Shqip Română
Histori

"Voskopoja/Moscopole: jo vetëm si qëndra më e zhvilluar kulturore e arumunëve por dhe si qendër e lëvrimit të shqipes" (Pjesa II)

"Voskopoja/Moscopole: jo vetëm si qëndra më e zhvilluar kulturore e arumunëve por dhe si qendër e lëvrimit të shqipes" (Pjesa II)

Ndoshta gjithçka ishte shumë e hershme, ndoshta trualli shqiptar s’ishte ende i lëruar aq sa duhej që fara e gjuhës shqipe të mbillej e të rritej e shëndetshme, por gjithësesi projekti më madhor që kjo epokë dhe ky lulëzim që njohu asokohe Voskopoja, i dha lëvizjes sonë kombëtare, ishte ai i shqipes. Nga të dhënat e copëtuara dhe të keqpërdorura që vijnë sot, rezulton se Voskopoja po projektonte për të parën herë krijimin e një gjuhe të shkruar shqipe. Teodor Kavaljoti, përgatiti për këtë qëllim edhe të parin alfabet shqip të kohës.  “Po t’i referohemi filologut gjerman Von Hahn (Lexicon Tetraglossan), Kavaljoti kishte shpikur një alfabet gërmat e të cilit mund të identifikoheshin si “analoge me ato të glagolitishtes ilire” (199). Ky alfabet që është zhdukur në rrënojat e Voskopojës (apo mbahet i fshehur në ndonjë arkiv grek apo rumun), u kurorëzua me aktin më të rëndësishëm të kohës së vet: përkthimin e të parës Dhjatë të Re nga gjuha greke në gjuhën shqipe” (200).

Gjithashtu edhe Zëvendësrektori i Akademisë së Re, në vitin 1762, Grigor Voskopojari (nga Berati, i vdekur në 1772), kishte përfunduar shqipërimin e të dyja Dhjatave (të së Vjetrës e të së Resë). Ishte ky një aksion shumë i madh, që kishte të bënte me përkthimin në gjuhën e vendit të librave bazë të kishës. Liturgjia në kisha pjesërisht thuhej me kohë edhe në shqip. Kjo vazhdoi edhe në shek. XVIII, edhe më pas. Në proçesin mësimor të shkollës së drejtuar nga ky kler hynte dhe shqipja, së pari përmes teksteve fetare, që zinin vendin më të madh nëpër programe, por edhe përmes lëndëve të tjera. Në tekstin e Theodhor Bogomilit (njohur më shumë si Anonimi i Elbasanit), të shek. XVII, përfshihet edhe një predikim i lirë fetar. Dhaskal Todri na ka lënë edhe një fabul të shqipëruar të Ezopit. Edhe Kostë Ikonomi hartoi tekste tri gjuhësh (në greqishte të vjetër, në atë të re dhe në shqip). Këto tekste i ka përdorur edhe mësuesi vithkuqar Kostë Cepi (shek. XVIII-XIX), prej të cilit i njohim të kopjuara. Ai ka dhënë mësim jo vetëm në vendlindje, por edhe në Elbasan e gjetiu. Grigor Voskopojari shkruante me një alfabet origjinal, si edhe Bogomili, që e kishte shpikur vetë për shqipen që shkroi. Të njëjtën gjë bëri edhe Dhaskal Todri, ndofta nën ndikimin e Bogomilit, por edhe të Grigorit, të cilin e pati mësues në Voskopojë. Edhe ky përdori një alfabet origjinal, që e shpiku vetë e që u përhap mes njerëzve të tjerë në Elbasan.

