U organizua në Tiranë evenimenti kulturor dedikuar lidhjeve kulturore Rumani – Shqipëri dhe roli i Voskopojës ne forcimin e këtyre lidhjeve. Evenimenti i organizuar nga Instituti i Kulturës Rumune dhe iniciuar nga violinistja e talentuar Shqiptare e cila kryen veprimtarinë e saj artistike në Bukuresht Irina Nanushi, u mbështet nga Ambasada e Rumanisë në Shqipëri, Shoqatat Arumune në Shqipëri si dhe nga grupi vullnetar i projektit TRICOLOR.al. Në fjalën e tij, Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri z. Octavian Șerban (Oktavian Sherban) theksoi rolin e veçantë që këto aktivitete kane në njohjen dhe zgjerimin e marrëdhënieve dhe lidhjeve kulturore Rumuno – Shqiptare të cilat datojnë prej shekujsh, si dhe në njohjen reciproke të vlerave dhe traditave të të dy vendeve.
Evenimenti u hap me fjalën e zonjës Stanca Scholz-Cionca (Stanka Sholz – Çionka), pasardhëse e kompozitorit të njohur rumun, Ciprian Porumbescu (Çiprian Proumbesku) – i cili është edhe kompozitori i Himnit Kombëtar Shqiptar; dhe me një leksion të Prof. Ardian Muhaj për rolin e Voskopojës në lidhjet kulturore të dy vendeve. Aktiviteti vazhdoi me një Duet Kameral nga violinistja Shqiptare Irina Nanushi e shoqëruar në piano nga Verona Maier, zëvendës-Rektore e Universitetit të Muzikës në Bukuresht, dhe u mbyll me disa kryevepra muzikore nga “Kuarteti i Kameratës Mbretërore” të Rumanisë të cilët shoqëruan Solisten Sopranon shqiptare me origjinë Arumune, Zj. Ornela Lici.
Në mbyllje të aktivitetit anëtaret e projektit vullnetar TRICOLOR.al njoftuan publikun pjesëmarrës se ky eveniment është vetëm fillimi i mbarë i një sërë veprimtarish artistike dhe kulturore të cilat planifikohen të organizohen më tej në bashkëpunim me Ambasadën e Rumanisë në Shqipëri dhe institucione dhe organizata të ndryshme Rumune dhe Shqiptare.