Shqip Română
Turizëm

10 vendet më të rëndësishme për tu vizituar në Rumani

10 vendet më të rëndësishme për tu vizituar në Rumani

Akoma nuk ke bërë plane për pushime? Është momenti të besh gati bagazhet dhe të shkosh me pushime në Rumani – sepse ke çfarë të vizitosh – që nga peisazhet unike, kulturore dhe tradicionale, e duke vazhduar me kuzhinën e shijshme dhe njerëzit mikpritës.

Rumania ka në trashëgiminë botërorë UNESCO 6 vende kulturore (Kisha e Moldovës, Manastiri i Horezu, fshatrat me kisha te fortifikuara te Transilvanisë, Kalatë Dake të maleve Orastie, qëndra historike e Sigishoaras dhe kishat e drurit në Maramuresh) dhe dy vende natyrale (Delta e Danubit, pyjet shekullore të virgjëra të ahut të Karpateve).

Me poshtë janë 10 arsyet përse duhet ti kalosh pushimet në Rumani edhe se lista mund të jetë edhe më e gjatë:

  1. Sigishoara (Sighișoara)

Sigishoara ose “Perla mesjetare e Rumanisë” ndodhet në zemër të Transilvanisë dhe është një nga të paktët qytete mesjetare në botë aktualisht, por dhe i vetmi qytet i ruajtur mirë dhe i populluar. Qyteti ndodhet në një kodër, ku shumë kohe më parë ka qene ndërtuar Kalaja e Sigishoarës. Është një qytet i vogël por mund të magjepsi çdo turist që e do historinë veçanërisht për shkak të legjendës qe lidhet me të atin e Vlad Cepesh (Vlad Tepes – Dracula) i cili jetonte ne kështjellë.

Plani I qytetit apo kalasë mesjetare është karakteristik për qytetet gjermane të themeluara në mesjetë (ky stil gjendet ne qytete si Rothenburg, Nuremberg).

Ndërtesat në Qendrën e Vjetër kanë një bukuri te veçantë, ngjyrat pastel që  kanë ngelur relativisht te pandryshuara. Ato dikur ishin të banuara nga personalitete të mëdha rumune dhe gjermane, dhe gjatë rrugës u shndërruan në njësi artizanale dhe tregëtare.

Çdo vit në Sigishoara mbahet festivali mesjetar i quajtur “Medieval Sighisoara”, i cili çdo vit vjen me aktivitete dhe shfaqje të ndryshme që synojnë të kënaqin turistët vendas dhe të huaj për disa ditë.

Vendet që mund te vizitoni në Sigishoara janë:

  • Sheshi qendror i qytetit (Piata Cetatii)
  • Kulla e Sahatit
  • Kulla e Farketarit
  • Kisha ne kodër (Biserica din deal)

  1. Delta e Danubit (Delta Dunării)

Delta e Danubit është një nga vendet më të bukura për t’u vizituar apo për të kaluar pushimet ne Rumani. Është një vend jo aq i mbushur me njerëz sa bregdeti apo vendpushimet malore, por është një vend me peisazhe mahnitëse. Në Danub ka kanale në të cilat mund të bëni një shëtitje me varkë apo me anije; ka edhe ishuj të vegjël ku jetojnë krijesa të vogla dhe zogj të ndryshëm. Delta e Danubit është një thesar me famë botërore, edhe pse me kalimin e kohës njerëzimi është modernizuar, vendasit ruajnë të njëjtin stil jetese. Monumentet që gjenden këtu kanë ruajtur karakteristikat dhe modestinë. Kjo është një rezervë biosfere, e përfshire në trashëgiminë e UNESCO-s duke qënë objektivi i parë ne Rumani për nga rëndësia dhe bukuria. Qoftë për herë të parë kur vijnë turistët në Danub, qoftë edhe kur rikthehen, ata nuk mund të mos mbeten të impresionuar çdo herë nga kjo bukuri natyrore. Tufat e shpendëve qofshin të rrezikuara apo jo, tufat e peshqve të të gjithë përmasave dhe ngjyrave, janë vetëm disa aspekte qe të lenë pa fjale këdo. Ka rreth 300 lloje shpendësh, 3500 lloje faune dhe 1700 lloje flore qe përbëjnë këtë habitat.


  1. Viscri

Viscri është një nga fshatrat më të njohura në Rumani – i vizituar dhe vlerësuar nga vetë Rumunët por veçanërisht nga turistët e huaj. Fshati Viscri u bë i njohur në Europë pasi Princi Charles bleu një pronë në këtë fshat.