Arrijmë kështu në përfundimin se, në gjysmën e dytë të shek. XVIII, në një fazë zhvillimi ekonomik dhe qetësimi të trazirave antiosmane që u shoqërua edhe me përhapjen masive të islamizmit në trojet shqiptare, vetëdija kombëtare në dukje e fjetur e etnosit shqiptar gjen shprehje në traditën letrare shqipe të qarkut kulturor ortodoks të Shqipërisë së Mesme me qendër në Elbasan. Në këtë areal u zhvillua edhe kisha ortodokse nën juridiksionin e Patrikanës me qendër në Ohër deri në vitin 1769, kur u zhvendos në Stamboll. Disa nga klerikët më të shquar të kësaj kishe ishin formuar në Akademinë e famshme të Voskopojës, që frymëzohej nga iluminizmi evropian dhe ndikoi në formimin e identitetit kombëtar të popujve të Ballkanit.

Sipas autorit grek të shek. XVIII, Jorgo Zavira, Grigori përktheu Dhjatën e vjetër dhe Dhjatën e re, me shkronja shqipe që i shpiku vetë, të paktën më se gjysmë shekulli para përkthimit të Dhjatës së Re nga Vangjel Meksi e Grigor Gjirokastriti. Dhaskal Todri po ashtu, siç dëshmon Hahni, thuhet se ka përkthyer të dy Dhjatat, me një alfabet të posaçëm, të shpikur ose të sjellë prej tij në Elbasan. Për fat të keq dorëshkrimet e këtyre përkthimeve kanë humbur pa gjurmë ose janë shkatërruar, siç njofton Hahni përshkrimet e Todrit”. (276) Megjithatë janë ruajtur disa fragmente nga shkrimet e Todrit dhe sidomos një “dorëshkrim anonim elbasanas, ndoshta nga një Papa Totasi”, (277) sipas Shuteriqit.

Ajo që ka rëndësi të theksohet për traditën kulturore elbasanase është pohimi i Hahnit se Dhaskal Todri u mor me krijimin e një gjuhe letrare të përbashkët për të dy dialektet e shqipes, aq të ndryshëm nga njëri-tjetri. Sipas këtij pohimi do të kishim përpjekjen më të hershme për një gjuhë të përbashkët letrare shqipe, që do t‘i paraprinte me një shekull ideve të Rilindjes kombëtare. Rajko Nachtigall e ka shtyrë më tej kontributin atdhetar të Teodor Haxhifilipit duke hedhur idenë se ai ka dashur të krijojë një kishë kombëtare shqiptare, ideja e së cilës jetonte ende në Elbasan deri në kohën kur ai e vizitoi qytetin (1917). Në këtë mënyrë ai vendos një paralelizëm mes veprimtarisë së Todrit dhe asaj të Dositej Obradovićit për sllavët e jugut dhe Adamant Koraisit për grekët, të cilët, nën ndikimin e iluminizmit perëndimor të shkollave më progresiste të Gadishullit dhe në një kontekst kulturor-historik të përbashkët ballkanik, përdorën gjuhën popullore në letërsi duke u bërë themeluesit e gjuhëve letrare të popujve të tyre me bazë gjuhën e folur.

Nga fragmentet e shkrimeve të Todrit të gjetura në manastirin e Shëngjonit pranë Elbasanit dhe të botuara nga studiues të ndryshëm, si Hahni, Geitleri, Pekmezi, Nachtigalli, Lef Nosi, Dh. Shuteriqi, mund të gjykojmë për dialektin e përdorur nga Todri, i cili sipas Hahnit duket shumë i purifikuar dhe i afruar me toskërishten, në dallim nga disa poezi gegërisht që gjendeshin në një fletore tjetër. Analiza e gjuhës së Todrit nxjerr në pah bazën dialektore gego-jugore të Elbasanit, me lidhje të shumta me toskërishten. Por këto përkime me toskërishten duken të jenë karakteristika të një faze më të vjetër të gegërishtes jugore të Elbasanit sesa një përzierje e vetëdijshme me qëllim krijimin e një gjuhe të përbashkët. Tipare të ngjashme me karakteristika të të dy dialekteve shfaq edhe gjuha e Dorëshkrimit anonim të Elbasanit, e cila paraqet veçori më arkaike se gjuha e Todrit, që nga një anë përkojnë me veçoritë gjuhësore të teksteve të vjetra të Veriut, dhe nga ana tjetër me tiparet e toskërishtes së vjetër. Pavarësisht nëse kjo përzierje gjuhësore është bërë me vetëdije ose jo, atë e ka lehtësuar fakti që e folmja e Elbasanit, në fazat më të vjetra, ishte shumë më pranë toskërishtes nga ç’është sot.

