Arumunët janë një grup etnik dhe komb autokton me shtrirje gjeografike vendbanimesh në të gjitha shtetet e Ballkanit. Ata flasin gjuhën arumune, e cila renditet në një nga gjuhët latine, por është e përafërt me gjuhën rumune dhe atë italiane. Gjuha është elementi kryesor i vetëdijes së një etnie apo thënë ndryshe një minoriteti. Gjuha arumune është gjuha amtare e popullit arumun.
Arumunët i gjejmë në shtete të ndryshme si Shqipëria, Greqia, Maqedonia, Bullgaria, Rumania dhe Serbia. Kjo popullsi është e vjetër, autoktone, gjeneza historike dhe mbijetesa ekzistenciale e kësaj popullate është përballur me një mori luftërash dhe përpjekjesh të vazhdueshme kundër sulmeve dhe planeve të përgjakshme me karakter asimilues nga ana e armiqve të ndryshëm. Por, edhe pse arumunët u gjendën pa organizim të pavarur shtetëror deri nga shek. XVIII-të, ata kanë ditur të mbijetojnë në gjirin e popujve të tjerë ballkanikë pa u asimiluar prej tyre.
Shumica e Arumunëve kanë banuar në qytetin e atëhershëm Voskopojë, i cili u dogj nga Ali Pasha dhe ku arumunët u detyruan të braktisin vendbanimet e tyre për t’u shpërngulur në zona të tjera, si Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Rumania dhe Serbia.
Aktualisht, arumunet në territorin shqiptar ndodhen të përqëndruar në pjesën jug-lindore, në atë të mesme dhe jug-perëndimore të Shqipërisë. Po ashtu, ata shtrihen edhe në shtetet e tjera të Ballkanit si në Greqi, Maqedoni, deri në SHBA, në Gjermani, Kanada, Australi, Argjentinë e me tutje si emigrantë ekonomikë ndër vite.
Trashëgimia historike, kulturore dhe gjuhësore e kombit arumun ka qenë në qendër të interesit shkencor të studiuesve europianë dhe botërore, këtu përmendim qendrën e studimeve arumune me në krye profesor V. Barben, e cila ndodhet në Fraiburg të Gjermanisë. Në veprat dhe studimet gjuhësore të personaliteteve të huaj dhe arumunë si: prof. Charles Speroni, Karlo Golino, Weigand, Thunman, Pukëvili, Rosetti, Jorga, Matilda Karaxhiu Marioceanu, N. Saramandu, K. Këndroveanu, V. Barba, Friedman, Peyfuss, Th. Kahl, H.M. Gauger, T. Ëinnfrith, Th.Kapidan, P. Papahaxhi, Burileanu, Pushkëriu, etj ka shumë kontribute dhe informacione të rëndësishme për sa u përket arumunëve.
Gjithashtu dhe studimet gjuhësore, historike, folklorike dhe krijimet letrare me vlerë ideoartistike të V. Mustakës, A. Kristos, K. Mitres, S. Fuqit, Dh. Fuqit, Th. Cikos, I. Kolonjës, Dh. Fallos, Tarushës, Bashut etj. dhe kronikanit me emër I.M. Qafëzezi, janë me një vlerë të madhe kulturore.
Besimi fetar, njësoj si fati historik i pavarësimit të këtij kombi, ka kaluar në të njëjtin kalvar vuajtjesh, duke i mbijetuar politikave konvertuese për të ruajtur rrënjët e religjionit ortodoks. Në kohë, Bizanti bëri të gjitha përpjekjet të konvertonte popujt në Helenë, ata që Roma i kishte kthyer dikur në Romakë. Po ashtu dhe latinishten e gjuhët e tjera vendase i zëvëndësuan me gjuhën Greke. Helenizimi mori autorsinë dhe të krishtërimit, ku çdo i krishterë quhej grek.
