gjuhës poetike dhe asaj filozofike-konceptuale. “Nga një larmi momentesh përshëkënditet një cast, në të cilin shfaqet një “prani” e re, që fillon të bëhet pjesë e jona. Është një lloj miqësie me gjërat e jetës, një intimitet i cili krijon shpirtërisht atë që Shelling e ka përcaktuar shumë bukur si diçka “thjesht e paharrueshme” (Gadamer, 347).

 Për një prani të tillë shpirtërore kemi nevojë aq shumë të gjithë ne, për ta konsideruar atë si një realitet të brendshëm. Këtë na mëson uniteti poezi-filozofi, si një binom që mund të ndryshojë e transformojë shumëçka.

Duke dashur ta përkthejmë këtë nocion të zhvilluar të dialogut gadamerian, mund të themi se ky libër mund t’i ngjasonte “një bisede e cila mbaron pa përfunduar, sepse dialogu është diçka në të cilën ndodhesh, në të cilën përfshihesh, është diçka për të cilën nuk mund të dish para kohe se ç’mund të dalë në pah, është diçka që ndërpritet jo pa dhunë, pasi ka gjithnjë ende shumë për të thënë…çdo fjalë dëshiron tjetrën, dhe e ashtuquajtura fjalë e fundit nuk ekziston” (Gadamer, 13).

Në njërën nga letrat e tij të shumta, Lasgushi shkruan se nuk janë akademikët ata që e kuptojnë dhe mund të bëjnë një kritikë të mirë për poezinë, por dashamirësit e saj.

Ky punim ka pasur për busull këtë parim, ai është shkruar me shumë dashuri, nga një prej dashamirësve më të mëdhenj të poezisë së tij, për të qenë, ashtu siç e dëshironte edhe vetë poeti, sa më objektive dhe shumë më afër shpirtit të krijimit se sa shpirtit të “izmave” studimore.

 Aq më tepër që në një simbiozë të paimagjinueshme dialogative në mes koncepteve filozofike dhe gjuhës poetike, poeti ynë arrin të gjejë edhe një shtegbashkimi modelor, të mënyrës së komunikimit midis filozofisë dhe poezisë në tërësi. Shopenhaueri, në një proçes të tillë transformimi, falë gjenisë lasgushjane, arrin të njihet me një tjetër dritë, me një tjetër energji, me një tjetër shije jete.

Ndërsa vepra e poetit, e përkaluar në këtë urë komunikimi energjie fiton një tjetër dimension, duke u shfaqur si një sistem i tërë njohjeje, si një platformë e tërë pjellore e kuptimit të ekzistencës së jetës dhe si një zanafillë raportesh të reja njerëzore dhe universore. Kjo simbiozë është vërtetimi më i mirë i faktit se fjala lasgushiane zotëron aftësi të jashtëzakonshme polisemike, çka bën që në çdo lexim, raportëzim a dialogim të këtij lloji gati-gati gadamerian, ajo të arrijë të aktualizojë valencat e saj nga më të ndryshmet.

Është ky rishikim dhe vlerësim estetik, ajo “prani e re shpirtërore” që kërkon edhe ky punim për Lagushin, në mënyrë që vepra e tij të shihet si një traktat për të mirën, të bukurën, dashurinë, moralin e saj. Atëherë poezia e tij do të mund të shndërrohet edhe në një instrument edukues, në një projekt social, në një program shpirtëror.

Le të nisim ta shohim edhe kështu veprën e tij, çdo ditë, që fitoren e madhe të vetvetes që të fal leximi i kësaj poezie, ta shndërojmë në fitoren e madhe të vendosjes së shpirtit shqiptar në themele sa më të shëndoshë dhe estetik. Rrugëtimi tashmë ka një shekull që ka nisur. Brezit tonë i duhët që të vrapojë sa më fort kah kësaj fitoreje, me çdo kusht, me çdo çmim. Janë disa asrye që filozofia e tij arriti të ketë një ndikim të tillë mbarëbotëror.