Viscri është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Ndodhet në komunën Bunesti dhe daton nga Shekulli 12-të. Fshati ka qënë subjekt i disa reportazheve në shtypin britanik qe kur princi bleu shtëpi këtu. Fshati praktikisht ka lulëzuar dhe është kthyer në një nga vendet më të preferuara të turistëve nga e gjithë bota. Vendi më i rëndësishëm është Kisha spektakolare e fortifikuar Saseasca, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Përveç vetë kishës, mund të ngjiteni në kullë nga ku do te admironi fshatin nga lart. Në oborrin e kishës do të gjeni edhe një muze me objekte të ndryshme të zonës Saseasca: kostume tradicionle, qëndisje, etj.

Aktivitete të tjera që mund të bëni në këtë fshat jane:

  • udhëtim me guidë nëpër shtigje me biçikletë
  • udhëtim me karroca
  • degustimi i reçelit të bërë në shtëpi në mënyrë artizanale dhe tradicionale
  • degustim i verës
  • degustim i rakive dhe likereve të ndryshme
  • shëtitje në pyll


  1. Keshtjella Pelesh (Castelul Peleș)

Kështjella Pelesh është një nga atraksionet turistike më të rëndësishme dhe më të vizituara ne Rumani duke qenë shpesh e pranishme në majat e klasifikimeve të kështjellave më të bukura në Europë dhe madje edhe në  botë. E vendosur në “Perlën e Karpateve”, kështjella është një dëshmi e së kaluarës mbretërore në Sinaia, vendpushimi malor me i dashur në Luginën e Prahovës.

Fati i qytetit të vogël ka ndryshuar plotësisht që nga ardhja e mbretit Carol I, i cili ra në dashuri me këtë vend dhe vendosi të ndërtojë këtu rezidencën verore të familjes mbretërore. Themelet e kështjellës u hodhën ne 1875, dhe përurimi u be 8 vjet më vonë, por puna e zgjerimit dhe rinovimit vazhdoi deri ne vitin e vdekjes se Carol I në 1914.

Në atë kohë ishte kështjella me moderne e Europës, duke qenë e para kështjellë me elektricitet në kontinent, falë termocentralit të saj. Që atëherë është e pajisur edhe me ngrohje qendrore, ashensor dhe fshese me korrent.

E ndërtuar sipas planeve të arkitektit gjerman Wilhelm von Dodere, kështjella është e vendosur në një peizazh të dominuar nga malet dhe pyjet, që duket si e shkëputur nga një perralle.

Kështjella ka 160 dhoma, nga të cilat vetëm disa prej tyre mund të vizitohen nga turistë përmes tureve të organizuara në 5 gjuhë të ndryshme. Këto dhoma strehojnë një mori koleksionesh të vlefshme skulpturash, armësh mesjetare (midis tyre është edhe një armë shqiptare), piktura, libra unikë, qilima etj.

Në truallin e kështjellës ka dy pallate te tjera, Pelishor (Pelișor) dhe Foishor (Foișor). E para prej tyre, Pelishor, e cila është edhe më e madhja dhe më e njohura, është gjithashtu e hapur për publikun, ndërsa tjetra (Foishor) është e mbyllur për vizitorët dhe përdoret për te akomoduar personalitete të ndryshme.

Pelishor u ndërtua fillimisht si shtëpizë gjuetie, në një lartësi pak më lartë se dy kështjellat e tjera dhe gjate periudhës komuniste u zgjerua nga Nicolae Ceasusescu.


  1. Keshtjella Bran (Castelul Bran)

E njohur përtej kufijve për legjendën, pozicionin gjeografik dhe pamjen mesjetare, kështjella Bran ka tërhequr me kalimin e kohës mijëra turistë, të etur për të mësuar historinë e Dracula-s nga kulla e kalasë. Çfarë lloj historish fshehin muret e kësaj kalaje historike? Epo, shumë thonë se autori i gjithë miteve është Drakula, personazhi i njohur i Hollywood-it.

