Në dhjetor të këtij viti u mbushën 100-vjet që nga dita kur qeveria rumune dërgoi një përfaqësues diplomatik pranë autoriteteve shtetërore të Qeverisë së Durrësit në Shqipërinë e pavarur, duke pranuar, pa mëdyshje, ekzistencën e shtetit të ri shqiptar. Më konkretisht, Qeveria e Bukureshtit ishte e para qeveri europiane që i shtriu dorën miqësore autoriteteve të reja shqiptare, duke konfirmuar marrëdhëniet e mira që kishin rumunët dhe shqiptarët përgjatë historisë. Kësisoj, duke filluar nga 15 dhjetori i vitit 1913, mbretëria e Rumanisë dërgoi Ministrin Fuqiplotë dhe të Jashtëzakonshëm, N. Burghele, pranë Qeverisë Shqiptare. Qysh nga ajo kohë e deri më sot, shteti rumun ka akredituar në Tiranë 21 përfaqësues të lartë diplomatikë, ashtu si dhe Tirana ka dërguar një numër të barabartë ambasadorësh në Bukuresht.
Për të shënuar këtë ngjarje, Ministria e Jashtme në Bukuresht, në bashkëpunim me Lidhjen e Shqiptarëve të Rumanisë, organizoi një tryezë të rrumbullakët, që kishte si temë njëqind vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Rumanisë dhe Shqipërisë. Nga ana e Ministrisë së Jashtme të Rumanisë morën pjesë Sekretari i Shtetit pranë kësaj ministrie, z. Radu Podgorean, z. Viorel Stanila, ambasadori aktual i Rumanisë në Tiranë (i cili edhe inicioi dhe përkrahu këtë projekt) si dhe George Micu, ish-ambasador i Rumanisë në Shqipëri. Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë përfaqësohej, nga ana tjetër, nga znj.Oana Manolescu, përfaqësuese e pakicës shqiptare në Parlamentin rumun, Marius Dobrescu gazetar dhe shkrimtar, kryeredaktor i revistës “Miku i Shqiptarit”. Në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Bukuresht, historianë dhe studiues në fushën e shqipes, gazetarë e përfaqësues të masmedias rumune. Në këtë veprimtari mori pjesë, gjithashtu, Luan Topçiu, diplomat dhe studiues, autor i shumë librave me studime kushtuar edhe marrëdhënieve kulturore midis Rumanisë dhe Shqipërisë. I ardhur nga Tirana, i ftuar posaçërisht për këtë eveniment, ishte shkrimtari shqiptar dhe botuesi Fahri Balliu, së bashku me artistin e mirënjohur, piktorin Ali Oseku.
Në fjalimet e tyre, të pranishmit përmendën faktet historike, duke vënë theksin tek ndjenjat e përbashkëta kulturore mes Shqipërisë dhe Rumanisë. Në fjalën e tij, Radu Podgoreanu, ministri i Jashtëm mbajti një ligjëratë: "100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Rumanisë dhe Shqipërisë është një trashëgimi jashtëzakonisht e vlefshme dhe këtu në Ministrinë e Punëve të Jashtme na ofron një rast për të kujtuar momentet më të rëndësishme në marrëdhëniet tona dypalëshe, duke përfshirë edhe ekspozitën e dokumenteve që mund të gjenden në sallën auditor Gafencu", tha ai. Nga ana tjetër, deputeti i minoritetit shqiptar në parlamentin rumun, Oana Manolescu, u foli të pranishmëve për të kaluarën dhe të tashmen e këtij komuniteti në kontekstin e lirisë së plotë që gëzojnë sot në Rumani. "Shqiptarët në Rumani ishin gjithashtu trupa elitë roje të karakterizuara nga ndershmëria dhe trimëria dhe kanë luftuar për mbrojtjen e territoreve rumune. “Në fakt, shqiptarët përfaqësojnë sot minoritetin që është integruar më së miri dhe që ka pasur një mirëkuptim me popullatën vendase dhe rumunët në jug të Danubit ishin një kordon për këtë qëllim”, u shpreh Manolescu.
Në fund të ceremonisë, shkrimtari shqiptar Fahri Balliu u nderua me “Diplomën e Ekselencës” nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë dhe me “Diplomë Nderi” nga Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë, "për kontributin e veçantë në kultivimin e marrëdhënieve kulturore midis Rumanisë dhe Shqipërisë". Në fjalimin e tij, botuesi Fahri Balliu ka theksuar se marrëdhëniet midis Rumanisë dhe Shqipërisë janë, mbi të gjitha, marrëdhëniet shpirtërore. “Miqësia jonë nuk është vetëm një formulë e zakonshëm diplomatike, por një realitet i thellë shpirtëror”. Në kuadër të kësaj, botuesi Balliu u shpreh se nëpërmjet bashkëpunimin në kulturë, të dy kombet mund të vazhdojnë traditën e çmuar të marrëdhënieve miqësore midis tyre.
Më tej, publicisti Fahri Balliu nënvizoi rolin e madh që ka luajtur Rumania në Rilindjen Kombëtare Shqiptare dhe në pavarësinë e Shqipërisë. Fahri Balliu është i njohur në Rumani me librat e tij të përkthyer dhe botuar nga "Humanitas" dhe "Weather", botime të pritura mjaft mirë nga lexuesit rumunë. Duhet theksuar se pas Ismail Kadaresë, Fahri Balliu është shkrimtari më i përkthyer në gjuhën rumune.
Marrë nga revista dygjuhëshe rumanisht-shqip “Miku i Shqiptarit”