Kisha
katolike, në ravën e mundimshme të krijimit të vlerave themelore në rrafshin e
kulturës, s’i rreshti përgjatë mesjetës përpjekjet shqipnore në lëmin e gjuhës e dijes, ku
rrëzëllin si një diamant “Formula
e Pagëzimit” (1462), me të cilën është
dëshmuar qendresa e kulturës shqiptare, identiteti dhe entiteti i saj. Gjurmët e shkrimit dhe arsimit shqip
hasen qysh në fillimet e mijëvjeçarit të dytë. Duke ecur ravës gjuhësore e
arsimore të mesjetës së hershme, studiuesit sjellin një varg dëshmish, që “në
vitin 1349 në Raguzë (Dubrovnik) kishte 24 shkrues noterialë nga Tivari,
Ulqini, Pulti, Shkodra dhe fshatrat përreth, dy të tretat e të cilëve ishin
shqiptarë, që përveçse në gjuhë të huaj shkruanin dhe në gjuhën amtare me
shkronja latine; apo që prelati i Pultit (Shkodër) në vitin 1387 interesohet që
të shkollonte të nipin në Raguzë, pasi kishte marrë mësimit e para në
vendlindje” (137).
Po ashtu,“janë zbuluar dokumente që flasin
për shkolla pranë kuvendeve e katedraleve të qyteteve, si ato humaniste dhe
provinciale të shkathtësive mendore dhe të filozofisë në Kotorr duke nisur nga
viti 1266, të Durrësit (1278), të Shkodrës (1345) dhe Lezhës (1483)”. (138) Vijmë pastaj në një etapë dhe më të
rëndësishme, kur Ipeshkvi i Arbërisë, Imzot Gjon Kolesi,
françeskan shqiptar, në vitin 1625 shpall para Selisë së Shenjtë nevojën e “ngrehjes” së një a dy shkollave në malësitë e
dioqezës së vet (ku mvareshin dhe kishat e Krujës, Kurbinit, Matit, Lurës,
Dibrës, përfshiheshin famullitë mirditore të Kthellës, Selitës e Rranzës) “me nga 10-12 çuna secila”, ku nxënësit “të mësonin shkrim e këndim dhe
themele të mira të besimit”. Pastaj, të shkolloheshin më tej jashtë vendit, në
Loreto (Itali), “sepse kështu do
të nxirrej fryt i mrekullueshëm n‘ato vende ku s'ka shkolla e as mësues”. Dhe
më e rëndësishmja: “mbasi të kenë
nxanë për vete, do të bahen mësues për të tjerët”. (139) Kërkesa të tilla të prelatëve të
lartë shqiptarë të shekullit XVII, por dhe të një shekulli më parë, bënë që për
nevoja të predikimit shqip dhe formimin e klerit katolik vendas të hapeshin
disa shkolla shqipe. „Një rol të
rëndësishëm për këtë qëllim luajtën priftërinjtë katolikë shqiptarë, të cilët
gjatë shekullit XVII hapën shumë shkolla fillore e të mesme në gjuhën shqipe;
hartuan tekste shkollore, bënë përkthime të librave fetarë dhe hodhën themelet
e letërsisë së shkruar shqipe“. (140) Studiuesit
kanë vërejtur se “përveç shkrimit e leximit, aty mësohej gramatika shqipe dhe
përdoreshin librat e Bardhit, Budit e Bogdanit.” (141).
Të dhënat për këto
çerdhe të para të diturisë sigurisht që nuk janë të mjafta, për shkak të
travlimeve politike që kalonte vendi, rrënimit të arkivave e bibliotekave. Por
dihet se në Shqipërinë e Veriut në Mesjetë kemi një gjerdan shkollash
dioqezane, ku dy më kryesoret ishin e Kurbinit dhe e Velës. Ndoshta ndër ato të
dyja asnjëra nuk ishte e para, por sipas një shprehje latine, secila ishte e
parë ndër të para. Mundet të ketë qenë rastësi, por më shumë mund të ketë qenë
marrëveshje mes ipeshkvnish që ato shkolla të hapeshin njëherësh, në një vit.
Ato vijnë përgjatë shekullit të 17-të si dy krenat e një shqiponje, sa në një
kreshtë Kurbin-Kruje, në një tjetër Mirditë-Lezhe.
Duhet mbajtur
parasysh se ato shkolla ishin në male të thella, të fshehura, pasi nuk mund të
ishin lirisht në qytete, që ishin nën sundimin osman. Malet ishin më të lira
dhe për vetë rrojtjen e Ipeshkëve. Por më e rëndësishmja ishte se kishim të
bënim me një lartësim shpirtëror, moral
dhe kulturor në nismën për këto shkolla.
Françeskanët u jepnin arsimin fillestar fëmijëve të shtresave të gjëra
të popullsisë, aq më tepër që në urdhrin françeskan kishte dhe shumë shqiptarë.
