Shqip Română
Arsimi

Krahasimi i Efikasitetit : Mësim Online vs Ballë për Ballë

Krahasimi i Efikasitetit : Mësim Online vs Ballë për Ballë

Çdo e mirë ka gjithmonë një të keqe që ecën paralelisht (M.W. Edelman, 1996). Në saj të pandemisë mësimdhënia kaloi në një rrugë të re zgjidhjeje, atë të teknologjisë. Madje është bërë një temë e nxehtë debati kohët e fundit. Falë teknologjisë, mësimi në distancë ose edukimi nëpërmjet internetit janë bërë më të arritshme se kurrë më parë. Në përpjekje për të reduktuar përhapjen e COVID-19, shumë qeveri vendosën që mësimet në Universitete apo Kolegje të zhvillohen online, kështu që në ditët e sotme mësimi online nuk është më befasi. Të mësuarit ballë për ballë është mënyra tradicionale e të mësuarit, ku nxënësit janë në të njëjtin vend fizikisht me mësuesin në të njëjtën kohë. Mësimi online mund të jetë çdo lloj mësimi që zhvillohet përmes internetit dhe nuk është e nevojshme të jesh i pranishëm. Ndërsa kurset online po rriten shumë shpejt, mësimi ballë për ballë është ende dominues në sistemin arsimor. Por a është shkollimi online më i mirë se mënyra tradicionale e të mësuarit? Mund të jetë dhe në disa raste, ndoshta më produktive.

 

Mësimi online kryesisht është asinkron (R. Brown, 2019). Kjo do të thotë se shumica e studentëve nuk kanë nevojë për orare fleksibël për të ndjekur mësimin si studentët tradicionalë që duhet të programojnë orarin e tyre, kështu qe studentët asinkron mund ta përshtatin më lehtë kohën e mësimit. Gjithashtu ekziston një koncept që kurset online janë një mënyrë më ekonomike për të mësuar. Siç e përmendëm më lart, studentët dhe mësuesit nuk kanë nevojë të qëndrojnë fizikisht në një klasë. Megjithatë sipas një studimi të kryer nga Forumi Ekonomik Botëror në vitin 2016 (World Economic Forum, 2016) punëdhënësit kërkojnë që studentët të bëhen më të mirë në shumë aftësi të ndryshme të cilat i referohen punës që ata kryejnë, njohuri më të gjera dhe mos të jenë te kufizuar vetëm në ato që kanë mësuar. Një diplomë universitare ose një diplomë kolegji nuk është aq e rëndësishme sesa përsosja e shumë aftësive të tjera (Calderon and Sidhu, 2014).

 

Mësimi online tashmë është një fakt dhe ka një rritje jashtëzakonisht të madhe dhe sipas një studimi 30% e të gjithë studentëve të arsimit të lartë kanë kryer të paktën një kurs online (Babson Survey Research Group, 2019). Por çfarë i bën kurset online më të dëshirueshme? Mësimi online është i ngjashëm me sistemet e vendeve të punës në ditët e sotme si p.sh. e-mail, platformat e chat-it, mesazhet, konferencat, prezantimet dhe kurset online kanë të njëjtin sistem mësimi dhe në këtë mënyrë do të jetë më e lehtë për një student që të përshtatet në tregun e punës. Një avantazh tjetër i mësimit online është mundësia e frekuentimit të kurseve pa shumë shpenzime, për shembull, nuk ka kosto transporti, bileta për transportin publik, stresi i parkimit të makinës, etj.

 

Diçka shumë e rëndësishme me kurset online lidhet edhe me emetimet CO2 (R.,Roy, S.,Potter, K.,Yarrow, M.,Smith, 2005). Studimet kanë treguar se konsumi i energjisë është i reduktuar me 90%  më pak dhe prodhon 85% më pak emetime CO2 sesa mësimi tradicional ballë për ballë që zhvillohet në klasë. Ky efekt është kryesisht për shkak të reduktimit të udhëtimeve të studentëve.

 

Duhet të përmendim se përpara pandemisë, mësimi në klasë ose ballë për ballë ishte mësimi standard për shumicën e institucioneve mësimore në të gjithë botën. Kjo mënyrë e të mësuarit ka avantazhet e veta pasi përqëndrimi është më i madh, bashkëpunim me të tjerët në mënyrë më të lehtë dhe të drejtpërdrejtë. Në këtë mënyrë studentët mësojnë aftësi ose koncepte të reja nga kolegët e tyre ose nga eksperienca e mësuesve dhe në të njëjtën kohë socializon dhe zhvillon nxënësit në një moshë të caktuar.

 

Nga pikëpamja e termave sociale, një nga disavantazhet më të mëdha të të mësuarit ballë për ballë është se mund të rritet mundësia e bullizmit për shkak të kontaktit fizik. Studentët e prekur nga bullizmi theksojnë se ngacmimet kanë filluar në bankat e shkollës : korridoret e shkollës (43%), brenda klasës (42%), jashtë në mjediset e shkollës (22%), në banjë (12%), në autobusin e shkollës (8%) (Qëndra Kombëtare për Statistikat e Arsimit - Quebec, 2019). Të qënit fizikisht në shkollë ka çuar në ngacmimin nga gjinia, paaftësia, besimi fetar, pamja fizike. 49.8% e moshave 9-12 vjeç kanë raportuar se ishin ngacmuar në shkollë, 13% të së njëjtës moshë kanë raportuar se janë ngacmuar në shkollë dhe nëpërmjet internetit dhe vetëm 1% e të njëjtës moshë kanë raportuar se janë ngacmuar nëpërmjet internetit (Patching & Hinduja, 2020).

 

Për ta përmbyllur, në të dyja mënyrat e të mësuarit, qëllimi është që të japin njohuri në mënyrat e përmendura sa më lart. Pavarësisht nga të gjitha avantazhet që të jep mësimi online, nuk ka një rregull absolut mbi vlerën e këtij trendi të ri të krahasuar me mënyrën tradicionale të të mësuarit.

Postime të Ngjashme