Shqip Română
Kultura

"Dora D’Istria midis lindjes dhe perëndimit" (Pjesa I)

"Dora D’Istria midis lindjes dhe perëndimit" (Pjesa I)

Dora D’Istria ka qenë publiciste dhe shkrimtare nga më të njohurat e kohës dhe është cilësuar si një ndër 10 femrat më intelektuale të periudhës ku lëvroi veprimtarinë e vet. Ajo ka botuar rreth 150 studime, monografi, libra e artikuj kushtuar letërsisë, folklorit, përshkrime udhëtimi etj. Si publiciste dhe shkrimtare Elena Gjika u bë e njohur në vitin 1855, me veprën “La vie dans l’Eglise monastique Orientale”, (“Jeta monastike në Kishën Lindore”), e cila u botua në Bruksel. Nga veprat e saj mund të përmendim: “La nationalite Albanaise d’apres les Chants populaires-Les Albanais des deux Cotes de l’Adriatique”, (“Kombësia shqiptare, sipas këngëve popullore, Shqiptarët e dy brigjeve të Adriatikut”), (1866), “Les ecrivains Albanais de d’Italia meridionalë”, (“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë së Jugut”, (1867), “Excuisses albanaises”, “Vizatime shqiptare”, (1869), “Gli Albanesi in Romania”, (“Shqiptarët në Rumani”), (1873), etj. Ajo ka bashkëpunuar me organe të rëndësishme të kohës si “Revue de Deux-Mondes”, “Independence hellenique”, “Nuova Antologia” etj.

 Kësisoj ndikimi i saj prej iluminizmit ka qenë i nivelit maksimalist, po veçanërisht interesant dhe origjinal është shpjegimi që ajo jep për  raportin midis qytetërimeve të lindjes dhe perëndimit.

Qytetërimi për Dora D’Istrian kishte kohë që ishte zhvendosur nga Lindja në Perëndim, pavarësisht nga zigzaket e domosdoshme dhe shpesh herë të dhimbshme. Asaj nuk i shkonte ndërmend të pohonte se roli i Lindjes nuk kishte pasur rëndësinë e vet për qytetërimin botëror. Përkundrazi, kultura lindore e vendeve mesdhetare, ajo greke dhe ajo arabe, kishin qenë ndërmjetëse të fuqishme për botën perëndimore.

Por sot, sipas saj, Lindja është krejt ndryshe. Ajo i dukej se ngjante me një ferr më të rëndë nga ai i Dantes, i cili kishte shkaqet e veta, por nga ana tjetër, thellë brenda saj ajo shikonte një shpirt të fuqishëm përparimtar. E ardhmja e Ballkanit, pra njëherësh e Shqipërisë dhe Rumanisë, dy vendeve të dashura për të, kujt do t’i përkiste? Vetëm perëndimit, dhe për këtë ajo ishte plotësisht e vetëdijshme.

Le ta shikojmë se si e shpjegon këtë mendim. Lufta për progres është themeli i zhvillimit njerëzor, vetëm kështu njeriu mund të bëhet qenie e vërtetë për t’u admiruar. Sa më e përparuar të jetë ajo luftë nga pikëpamja kulturore dhe shpirtërore, aq më tepër shfaqet njeriu i vërtetë. Vendet lindore janë të prapambetura për shkak të një trashëgimie të keqe nga e kaluara me mbresa të rënda e gati të pashlyeshme. Si shkak themelor të kësaj prapambetjeje ajo përcaktonte  pushtimet e huaja të zgjatura, të cilat jo vetëm nuk kanë lënë pas asgjë fisnike, por kanë zhdukur edhe gjithçka të mirë të trashëguar nga e kaluara. Ato pushtime i përngjajnë të vdekurit, i cili e mbërthen të gjallin dhe nuk e lëshon. Popujve u ka lënë varfërinë, të shoqëruar me një kllapi e mpirje të paparë.

Një e metë e madhe e kësaj trashëgimnie, sqaron ajo më pas, është se në vëndet e Lindjes dhe në Ballkan mbizotëron ndrojtja përpara shprehjes së mendimeve. Mendimi i lirë, sidomos në Ballkan, nuk ekziston. Kudo sundon frika dhe janë pushtimet e huaja që e kanë mbjellë këtë pemë shterpë që s’ka furtunë që ta shkulë.

Madje ajo është e bindur se frika dhe veset e lidhura me të janë bërë dicka gjenetike për shkak të kohës së gjatë të sundimit tiranik, i cili i bën pushtetarët arrogant dhe konfirmon ligësinë.

Kjo është arsyeja se në disa libra të saj ajo përdor termin historik  “raca pellazgjike”, në të cilën përfshin tërë popujt e nënshtruar dikur nga Perandoria Romake në fillim dhe ajo bizantine me pas në Ballkan, përpara dyndjes sllave.

