15 vjet pasi Rumania dhe Bullgaria u bënë pjesë e Bashkimit Europian, shumë banorë thonë se të dyja vendet ish-komuniste, janë në një gjendje më të mirë se më parë.
Por ato kanë ende një rrugë të gjatë përpara, për t’i dhënë fund korrupsionit dhe për të siguruar një rritje ekonomike që do të inkurajonte qytetarët të qëndronin në vend dhe të mos largoheshin për të kërkuar mundësi financiare diku tjetër.
“Fondet e BE-së për ne janë si paratë e gazit për Rusinë, apo paratë e naftës për Arabinë Saudite”, tha Cristian Ghinea, i cili shërbeu si ministër i Rumanisë për fondet europiane, deri disa muaj më parë. Zonat rurale dhe fshatrat janë pajisur me sistemet e para të menaxhimit të mbetjeve, si një ndër përfitimet konkrete të anëtarësimit në bllok.
Por paratë nga BE-ja nuk kanë qenë aq të shumta sa për të rritur në mënyrë të mjaftueshme cilësinë e jetës në Bullgari dhe në Rumani.
Ende ekzistojnë nivele alarmante të varfërisë së fëmijëve. Para pandemisë së koronavirusit, jetëgjatësia mesatare ishte 74.91 vjeç në Bullgari dhe 75.46 vjeç në Rumani, në krahasim me mesataren e BE-së prej 81.3 vjeç. Pandemia ka ekspozuar probleme të thella në sistemet e kujdesit shëndetësor që janë të vjetruara dhe vuajnë nga mungesa e fondeve.
Kushte të tilla i kanë nxitur me miliona rumunë dhe bullgarë që të përfitojnë nga politika e “lirisë së lëvizjes” brenda bllokut dhe të largohen nga Europa Juglindore, për të jetuar dhe për të punuar në Perëndim.
Ghinea ka pranuar se “përfitimet e mëdha” të anëtarësimit në BE janë shoqëruar edhe me pengesa domethënëse si dukuria e “largimit të trurit” që ka krijuar “diaspora të mëdha” në Itali, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetiu në Perëndim.
“Bëhet fjalë për gati 4 milionë njerëz”, tha Ghinea. “Janë larguar shumë të rinj, të talentuar, të cilët do të kishin qenë tepër të dobishëm për vendin”.
Më shumë se 1 milion rumunë aplikuan për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar, sipas një programi qëndrimi pas Brexit. Numri i shtetasve rumunë të punësuar në Gjermani u rrit nga rreth 88,000 në janar 2014, në pothuajse 463,000 në shtator 2021, sipas Agjencisë Federale të Punësimit të Gjermanisë.
Diana Ruseva, 39 vjeçe, u zhvendos nga Bullgaria në Londër në vitin 2007, për të punuar dhe për të studiuar dhe vendosi të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar edhe pas Brexit. Ruseva mendon se anëtarësimi në BE ka pasur rezultate të përziera për vendlindjen e saj.
“Kanë ndryshuar shumë gjëra, por në të njëjtën kohë, edhe nuk kanë ndryshuar, – tha ajo. – Standardi i jetesës është përmirësuar shumë. Shumica e njerëzve të moshës sime gëzojnë të njëjtin standard jetese si unë në Mbretërinë e Bashkuar”.
Në të njëjtën kohë, infrastruktura e pazhvilluar, rrugët e rrezikshme dhe nivelet e rënda të burokracisë, mund të sjellin një “stres me të cilin njerëzit duhet të përballen çdo ditë”, tha Ruseva.
Bullgaria dhe Rumania aplikuan për anëtarësim në BE në mesin e viteve 1990 dhe ndoqën rrugë të gjata për t’u bërë pjesë e bllokut më 1 janar 2007. Një nga kushtet kryesore ishte që të dyja vendet të luftonin korrupsionin e përhapur dhe në rastin e Bullgarisë, edhe krimin e organizuar.
Pavarësisht se Brukseli nisi një proces monitorimi, të dyja vendet kanë bërë një përparim të ngadaltë në luftimin e korrupsionit.
Si Rumania, ashtu edhe Bullgaria, arritën rezultatin 44 nga 100 pikë, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2020 nga Transparency International (TI), ku 100 konsiderohet niveli më pak i korruptuar. Ndërsa Bullgaria është ngjitur me tre pikë që nga viti 2012, në renditjen globale të vendeve nga TI, rezultati i Rumanisë nuk ka ndryshuar.
Megjithëse mbeten një sërë mangësish, ka pasur përmirësime të dukshme.
Që nga viti 2007, pagat në të dyja vendet janë rritur në mënyrë të qëndrueshme. Paga minimale bruto në Rumani u rrit nga 390 lei (79 euro) në vitin 2007, në 2300 lei (465 euro) në vitin 2021, sipas kompanisë së të dhënave Statista. Pagat në Bullgari kanë ndjekur një trajektore të ngjashme.
Presidenti rumun, Klaus Iohannis, deklaroi me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të vendit të tij në BE se “rruga europiane mbetet në mënyrë legjitime e vetmja mundësi për prosperitetin, stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të Rumanisë”.
Ky mendim ndahet gjerësisht nga qytetarët rumunë dhe bullgarë. Një sondazh publik i vitit 2021, zbuloi se qytetarët i besonin Bashkimit Europian, dy herë më shumë sesa qeverive të tyre.
Protestat masive antiqeveritare kanë tronditur qeveritë në Bukuresht dhe Sofje në vitet e fundit, të nxitura nga shqetësimet për dëmtimin e demokracisë.
Ekspertët thonë se mosbesimi i thellë ndaj autoriteteve qeveritare – një dukuri e zakonshme në vendet postkomuniste – shpjegon pjesërisht pse Rumania dhe Bullgaria janë dy vendet më pak të vaksinuara të BE-së, me vetëm 48% dhe 33% të popullsisë së tyre të rritur të vaksinuar plotësisht kundër COVID-19.
Paqëndrueshmëria politike në të dyja vendet, që muajt e fundit kanë raportuar disa nga normat më të larta të vdekshmërisë nga COVID-19, ka pasur një efekt tejet negativ. Megjithatë, njerëzit që zgjodhën të qëndrojnë në Bullgari dhe Rumani që kur vendet u anëtarësuan në BE, nuk mendojnë se Brukseli është përgjegjës për faktin se dy shtetet nuk kanë arritur të kapin nivelin e zhvillimit të pjesës tjetër të BE-së.
Në rastin e Rudolf Joachim Poledna, i cili jeton në fshatin Saschiz, pothuajse 300 kilometra në veri të kryeqytetit të Rumanisë, Bukureshtit, një grant i BE-së për zhvillimin rural me një vlerë prej 100,000 eurosh (112,000 dollarë), e lejoi atë të ndërtonte një bujtinë me katër dhoma gjumi, dhe falë kësaj, ai dhe familja e tij e re, “nuk do të largohen nga vendi”.
“Për të rinj si ne, nuk ka mundësi më të mirë financimi se fondet e BE-së – tha Poledna. – Më kujtohet ende si ishte Rumania para hyrjes në BE. Sipas standardeve të sotme, ishte një vend mjaft i varfër”