Nga ana tjetër, në këtë të folme, kanë luajtur rol edhe bashkëveprimet ndërdialektore në zonën ekonomiko-tregtare dhe kulturore, që në shekullin XVIII përfshinte një hapësirë të pandërprerë nga Durrësi e Elbasani në veri e deri në Follorinë e Janinë në jug. Me këto ndikime ndërkrahinore dhe me traditën shkrimore me bazë gegërishten e Elbasanit shpjegohen edhe gegizmat në tekstet shqip të Kavaliotit e të Danil Voskopojarit apo të Nektar Terpos. Një lidhje e autorit të Anonimit të Elbasanit me Voskopojën na dëshmohet nga një përkim interesant leksikor që vihet re në tekstin e “Anonimit” dhe në fjalorin e Teodor Kavaliotit: është fjala për neologjizmin kullotës-bari, që s‘e kemi hasur gjëkundi tjetër.

Përpjekjet për shkrimin e shqipes me alfabete të posaçme në shek. XVIII dhe për kthimin e shkrimeve fetare në shqip, me synimin për t‘u shkëputur nga ndikimet e huaja dhe për të afirmuar liturgjinë fetare në gjuhën kombëtare, natyrisht duhen konsideruar shfaqje të vetëdijes kombëtare shqiptare mjaft kohë përpara Rilindjes. Në këtë mes nuk është pa domethënie fakti se alfabeti origjinal për shqipen që shpiku Todri, shërbeu në shek. XIX në Elbasan si shenjë e shqiptarizmit të atyre që e përdornin, në dallim nga përkrahësit e kishës greke që përdornin shkronjat greke, dhe si një kërkesë për të afirmuar më mirë gjuhën shqipe si një gjuhë e veçantë dhe popullin shqiptar si i dalluar nga të tjerët. U ndalëm pak më gjatë në traditën shkrimore të shek. XVIII, për të theksuar faktin se tradita e  mendimit të shqipes ka qenë paraprijësja dhe ndriçuesja e rrugës drejt Rilindjes Kombëtare të shekullit XIX. E kjo pasi vetëm në këtë shekull u zhvilluan dhe u poqën në mënyrën më të plotë kushtet ekonomike-shoqërore, historike, politike e kulturore që bënë të mundur ngjizjen e ideologjisë kombformuese shqiptare, që vendoste në plan të parë vlerat kombëtare mbi partikularizmat krahinore e fetare.

Në këtë kuptim, mund të thuhet se Voskopoja ishte edhe qendër e lëvrimit të shqipes. Këtë gjuhë nuk e shkruanin vetëm Kavaljoti, Adam Haxhiu dhe Grigori, por edhe të tjerë, duke arritur të shqipëroheshin Dhjatat në atë qytet, të përdorej jo vetëm alfabeti grek, por edhe një alfabet i krijuar posaçërisht për shqipen. Kjo do të shërbente si bazë për krijimin e identitetit shqiptar dhe bazën për kalimin nga një identitet protonacional drejt një identiteti nacional dhe që do të ndikonte në krijimin e nacionalizmit shqiptar para grekëve, serbëve dhe bullgarëve. Voskopoja po kthehej kështu pak nga pak në një far ndriçues dhe orientues drejt nacionalizmit dhe pavarësisë shqiptare jo vetëm nga Perandoria por edhe nga Patriarkana Helene e Stambollit. Kjo mund të ketë qenë edhe pika e dobët e Voskopojës, sepse gjuha shqipe ishte një kulm i arritjeve të saj, por ndoshta edhe vdekja e saj. Sepse gjuha shqipe e folur në atë kohë deri në rrethinat e Athinës, po të shkruhej, do ta shkruante ndryshe historinë e territoreve të Shqipërisë dhe të Greqisë. Aleks Buda shprehet “unë nuk ngurroj ta quaj këtë epokë dhe këtë lëvizje që na jep Voskopoja në fund të shek. XVIII Iluminizëm i hershëm dhe një stad që nuk do të thotë ende rilindje kombëtare, qoftë edhe vetëm në fillimet e saj, por që e përgatit atë me siguri”  (201).