 “Te kjo racë adhurimi i heronjve është i papajtueshëm me kultin e ideve, i cili është thelbi i regjimeve politiko shoqërore të lira. Ky adhurim provon domosdoshmërisht vezirizmin, ose e thënë ndryshe autokracinë. Kjo prirje për cështjet fetare e bën familjen pellazgjike të varur prej fanatizmit klerikal në sferat më të larta. Popujt e kësaj “race” janë të dhënë pas mërive të shoqëruara me dhunë  dhe si temperamente të lëvizshëm, do të degdisen gjithnjë midis anarkisë dhe despotizmit. Në qoftë se një ditë ata do t’i thyejnë idhujt e tyre, kjo do të bëhet për të ngritur në të nesërmen një kult të shoqëruar me pasione akoma dhe më të forta.”

 Ndihet në këtë mendim ndikimi i fortë i Rusoit, sipas të cilit, të heqësh dorë nga liria është e barabartë sikur të heqësh dorë nga të qenit njeri.Megjithatë, mendimet e Dora D’Istrias për veset racore të popujve të Ballkanit nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, janë kalimtare. Me të marrë fund njëherë e mirë shtypja orientale, përparimi do të jetë i shpejtë. Ashtu si dikur Hygoi kur shpalli se qëllimi ynë është që popujt të shkrihen në një të vetëm me një përqafim të përbashkët, duke ruajtur traditat dhe autonominë kombëtare, në mënyrë që Italia t’i përkasë Italisë, Polonia Polonisë, Hungaria Hungarisë, po ashtu dhe rilindsja jonë paraprirëse kishte të njejtin mendim, e bindur se edhe Shqipëria do t’i përkiste Shqipërisë si anëtare e denjë e shoqërisë perëndimore.  Ndoshta atëherë kishte njerëz të cilëve u dukej se kjo dëshirë ishte krejt e parealizueshme, por një ide e  tillë kishte zënë rrënjë të thella në zemrën e saj, pasi ajo mendonte se Shqipëria s’ishte shkëputur kurrë nga Perëndimi me dëshirën e vet.  

Në veprën “Myslymanët shqiptarë” ajo spikat aftësinë e popujve të Ballkanit për të nxjerrë nga gjiri i tyre udhëheqës të lëvizjeve kombëtare. Akuzon Pashain e Janinës për pasion të pashfrenueshëm në krahasim me Mehmet Pashë Bushatlliun. I pari u mbërthye kot me bashkëpatriotët e tij suljotë, ndërsa i dyti nuk u prish aspak me bashkëkombasit e vet katolikë, sepse për ta kombi ishte gjithçka. Sipas Dora D’Istrias kjo aleancë u dha të kuptonin se çfarë ishte në gjëndje të bënte Shqipëria kur arrinte të shuante mosmarrëveshjet e saj. “Një komb, shkruan ajo për shqiptarët, i aftë për të bërë mrekullira, nuk mund të pajtohet lehtë me pushtuesit. Si edhe Roma, Stambolli nuk do t’ia dalë dot”.

Tomas Maserik, në librin “Rusia dhe Evropa” pohon me forcë se e para duhet të zbresë në Perëndim dhe jo kjo e fundit të ngjitej në Lindje. Po njëlloj, edhe rilindsja jonë pohon se Evropa në procesin e saj historik do të gjejë rrugën e zgjidhjes së bashkimit të saj të plotë. Ajo do ta ndihmojë Ballkanin, por me kusht që ky të jetë në gjëndje të ndihmojë vetveten. Të mrekullon edhe sot afëria e mendimeve të tyre. 

Ja se si shkruan Nikolla Jorga për të: “Tërë jetën ajo mbrojti çështjen e drejtësisë, propagandoi reforma politike dhe shoqërore për të ardhmen, u shkri në revolucionin e mendimit. Për këtë mund të quhej jo vetëm udhëheqësja shpirtërore e Rilindjes, por edhe filozofe e historisë”.

Veçanërisht proverbiale ishte neveria e saj ndaj rregjimit tiranik. “Ky regjim, është një shoqëri Kainësh, që zhduk vëllezërit e tij, të cilët, megjithatë,  nuk janë të gjithë Abelë. Kjo aftësi nuk është guxim, as trimëri, por vetëm pabesi”.

 Po njëlloj, në kulm shkon kjo neveri edhe për karakterin oriental aziatik. “Në Azi, stuhitë e revolucionit akoma nuk kanë kaluar dhe plehrat shpirtërore kanë mbetur në këmbë rrugëve. Sundimtarët aziatikë detyrë të ditës kanë përdhosjen e karaktereve nëpërmjet përhapjes së skamjes dhe varfërisë, ndërkohë që të mëdhenjtë nuk janë veçse parazitët, zvarranikët… Tirania e tyre është mbretëria e bollave dhe bretkosave”.