E vendosur afër qytetit të Brashovit (Brasov), vetëm 30 km larg, kështjella është pallati ku thuhet se ka jetuar vetë Drakula, vampiri i etur për gjakun e njerëzve. Por nga vjen kjo histori? Jo shume kohë më parë, ne tokën rumune ishte një udhëheqës, metodat e ndëshkimit të të cilit trembën të gjithë vendin. Kush përveç Vlad Cepesh (Vlad Tepes), sundimtarit të pashpirt, që goditi me thikë këdo që foli? Kështu, imazhi i tij lidhej me atë të një vampiri, që në fund të fundit, kështjella Bran të ishte sot, vendndodhja e të gjithë forcave te mbinatyrshme. Mund të ketë një pikë të vërtete ne të gjithë këtë legjendë.

Kështjella u ndërtua më urdhër të mbretit Louis I të Hungarisë i cili kërkoi ndërtimin e një kështjelle mbrojtëse, ndaj themelet e para të kështjellës  u hodhën në vitin 1377. Që nga viti 1956 kjo kështjellë është kthyer në një pikë referimi turistike për Rumaninë duke perfaqësuar një embleme historike dhe arkitekturore për vendin.

Rreth saj ndodhet Parku Mbreteror i cili mund të vizitohet nga turistët. Këtu do të gjeni Shtëpinë e çajit, dy liqene mbresëlënëse dhe Shtëpinë e Princeshës Ileana. Kalaja është e rregulluar në formën e një muzeu kulturor, ku do të admironi armët, kostume mesjetare, dokumente të vjetra dhe disa nga sendet e Vlad Cepesh.

Një zonë është e rregulluar ne një stil mistik, ku do të gjeni vetëm informacione për legjendën e Drakulës, magjitë dhe gjerat qe lidhen me te mbinatyrshmen. Në oborrin e kështjellës do te gjeni një shatërvan, për të cilin shumë thonë se plotëson dëshirat. Për ata qe duan të admirojnë peizazhin përreth kështjellës, shkoni ne kullën e saj nga ku do të shikoni detaje të veçanta të qytetit.

Vendndodhja e kështjellës është e veçantë pasi ndodhet ne majë të një kodre e rrethuar nga një pyll i dendur. Peizazhi është mbresëlënës, magjepsës për ata qe preferojnë dhe pëlqejnë zonat malore. Këtu mund të bëni ture me guidë për hiking nëpër pyjet e afërta. Në të njëjtën kohë mund të vizitoni Kalanë Rasnov, legjendat e së cilës tërheqin shume turistë. Një fundjavë në Bran është zgjedhja perfekte për disa ditë relaksi dhe aventura.


  1. Manastiri Voronec (Manastirea Voroneț)

Një nga kishat më të famshme në Rumani, e famshme për afresket e saj të jashtëzakonshme të pikturuara në një nuancë të vetme blu. Në distancë, manastiri ngjason me një fortesë të mbrojtur nga mure guri, kulla dhe një portë e madhe prej druri. Njëherë e një kohë, fshatarët u strehuan këtu nga furia e pushtuesve. Në fakt, legjenda tregon se në momente të mbrojtjes kundër turqve, Stefani i Madh (Stefan cel Mare) erdhi për të kërkuar këshillën e At Daniel Sihastrul. Duke fituar betejën, sundimtari e ngriti këtë manastir në shenjë mirënjohjeje.

E ndërtuar në vitin 1488, Kisha Voronec ka mbajtur formën e saj origjinale të pandryshuar. Kombinimi i elementeve gotikë, bizantinë dhe lokalë, manastiri është shprehja artistike e përsosjes dhe besimit.

Duke vizituar manastiret e pikturuara të Moldovës veriore, shumë pyesin veten se si të gjitha ngjyrat i kane rezistuar kalimit të kohës. Bluja voronec, e quajtur shkencërisht bluja e kaltër, u ka dhënë shumë mundime specialistëve. E ngjashme në thellësi dhe rëndësi me jeshilen voronese dhe te kuqen titzian, ajo gjendet edhe në kisha të tjera, por ketu hija duket të jetë më e lehtë, më e gjallë. Jetëgjatësia e ngjyrave të gjetura në këtë zonë është falë kujdesit të piktorëve, te cilët i lyenin muret kur ishin ende të lagur. Në kompleksitetin e tyre, afresket e jashtme mbeten një mister për shkak te qëndrueshmërisë së tyre, duke kënaqur sytë e turistëve nga e gjithë bota.

Manastiri ndodhet në breg të një lumi, në fund të një fshati të madh me të njëjtin emër, afër qytetit të Gura Humorului.