Pjesërisht kjo i përgjigjet pikëpamjes së tij që i njeh vlerat tradicionale të moralit edhe pa nevojën e postulatit të ekzistencës ekzistencës së Zotit. Doktrina e tij lejon gjithashtu mundësinë e njohjes absolute nëpërmjet përvojave mistike. Veçanërisht, teoria e tij e artit, në mënyrë implicite, arriti të sfidojë hegjemoninë e shkencave dhe formave të tjera të shprehjes, duke e zëvendësuiar këtë hegjemoni me atë të stileve muzikorë dhe letrarë të kuptimit.

Kjo njohje, në një perspektivë të cilën ne nuk mund ta mënjanojmë, pohon se universi duket të jetë një vend thelbësisht irracional, diçka kjo që frymëzoi mendimtarët e shekullit XX t’i kuptojnë forcat instinktive si udhëheqëse të sjelljes njerëzore. Për të gjitha këto arsye, ndikimi i tij ka qenë i fortë midis shumë figurave letrare, përfshirë këtu poetë, dramaturgë, eseistë, novelistë, historianë, filozofë, kompozitorë dhe artistë të tillë si Nietzsche, Freud, Vittgenstein, Horkheimer, Hardy, Mann, Rilke, Proust, Tolstoi, Borges, Mahler, Langer, Schönberg, Charles Baudelaire, Samuel Beckett, Thomas Bernhard, Andre Gide, Jacob Burchhardt, Friedrich Hebbel, Ernst Junger, Karl Kraus, Robertt Musil, Italo Svevo, Ivan Turgeniev, Emile Zola, etj. Në përgjithësi, këta autorë u frymëzuan nga sensi shopenhauerian i absurditetit të botës, i konsideruar ky qoftë nga qasja e zymtë, pesimiste dhe nihiliste, ashtu dhe nga qasja komike apo sarkastike. Kjo ishte atmosfera e ndikimit të Shopenhauerit në Europën e kohës kur studioi dhe u formua Poradeci.

Që i ri, poeti u largua nga vendi, kështu që ndikimi i filozofisë shopenhaueriane në kulturën dhe ambjentin shqiptar, mund të konsiderohet veç i pjesshëm, i dobët dhe shumë i tërthortë mbi të.

Është kjo panoramë e pasur ndikimesh, pothuajse në çdo fushë, që ndihej në ajrin e auditorëve dhe ambjenteve kulturorë të kohës, ajo që patjetër duhet të kishte lënë gjurmët e saj në një njeri të prirur aq shumë për dije të gjithanshme e të thella, siç ishte poeti i ri. Megjithatë, ngjizja e kësaj atmosfere në shpirtin e tij si një botëkuptim, nisur nga ky lloj ndikimi, është vetëm një premisë. Ajo ka nevojë të provohet edhe në vetë përvojën jetësore të autorit, e më pas edhe në teorinë e tij mbi poezinë dhe artin.

Një kryeshenjë e kësaj përvoje përbën doktoratura që Lasgushi realizoi për poezinë e Emineskut. Kësisoj, një lidhje për t’u analizuar është raporti që ka ekzistuar midis tyre në mjaft rrafshe. Në studimin e vet mbi Emineskun, Mitrush Kuteli hedh mjaft dritë jo vetëm mbi poetin dhe filozofinë e tij, por dhe mbi raportin që Lasgushi kishte me Emineskun. “Melankolija, skepticizmi, pesimizmi…janë motivet nëpër të cilat ai kthehet fort dendur”, (Kuteli; 131) thekson autori, duke përcaktuar njëherësh edhe burimet e këtij botëkuptimi: “vuajtjet e jetës së vet, pesimizmi i trashëguar, përmbi të cilin u pat shtuar leximi i librave të shenjta budiste dhe leximi i veprave të Shopenhauerit” (po aty).

 Një itenerar të tillë mund të ketë ndjekur edhe raporti midis filozofit dhe poetit shqiptar. Edhe Lasgushi ka vuajtur që në moshë shumë të re, që në gjimnaz, nga një sëmundje e rëndë që nuk iu nda përgjatë gjithë jetës, duke e limituar shumë fizikisht.