Dora D’Istria urren edhe ligjin lindor politik gërryes, mefshtësinë e popullësisë, sundimin e fatalizmit dhe përtacisë, që prodhojnë lajkatarët dhe fjalamanët me të cilët mbushen oborret mbretërore e princore dhe për shkak të verbërisë politike nuk mendojnë kurrë se bota njerëzore është ne ndryshim dhe se nesër do të ketë stuhi. Ajo e pranon se në historinë e popujve të vecantë ka disa momente, sidomos periudha më të vështira, kur njerëz jo të paktë, të gjendur para një mpirje fizike dhe krize morale, vijnë në përfundimin se janë të dënuar për t’u nënshtruar dhe për t’u rropatur. Por kjo është një periudhë e shkurtër. Etja për qytetërim te popujt është e pafundme. Lufta për lumturinë nuk ndërpritet, pavarësisht nga kthesat e dhimbshme të historisë. Popujt nuk janë një racë e ulët, as e fëlliqur, ata u përngjajnë Llazarëve që me vështirësi çohen nga varri.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i mendimit të saj është besimi se toleranca dhe mendimi i lirë janë një. Të braktisësh botën e arsyes dhe të shkencës është t’i japësh provën e një mendje të dehur dhe karakteri të ulët. Asnjë shoqëri europiane nuk mund t’i shpëtojë progresit, sepse gjithçka i nënshtrohet transformimit të përjetshëm.“E ardhmja  i takon demokracisë, deklaron ajo, domosdo mbi bazën e një edukate të lartë, e cila është më e rëndësishme se arsimi dhe fitorja e së cilës është shumë më e vështirë nga fitoret e korrura në fushat e betejës”.

Vihet re tek ky mendim një unitet i brendshëm me një tjetër mendimtar të viteve 30-të, Branko Merxhani, i cili i mëshonte shumë dallimit midis mësimit dhe edukimit. Ja si e shpjegon ajo këtë ide. Nuk mjafton ta bësh arsimin të detyruar. Ai u duhet besuar njerëzve të zgjuar e të nderuar dhe me karakter të shëndoshë e të vendosur për edukimin njerëzor. Ajo hedh poshtë në këtë pohim mendimin e Rusoit, sipas të cilit njeriu sa më pak i kulturuar që të jetë aq më pak i padjallëzuar është. Përkundrazi, shprehet mendimtarja, kultura e vërtetë e transformon njeriun. Demokracia s’ është gjë tjetër vecse rregjimi politik që pajtohet plotësisht me instinktin e pandalshëm të popullit drejt progresit pambarim. Vihet re në këtë besim një pathos i spikatur i iluminizmit më përparimtar të kohës.

Në përfundim, nëse do ta përmblidhnim vizionin e mendimit të saj, do të thonim se ajo ishte një nga personalitetet më njerëzorë dhe më demokratë të diasporës shqiptare. Nuk lëshonte kurrë rënkime dëshpëruese për gjendjen e mjeruar të  popujve të shtypur, por britma lirie. Nuk ka asnjë vepër të  vetme ku zonja jonë e madhe të mos ndalet në problemin e thesarit të shpirtit njerëzor, siç e shprehte ajo problemin e lirisë. “Liria e shkruar me lulen e çiltërsisë dhe ligjshmërisë është ilaçi më i mirë për të kapërcyer pengesat që i dalin përpara demokracisë. Vetëm kështu ajo nuk do të kthehet në shthurrje.”

 Ç’largpamësi dhe ndërgjegjie rrezaton edhe sot ky mendim. E pranë tij ajo vendos edhe një tjetër, po kaq tematik dhe të theksuar në vitet 30-të, siç është rëndësia e punës si domosdoshmëri jo vetëm për progresin, por sepse pa të jeta njerëzore do të mbetej krejt pa kuptim, pa asnjë zhvillim, kënaqësi e gëzim. “Tek ajo njerëzit gjejnë vetveten, me punën ata zgjohen në mëngjes, përqëndrohen ditën, ëndërrojnë natën. Puna është një ngazëllim e mrekulli, më krenarja nga të gjitha magjepsjet e magjistarëve të Thesalisë, forca e saj e kapërcen atë të harkut të Apolonit, çomangës së Herakliut apo shpatës së Perseut”.

Toni prej zotash e hyjnish që ajo përdor për të theksuar domosdoshmërinë e punës të kujton një tjetër mendimtar të madh si Lumo Skëndo, që shpëtimin e shqiptarit nga veset e shihte te puna dhe formimi i një karakteri të shëndoshë. Nga të gjitha këto pikëtakime që gjetëm në analizën e mendimit të kësaj autoreje me mendimtarët e viteve 30-të, mund të themi me plot të drejtë se trajektorja e vijueshmërisë së këtij mendimi shkon shumë më thellë në histori, duke mbrritur deri te mendimi paraprirës iluminist i Dora D’Istras. Historiane, filologe dhe etnologe me njohuri të thella, ajo mund të titullohej fare mirë edhe si “unazë qytetërimi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”.


(Referencat i mbeten autorit) 

GALERI FOTOGRAFISH

"Dora D’Istria midis lindjes dhe perëndimit" (Pjesa I)
"Dora D’Istria midis lindjes dhe perëndimit" (Pjesa I)
"Dora D’Istria midis lindjes dhe perëndimit" (Pjesa I)
"Dora D’Istria midis lindjes dhe perëndimit" (Pjesa I)

Postime të Ngjashme