Arumunët kanë qenë promotorë të disa prej punëve më me rëndësi për ndërtimin e qytetërimeve gjatë periudhave të ndryshme kohore, me profesione si blegtorë, zejtarë, tregtarë, mirëmbajtës kanalesh, ujësjellsave, ndërtues banesash urbane e kishtare, si dhe ndërtues urash. Kjo karakteristikë dhe pasuria kulturore, etnografike etj ishin edhe arsyeja se përse vende të ndryshme kërkonin të përvetësonin këtë komb dhe atributet e tij, si vlera për shtetet e tyre. Por ka patur jo pak raste, kur mençuria dhe aftësia e përshtatjes së arumunëve kanë prodhuar një bashkëjetesë në harmoni, e cila ka pasur shpërblime jo të vogla, si përfshirja e tyre në jetën sociale, poste qeveritare apo aktivizim politik. Ky rast ravijëzohet sidomos në raport me popullsinë shqiptare, të cilët kanë qenë mbështetës dhe nxitës të njëri tjetrit, duke gjetur edhe sinergjitë me të kaluarën historike. Vlen të përmendim këtu Mbretërinë shqiptaro - arumune të Prespës, e cila ka qenë një nga bashkëjetesat më të suksesshme, që i ka udhëhequr drejt fitoreve ndaj shtypësve të jashtëm; nën drejtimin e Kontit Samuel në vitet 976-1017, duke patur si kryeqendra Ohrin dhe Durrësin, popullata shqiptaro-rumune njohu jo vetëm zhvillim të organizimit të përbashkët shtetëror, por edhe arriti t’ju mbijetojë tentativave të herëpashershme për pushtim.
Edhe pse sot minoriteti arumun në disa vende të botës karakterizohet nga një numër i konsiderueshëm banorësh që justifikon (plotësimi i garancisë ligjore) si elementë shtetformues, përsëri gjenden në një situatë të vështirë, të panjohur në dritën e ligjit, pa mbështetjen e duhur financiare apo përfaqësimin së organet vendimmarrëse, me një rrezik potencial dhe fatal, atë të asimilimit total deri në shuartjen e kësaj etine në zonë.
Aktualisht, po ndodh fenomeni i harresës historike, sepse personat që e zotërojnë gjuhën “prindërore”, gjuhën e nënës, gjuhën amtare, gjuhën arumune dhe njohin mirë kulturën dhe historinë e këtij kombi, janë të moshuar dhe brezat pasues ose e njohin pjesërisht, ose nuk e kuptojnë dhe as e flasin, duke dashur të mos ndihen të veçuar, të përjashtuar nga mundësitë e përfitimit ekonomik të shtetet ku gjenden dhe deri tek egzocentrizmi, duke nënvlerësuar kulturën e tyre dhe mbivlerësuar kulturën e gjetur në vendin jetues. Por, jo të pakta janë edhe rastet kur ndiqen axhenda të posaçme diskriminuese si moskrijimi i kushteve për kultivimin e gjuhës dhe kulturës tek brezi i ri, të paktën nëpër shkollat e vendeve ku ata janë në masë, apo refuzimi i lejimit të zhvillimit të aktiviteteve që lidhen ngushtësisht me glorifikimin dhe përkujtimin e datave dhe proceseve historike dhe thelbësore për zhvillimin e këtij komuniteti, patjetër që ka vetëm një fund të padrejtë, asimilimi total dhe harresa kombëtare.
“Arumunët sy dhe duarartë kanë bërë këpucë me porosi për botën dhe vetë mbetën pa këpucë!”-shprehet një plak i moçëm arumun. Ka ardhur koha që vetë arumunët të mendojnë për veten e tyre që të mos-asimilohen, të mos-humbasin, por të gjurmojnë dhe promovojnë dhe më pas trashëgojnë nga brezi në brez historinë, kulturën, traditat, folklorin e pasur të Arumunëve të Ballkanit.