 Varfëria e tij ne Bukuresht dhe Grac ka qenë e tejskajshme. Pra, trualli jetësor për të mbirë fara e pesimizmit, ishte mëse pjellor në jetën e tij. Vetëm se kjo nuk qe gjithçka. Edhe prirja e tij e brendshme kah kësaj qasje provohet edhe në poezi. Poezi pesimiste.

 Pesimizmi i rinisë që ishte si një lluks për jetën që e shijonim. Shkruaja unë, shkruanin edhe të tjerët. Nuk ishin poezi të vërteta, po edhe këto duhen, se pranvera s’vjen vetëm me zëmbakë të mëdhenj. Ka edhe lule të vogla që s’janë më pak të bukura. (Kolevica; 120). Edhe studimi i sankristishtes dhe i vedave indiane, në të cilët Lasgushi paraqitet akoma dhe më i thellë e më njohës, madje edhe se Eminesku, plotësojnë një etapë tjetër në këtë itenerar.

 Edhe disa elementë të tjerë mund ta plotësojnë këtë kuadër biografik. Në disa raste Lasgushi shpreh admirimin e tij të madh për një tjetër emblemë të poezisë pesimiste, siç është Leopardi, gjë që nuk ndodh, le ta zëmë me Bodlerin, të cilin gjirthësesi ai e pëlqen. “Edhe Kroçe thotë për Leopardin: jo këtu, s’bën, po aty s’është mirë... Po ja ku të them unë; Leopardi është vetëm shpirt! Në poezinë e tij nuk ka asnjë fjalë jo aq të butë sa duhet, apo jo aq të fortë, apo jo aq të ëmbël, apo jo aq të hidhur sa duhet. Leopardi e ka çdo fjalë të dalë nga shpirti dhe të vënë atje ku duhet dhe si duhet në mes të fjalëve të tjera. Leopardi nuk 'ka asnjë fjalë false. (Kolevica; 89).

 Edhe një detaj tjetër biografik, e përforcon këtë adhurim, apo afëri shpirtërore të poetit për poetin e madh pesimist. Është një pasazh nga letrat që shkëmben Lasgushi me Nafijen, gruan e tij: “ Pimë në një lulishte…ajo u mpi pak dhe më lexoi vjersha deri në 12.30 pas mesnate…Më tha shumë pjesë nga Foskolo dhe nga Leopardi” (Moikom Zeqo; 93).

 Të njejtin raport, madje akoma dhe më shpirtëror, duket të ketë Lasgushi edhe për Emineskun. Kuteli shpjegon: “Lasgushi e ka njohur dhe e ka shijuar veprën e poetit rumun që në të ri, kur ishte ne lice…që asohere vazhdoi të thellohet gjithnjë e më shumë në të, derisa më 1931, si u largua nga sankristishtja, e zgjodhi për temë doktorature” (Mitrush Kuteli; 274).

Ndërsa Moikom Zeqo, një tjetër autor që e ka njohur shumë më nga afër poetin, sqaron se “Lasgushi e ka shënjuar vetë të shkruajë për Emineskun, sepse Eminesku është poeti ku ai shihte vetveten si poet” (Moikom Zeqo; 154), ndërsa në fund të studimit mbi doktoraturën e tij, ai përcakton: “Eminesku është i rëndësishëm për Lasgushin, jo thjesht se ai e ka studiuar atë. Eminesku është një mentor shpirtëror i Lasgushit që në rininë e hershme. Studimet ne Rumani dhe Austri kanë ndihmuar jo thjesht për parapëlqimin, por për të përcaktuar thellimin në universin emineskuian, që ka natyrisht një magji dhe forcë shpirtërore centrifiguese për të (Moikom Zeqo; 157).