  1. Sibiu

Sibiu, i njohur ndryshe në gjermanisht Hermannstadt, ishte dhe është nje nga qytetet më përfaqësues në Rumani, si në aspektin turistik ashtu edhe në atë kulturor dhe ekonomik. Këtu është qendra më e rëndësishme e pakicës gjermane ne Transilvani si dhe e pakicave të tjera (hungarezë, sllovakët dhe ukrainasit).

Aktualisht Sibiu është një qendër e rëndësishme turistike dhe tregtare, një kryeqytet i vërtet turistik dhe kulturor në qendër të vendit, duke tërhqur ende nga hijeshia e saj e veçantë, nga tradita e ruajtur mire, por dhe nga një dekorim i veçantë natyror dhe historik.

Gjatë vitit Sibiu është mikpritës i ngjarjeve të shumta kulturore: Festivali ndërkombëtar i Teatrit, Festivali i Jazz-it si dhe shumë ngjarje të tjera të organizuara.

Ne vitin 2004 qëndra historike e Sibiut u shpall monument universal nga UNESCO. Sibiu mbajti titullin e kryeqytetit Europian të kulturës së bashku me Luksembrugun në 2007, vit në të cilin u prezantuan 337 projekte, duke mbuluar shijet më të ndryshme permes aktiviteteve artistike.

Aktualisht Sibiu është një nga qytetet me një nivel shumë të lartë të investimeve të huaja në Rumani.

Çfarë mund të vizitosh në Sibiu:

  • Podul Minciunilor (Ura e Gënjeshtrave) simboli i Sibiut, një nga atraksionet më të rëndësishme turistike. Është vendkalimi i këmbësorëve në qendrën historike të qytetit. Për këtë urë janë thëne shumë legjenda, por më e njohura është se ura “do të kishte veshë” por dhe “fuqi të pashpjegushme”, dhe çdo gënjeshtër e thënë këtu do të gjendet.
  • Kulla e këshillit
  • Kopshti zoologjik
  • Kisha Evangjelike
  • Parku natyror “Dumbrava Sibiului”
  • Muzeu Astra
  • Muzeu Brukenthal, e shumë të tjera.


  1. Transfëgërëshan (Transfăgărășan)

Transfăgărășan është një rrugë nëpër male e ndërtuar duke kombinuar burimet natyrore me forcën dhe aftësinë njerëzore. E konsideruar si një nga rrugët më mbresëlënëse në Europë, ajo përshkon njësinë më të lartë alpine në Rumani, malet Fagaras dhe lidh zonat historike të Muntenias dhe Tranailvanisë. Kalimi në të është një sfidë e vërtetë për shoferët, duke ndërthurur adrenalinën e provokuar nga rruga gjarpërore me pamjet magjepsëse që të largojnë nga realiteti.

Peizazhet e maleve Făgărăș janë mahnitëse dhe ofrojnë një pamje spektakolare në ditët me qiell të kthjellët. Në një udhëtim me makinë që mund të bëni brenda një dite do te shihni dhe përshkruani disa pika tërheqëse. Para se te merrni këtë rrugë, duhet të dini se hyrja në Transfagarasan varet shumë nga kushtet e motit. Për shkak të borës, rruga është plotësisht e hapur vetëm disa muaj në vit – nga Korriku deri në Tetor. Në dimër, vetëm një pjesë e vogël e rrugës mund të përshkruhet.

Rruga për ne liqenin Balea është spektakolare dhe marramendëse. Liqeni i akullnajave Balea është shpallur si Rezervë Shkencore për shkak të specieve të rralla të bimëve dhe kafshëve, duke përfshirë lule misri, shqiponjën e malit dhe dhinë e zezë. Në stinën e dimrit liqeni është i mbuluar me akull dhe përreth ka pista natyrale patinazhi.

Për shkak se akulli është i bollshëm ne Balea, është ndërtuar hoteli i akullit, i dyti ne Europë dhe i pari ne juglindjen e kontinentit.

Disa pika turistike që mund të vizitoni gjatë kësaj rruge:

  • Manastiri Argeș
  • Kalaja Poenari
  • Lugina e Stanit
  • Diga Vidraru
  • Ujvara Kapra
  • Liqeni Balea
  • Ujvara Balea
  • Muzeu etnografik Badea Cartan etj.

  1. Varrezat e Gëzuara (Cimitirul Vesel)

“Varrezat e Gëzuara” është një varrezë në Sapanta, e famshme për kryqet e varreve me ngjyra të ndezura dhe piktura naive që përfaqësojnë skena nga jeta dhe profesioni i të vdekurve. Madje në disa kryqe ka vargje ku përmenden personat përkatës, shpesh me nuancë humori. Është një nga atraksionet turistike më të vizituara në Maramures dhe madje në të gjithë Rumaninë. Ky është vendi qe thuhet se njeriu qesh përballë vdekjes.