Edhe njëherë, në rastin e Voskopojës, në historinë e Shqipërisë përsëritet një “shenjë domethënëse” e një niveli të lartë kulturor e qytetar, të ngjashëm e në mos më të zhvilluar se gjithë hapësira përreth, siç do ta shprehë e ndërlidhur në mënyrë madhështore, studiusja e njohur Lucia Nadin, në librin e saj për zbulimin e statuteve të Shkodrës (që duhet të datojnë që në vitet 1330), një monument ky i Shqipërisë mesjetare. Ja se si shkruan ajo: “Duke lexuar statutet e Shkodrës, rolin e tyre si një pikë e pashmangshme krahasimi me realitetet e tjera qytetare adriatike, në mënyrë të vetvetishme, të vjen një mendim që lidhet ngushtë me historinë e Shqipërisë, fati i së cilës duket se ka qenë i tillë që ka parë jo të zhdukur, por të errësuar në kohëra, figurën e saj si dheu i qyteteve, në favor të atij të dheut të fushave, madje, dhe të maleve. Nëse sot, pas pesë shekujsh  është rishfaqur nga burimet venedikase bashkëjetesa e gjallë dhe tepër e qytetëruar e një komuniteti qytetar të Shqipërisë në vjeshtën e mesjetës, edhe zhvillime të tjera të ngjashme, më të vona, janë për t’u sjellë në dritë, përmes qëmtimesh nëpër arkivat italiane, shqiptare, turke: mendoj për qytetin e Voskopojës (Moscopolis), i cili, edhe pse në brendësi të zonës së Lindjes, ishte i lidhur fort me portin e durrësit, në vitet ‘700, qe një qendër e zhvilluar e jetës materiale dhe ndoshta qëndra më e përparuar kulturore e Ballkanit. Më tej, veprimtaria tipografike e Voskopojës kishte arritur të krijonte lidhje të dendura edhe me Venedikun, që sipas Plasarit, e kish furnizuar me makineri”.

E parë në këtë këndvështrim, Voskopoja është shëmbulli më i madh dhe i spikatur që ngrihet kundër uniformizimit të realitetit shqiptar si “kultura e malit”. Përkundrazi, gjithë ekzistenca e saj na sjell kujtimin e një kryqëzimi të jashtëzakonshëm njerëzish e kulturash, lidhjesh e mbizotërimesh. Madje, nisur nga dëshmia e Nadin mbi lidhjen e “shenjave mbizotëruese” të historisë së Shqipërisë, ajo shfaqet si një dëshmi e spikatur e një shtresëzimi ngjarjesh e qytetërimesh, që kanë kaluar përmes një përvojë shumëshekullore.           

                                                 

GALERI FOTOGRAFISH

"Voskopoja/Moscopole: jo vetëm si qëndra më e zhvilluar kulturore e arumunëve por dhe si qendër e lëvrimit të shqipes" (Pjesa II)
"Voskopoja/Moscopole: jo vetëm si qëndra më e zhvilluar kulturore e arumunëve por dhe si qendër e lëvrimit të shqipes" (Pjesa II)
"Voskopoja/Moscopole: jo vetëm si qëndra më e zhvilluar kulturore e arumunëve por dhe si qendër e lëvrimit të shqipes" (Pjesa II)

Postime të Ngjashme