Shqip Română
Sociale

Një Mesazh i Fortë nga Policia Rumune: “Dikush të Pret në Shtëpi”

Një Mesazh i Fortë nga Policia Rumune: “Dikush të Pret në Shtëpi”

Në prag të festave të Pashkëve, Policia e Rumanisë ka publikuar më 17 prill një spot ndërgjegjësues me një mesazh të thjeshtë, por tejet domethënës: “Festat janë për t’u përjetuar me gëzim dhe lumturi, e jo me trishtim. Vozit me përgjegjësi. Dikush të pret në shtëpi.”

Spoti është shpërndarë në rrjetet sociale të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ka në qendër ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve për rreziqet që sjell pakujdesia në drejtimin e makinës. Me një ton njerëzor dhe emocional, fushata synon të prekë ndërgjegjen e çdo shoferi dhe t’i rikujtojë atij se pas çdo udhëtimi qëndron një familje, një nënë, një fëmijë, një mik që pret kthimin e sigurt.

Ky lloj komunikimi përforcon rolin e institucioneve publike jo vetëm si garantë të rendit, por edhe si aktorë aktivë në edukimin dhe parandalimin e tragjedive rrugore. Në një periudhë kur rrugët mbushen me udhëtarë dhe emocionet janë të larta, një mesazh i thjeshtë mund të bëjë diferencën mes jetës dhe humbjes.


"Jam ndër të parët që mbërrij në një vend aksidenti rrugor.
Shpeshherë është shumë vonë.
Kam parë telefona që ende bien; njerëz të cilët nuk mund të përgjigjen më; dhe familje të cilat nuk e dijnë se çfarë do të marrin vesh më vonë.
Shpeshherë unë kam ndezur një qiri buzë rrugës, ndaj përpara festave, kur të gjithë nxitojmë për në shtëpi, Ju Lutem, vozitni me përgjegjësi e kujdes, dhe patshi rrugën e mbarë.
Mos u ktheni në një kujtim.

Festat janë për t’u përjetuar me gëzim dhe lumturi, e jo me trishtim. Vozit me përgjegjësi. Dikush të pret në shtëpi.
" - thekson oficeri ne video.

T’i kujtojmë vetes dhe të tjerëve: vozitja me përgjegjësi është një akt dashurie ndaj atyre që na presin në shtëpi.

Postime të Ngjashme