Një citim i tillë i filozofit mund të na hedhë më shumë dritë në një veçori tipike edhe të vetë stilit poetik të Lasgushit, përdorimit të metaforave kontrastuese, ku bashkohen sferat e koncepteve ose gjendjeve të dallueshme katërcipërisht ndërmjet tyre. Një përdorim i tillë është goxha i hershëm, në formë embrionale në fillim e paskësaj i shtrirë dhe i përsëritur shpesh në pothuajse të gjithë poezitë e tij të viteve 20-të, pra shumë vite përpara kohës së hartimit të kësaj doktorature, ndaj një ndikim i Emineskut, nuk është se mund të eliminohet plotësisht, por ai nuk bind. Shpjegimi që i bën poeti kësaj dukurie nëpërmjet Shopenhauerit, ndodhta na shpie dhe në burimin e vërtetë, përderisa edhe vetë Eminesku në kohën e tij njihej si pesimist dhe “Shopenhaueri ishte filozofi i tij i preferuar”, (Moikom Zeqo;157), sic tregon vetë Lasgushi në punimin e doktoraturës. Madje, poeti futet edhe më thellë, duke thënë se “Eminesku i lutet Zotit të ekzistencës që t’i lejojë atij qetësinë e përjetshme të vdekjes, pasi me vdekje ai do të njejtësohet me të shkuarën e lavdishme. Lasgushi këtu vëren se në këtë ide dallohet ndikimi i nirvanës, koncepti budist i popullarizuar nga Shopenhaueri” (po aty).

 Të gjithë këta tregues, na shpien në doktrinën shopenhaueriane të kuptimit të botës si celës për deshifrimin e kësaj dukurie. Aq më tepër që, siç do e shohim, kemi të bëjmë me një dukuri stilistike të përdorur aq shpesh, saqë nuk mundet të mos na japë përshtypjen e përdorimit të saj të paqëllimtë. Në masën e gjithanshme të gjetjeve dhe mundësive të shprehjes në gjuhë, figuracion, estetikë, rimë apo ritëm, që poeti ka në harkun e tij poetik, nuk mund të gjendej një shigjetë e njëllojtë për t’u lëshuar cdo herë rastësisht.

Gjithësesi, përveç këtyre treguesve të tërthortë, prova më e sigurtë dhe më e rëndësishme në pohimin e këtij pozicionimi ndaj filozofisë është disertacioni për doktoraturën i poetit me titull “Eminesku i injoruar dhe ideologjia e tij popullore atdhetare”, ku ai merret me studimin e veprës së kryepoetit rumun Mihail Eminesku.

Sa si shkruan një studiues i njohur rumun për të: “Monografia për Emineskun me të cilin poeti Lasgush Poradeci mbrojti doktoratën e vet në Universitetin e Grazit, na çudit të gjithëve me përmasat e shtrirjes,me thellësine e gjykimit e të analizave, me njohjen e thellë të letërsisë rumune e evropiane, me aftësinë për të vënë në dukje lidhjet e Emineskut me kulturën e folklorin rumun e me poezinë e filozofinë gjermane dhe botërore.

Merita e kësaj monografie nuk është vetëm zbulimi e ndriçimi i ndikimit të letërsisë e filozofisë gjermane, te poeti ynë i madh kombëtar, por edhe theksimi i mendimit se Eminesku diti ta përthithë atë brenda vetes, pa u bërë kurrë rob i saj” (George Miku;11). Të njejtën perifrazim, do të donim të vërtetonim edhe për poetin tonë në raport me filozofinë e Shopenhauerit, që ai duke e përthithur nuk u robërua ndonjëherë prej saj.

 “Shqyrtimi, që bën Lasgushi, jepet nga pozita filozofike dhe drejtuesit e tij janë profesorë të filozofisë. Madje këtij studimit ai i shtoi edhe një kapitull ku shfaqet ndikimi filozofik i Kantit. Më tej, vetë Lasgushi përmend edhe dy provime formuese, një për filozofinë e Kantit dhe një për historinë e filozofisë të shekullit XVIII, madje burimet tregojnë që në ciklin filozofik të poezive të Lasgushit do të ndikonte gjerësisht jo vetëm Kanti, por një vend të veçantë do të zinte edhe filozofia klasike gjermane me përfaqësuesit e vet më të shquar (Kant, Fihte, Sheling, Hegel, Shopenhauer, Niçe etj) dhe përkimet me filozofinë e lashtë indiane (hinduizmin dhe budizmin). (Bicaj, Konferenca; 357)

GALERI FOTOGRAFISH

“Një urë poetike ndërkulturore midis Lasgush Poradecit dhe Mihai Eminescut”
“Një urë poetike ndërkulturore midis Lasgush Poradecit dhe Mihai Eminescut”

Postime të Ngjashme