Kryqi i vjehrrës në “Varrezat e Gezuara” tashmë është bërë legjendë, ashtu si shumë histori të tjera të gdhendura në kryqe prej druri në qendër të Sapanta. Sot ky vend është një muze i hapur, por në të njëjtën kohe është edhe varreza zyrtare e fshatit. Më shumë se 850 kryqe të lumtura janë të pranishme në oborrin e kishës, dhe i pari u shfaq në 1935.

“Varrezat e Gëzuara” janë vend unik në botë pasi jo shumë njerëz janë mësuar te qeshin me vdekjen. Nga ana tjetër, banorët e Maramureshit e kanë bërë këtë që nga kohërat e lashta.

Historia nis në vitet 1935-1936 kur Stan Ioan Patras, një nga mjeshtrit më të famshëm të komunës, tani edhe të Maramureshit dhe të gjithë botës, i lindi një ide e çmendur për te shprehur në një copë dru lisi historinë e gjithë jetës së një njeriu. Stan Ioan Patras ishte jo vetëm më i zoti i fshatit, por edhe ai që i mësoi njerëzit ta shikojnë vdekjen me sy tjetër. Kjo është bërë traditë në Sapanta dhe banorët thonë se kështu do te mbetet përgjithmonë. Shtëpia e mjeshtrit Stan Ioan Patras është një muze i vërtetë. Këtu është ndër të tjera punishtja në të cilen punohen dhe restaurohen kryqet nga “Varrezat e Gëzuara”. Druri i përdorur për ndërtimin e tyre është lisi. Duhen dy deri në tre javë për të bërë një kryq, madje ka vendas që mbledhin para tërë jetën për një vend në këto varreza.

Me kalimin e viteve ,ky vend është përfshire në majat e monumenteve funerale në mbarë botën. Në Europë, “Varrezat e Gëzuara” zënë vendin e parë.


  1. Salina Turda

Miniera e kripës Turda, e vendosur 30 km nga Cluj-Napoca dhe disa qindra metra nën tokë, është një botë nëntokësore me një temperaturë vetëm 10 grade celsius, ideale per tu fshehur nga vapa verës.

Një kombinim i historisë dhe kohëve moderne, Salina Turda është një përvoje e paharrueshme, një hapësire ku legjenda takohet me historinë. Brenda minierës së kripes, druri nga cili janë bërë Shkallët e të Pasurve, ai mbi te cilin kane shkelur mbretërit austriakë në kohën e perandorisë austro-hungareze, është i veçantë, i bërë nga bredhi, pikërisht për të rezistuar mirë në mjedise të veçanta. Gjithashtu, si një fakt unik në botë, i vetmi krivac (pajisje nxjerrjeje) ende në vendin e tij dhe në formën e dikurshme në një minierë kripë që është bërë e aksesueshme për tursitët është në Salida Truda. Dhe “Miniera Rudolf” e plotëson përvojën në Salina Turda, të një sërë aktivitetesh argëtuese për fëmijë dhe të rritur – me një amfiteatër bujar qe pret shfaqje të të gjithë llojeve; fusha sportive; bowling; mini golf; bilardo dhe shume aktivitete te tjera. “Rrota” është gjithashtu unike, duke qënë ndoshta e vetmja rrotë nëntokësore në botë. Një shëtitje me varkë në liqenin e “Mina Terezia” është gjithashtu pjesë e hijeshisë në një nga minierat e kripës të hapura për vizitorët dhe të modernizuara dhe përshtatura për vizita turistike.

GALERI FOTOGRAFISH

10 vendet më të rëndësishme për tu vizituar në Rumani
10 vendet më të rëndësishme për tu vizituar në Rumani
10 vendet më të rëndësishme për tu vizituar në Rumani
10 vendet më të rëndësishme për tu vizituar në Rumani
10 vendet më të rëndësishme për tu vizituar në Rumani
10 vendet më të rëndësishme për tu vizituar në Rumani
10 vendet më të rëndësishme për tu vizituar në Rumani
10 vendet më të rëndësishme për tu vizituar në Rumani
10 vendet më të rëndësishme për tu vizituar në Rumani

VIDEO

Postime të Ngjashme