Me rastin e "Ditës së Gjuhës Rumune", Fondacioni H. Martineau i drejtuar nga zj. Entela Binjaku, në bashkëpunim me Ambasadën e Rumanisë në Shqipëri organizoi nje event në ambjentet e Ambasadës, ku morën pjesë të ftuar, miq dhe dashamirës të Rumanisë, si dhe anëtarë të ndryshëm të shoqatave arumune në Shqipëri. Fjalën hapëse e mbajti Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Octavian Șerban, i cili theksoi dhe një herë rolin që gjuha amtare ka në ruajtjen dhe trashëgimin e traditave dhe kulturave të popujve, ku theksin e vuri tek gjuha Rumune dhe tek dialekti arumun, dialekt i cili është shumv i rëndësishëm për kulturën, traditat dhe zakonet e komunitetit arumun në Shqipëri dhe në mbarë botën. "Ruajtja e gjuhës amtare dhe komunikimi në gjuhën amtare është shumë i rëndësishëm në mbrojtjen dhe trashëgimin e traditave, kulturës dhe zakoneve te komunitetit arumun në Shqipëri" - theksoi zoti Ambasador, i cili vazhdoi më tej duke thënë se "ju (shënim redaksia: ne) duhet të jemi të vetëdijshëm dhe krenarë për gjuhën dhe traditën që keni, dhe duhet të transmetoni këto brez pas brezi, për ti ruajtur dhe pvr të mbajtur gjallë kujtimin e të parëve tuaj të cilët kanë luftuar për to dhe ja u kanë trashëguar dhe ju. Eshtë mëse normale që globalizimi dhe ndërkombëtarizimi të ndikojë nv zbehjen e traditave apo zakoneve të vjetra, por arumunët e kanë treguar ndër shekuj që kanë një prejardhje tepër solide që nuk zhbëhet lehtësisht. Për të ruajtur traditat, kulturën dhe gjuhën e të parëve, duhet ti praktikoni ato, dhe gjithcka fillon nga gjuha pasi duke bashkebiseduar në gjuhën e të parëve, edhe kultura por edhe traditat ruhen, praktikohen dhe vihen në dukje. Duhet të jeni krenarë për gjuhën e të parëve tuaj.".
Në të njëjtën linjë idesh dhe mendimesh ishte edhe z. Pano Bakalli, një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të shoqatave arumune në Shqipëri i cili është edhe shembulli më i mirë për sa i përket përdorimit në përditshmëri të gjuhës amtare, të dialektit Arumun, si dhe në ruajtjen dhe përcjelljen në brezat e rinj të kulturë, traditave dhe zakoneve të arumunëve.
Me rastin e këtij evenimenti, Sh.T. Octavia Șerban njoftoi edhe të gjithë të interesuarit se në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin e Korçës "Fan S. Noli", Qeveria e Rumanisë do të ofrojë një bursë me vlerë 500 Euro për studentët të cilë do të studiojnë në kuadër të këtij universiteti gjuhën Rumune dhe dialektin Arumun. "Ky është një hap i madh dhe një kontribut i madh që vjen nga Qeveria e Rumanisë dhe populli Rumun në mbështetje të komunitetit dhe minoritetit Arumun në Shqipëri" - tha më tej z. Șerban.
Në fjalën e saj zj. Binjaku falenderoi Ambasadorin e Rumanisë në Shqipëri si dhe Qeverinë dhe Popullin Rumun për ndihmën e herë-pas-hershme që i ofron komunitetit dhe minoritetit Arumun në Shqipëri, duke ofruar mbështetje logjistike, akademike dhe financiare në ruajtjen dhe percjelljen e metejshme tek brezat e rinj të kulturës, traditës dhe dialektit Arumun. "Ambasada e Rumanisë në Shqipëri dhe Departamenti për Rumunët e Kudogjendur dhe institucione të tjera të qeverisë Rumune janë gjithmonë pranë nesh duke na mundësuar organizimin e evenimenteve të ndryshme dhe duke na mbështetur në çdo iniciativë që ne kemi" - theksoi më tej zj. Binjaku.
Evenimenti më pas vazhdoi me një Ekspozitë me punime pirografie të realizuara nga një studente mjekësie në Bukuresht, anëtare e komunitetit Arumun, zjsh. Klea Malka, e cila ka gëdhëndur në zjarr në objekte druri figura të rëndësishme të artit dhe kulturës Shqiptare dhe Arumune, si dhe peisazhe të ndryshme. Pirografia është arti i gdhendjes së dizenjove në objekte të ndryshme prej druri, lëkure, kocke etj. me ndihmën e një maje metalike të ndezur në zjarr ose me një prerës termik, një aktivitet që zjsh. Klea Malka e kryen që në vegjëli.
Në këtë eveniment ishin të ftuar dhe morën pjesë edhe anëtarë të stafit të projektit "Tricolor Albania".
Në mbyllje të këtij evenimenti, Sh.T.Z. Șerban shprehu dhe një herë gadishmërinë e tij personale dhe të gjithë stafit të tij në mbështetje të çdo iniciative që do të ndërmerren nga shoqatat e arumunëve në vend dhe përfaqësuesit e tyre.