Në vitin 1585 ata mbijetonin në kuvendin e Sebastes-Laç, atë të Lezhës, të
Rubikut dhe të Kepit të Rodonit, me një numër të përgjithshëm prej 40
rregulltarësh. Edhe shekullarët i kishin shtuar e përmirësur shkollat, dhe për
faktin se Koncili i Trentos (1545-1563) kishte vendosur që çdo dioqezë të
kishte seminare për përgatitjen e priftërinjëve. “Krijimi i këtyre
seminareve u ndërmor për të garantuar një formim më të mirë fetar, kulturor e
moral të klerit të ardhshëm, me qëllim që ta bënte atë të aftë në zhvillimin e
veprimtarisë pastorale”. (142)
“Shkollën e Velës e vlerëson veçanërisht në
shkrimet e veta dhe profesor Jup Kastrati, kurse akademik Jorgo Bulo, duke
patur parasysh kryesisht ndihmesën e saj, shkruan se Mirdita është vendi ku
shqipja u mësua të paktën nga shekulli XVII dhe ku u ruajtën trajta arkaike me
vlerë për historinë dhe zhvillimin etimologjik të shqipes“. (143) Rëndësia e saj dëshmohet dhe
nga një Urdhëresë e Kuvendit të Arbërit (1703) që lëshohet posaçërisht për këtë
shkollë dhe atë të Kurbinit, si dy shkollat kryesore të kohës. Kapitulli 5 i
Koncilit Shqiptar mbi shkollën e Kurbinit dhe të Lezhës/Velës porosit që
“nxënësit pas përvetësimit të shkrim - këndimit, duhet të mësojnë njohuritë e
para gramatikore (nënkupto: shqipe) dhe ato të gjuhës latine.” (144)
At Donat Kurti në një studim të botuar në
revistën “Hylli i Dritës” më 1935 përmend disa nga shkollat e para, por me
gjurmimet e mëvonshme informacioni dokumentar rreth tyre është bërë më i plotë,
sado që ende jo shterrues e përfundimtar. Vargu i shkollave do të përfshinte: shkollën e Himarës (1628), Shkollën e Pllanës (me 50 nxënës, hapur me 1638
nga Pater Karli i Mirandolës), shkollën e Shkodrës (1638), shkollën e
Blinishtit të Zadrimës
(hapur me 1639 nga Fra Kerubini, që më vonë do të ngrihej në nivelin e mesëm),
shkollën e Oroshit (1657), shkollën e Janjevës në Kosovë (1671), shkollat e Durrësit, Pejës, Gjakovës,
Prizrenit etj., shumë prej tyre të çelura nga françeskanët, përfshi dhe
Kuvendin e Troshanit (1639), të Rubikut (1582) etj. Nuk
kemi të bëjmë me një panoramë lokale, por me një arsim-përhapje strategjike,
edhe pse kryesisht në arealin verior, nga ata misionarë që u kishin mësuar
nxënësve për herë të parë shkrimin në gjuhën shqipe, po dhe që kishin përkthyer
vetë nga latinishtja në shqipe. Shkollat shtohen pas dekretimit të misionit të
Fretërve të Vegjël të Reformuar në Shqipëri me 1634.
“Shkolla e
parë shqipe” mund të kërkohet dhe në një tjetër gjeografi rajonale nga ajo e
mësipërme, në Jug të vendit. Kronikat thonë se në vitet 1628 – 1661, shkolla
shqipe me germa latine u hap në Dhërmi të Himarës dhe me vonë edhe në disa
qendra të tjera të krahinës. Ato u ngritën nga misionarët bazilianë, shumica e
të cilëve ishin arbëreshë të Italisë së Jugut, të vendosur atje në vitin 1482.
Kjo shkollë ka të bëjë me ndihmesën e bazilianëve për shkollim andej dhe këndej
Adriatikut.
Një
kapitull më vetë përbën shkolla e parë shqipe në Kosovë, aq më tepër se ajo
është e shekullit XVI, afro gjysmë shekulli para shkollës së Kurbinit e Velës.
Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesë-shekullore. Edhe atëherë kur
persekutimi i arsimit shqip nga autoritetet osmane ishte i ngritur në sistem,
në Stubëll, fshat i Malësisë së Karadakut, më 1584 fillon tradita e arsimit
shqip, i pari dhe i vetmi rast atëherë në Kosovë, kur edhe kishte funksionuar
shkolla e parë. (145) Kjo
shkollë, siç shkruan edhe studiuesi i njohur Dhimitë S. Shuteriqi, “ishte në
formë kolegji, i rangut të një instituti të lartë, çfarë ishin zakonisht
kolegjet fetare të asaj kohe në Evropë, ku, përveç teologjisë, mësohej
filosofia dhe studioheshin klasikët” (146)
Duke marrë
në analizë këtë traditë të vyer të katër shekujve më parë, shkencërisht dhe pa
paragjykim, siç i ka hije një historiografie moderne, a nuk është me vend që
“datëlindjen” e shkollës shqipe ta shtyjmë më përpara, në gjysmën e parë të
shekullit XVII, te një shkollë në Velë, Kurbin a diku tjetër? A nuk përkon kjo
jo vetëm me një të vërtetë historike të padiskutueshme, por përafrohet
natyrshëm në kohë dhe me fillimet e letërsisë shqipe dhe të shqipes së shkruar?
A nuk ishin të një rangu, të një lartësie historike, të një frymëzimi, të një
misioni kishtar e kombëtar, si ata që shkruan librat e parë shqip, ashtu dhe
ata që hapen shkollat e para shqipe në dioqezat e tyre? Të gjithë humanistë-ipeshkvinj
e meshtarë shqiptarë! A nuk është e udhës që një famulli malesh shqiptare, të
shpallet në mënyrë simbolike si “akademia” e parë shqiptare të dijes? Le të
jetë kjo në Tivar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Mirditë, Shkodër, Elbasan, Ulqin,
Karadak a Prizren. Duke shqyrtuar veprat e Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit
(35 vepra, krejt a pjesërisht shqipe, të dala prej Propagandës Fide të Romës
nga shkrimtarë shqiptarë) studiuesit kanë nënvizuar se kështu “ishte hedhur
baza kulturore dhe ideore e një rilindjeje arbënore, e cila vërtet do të
vononte të vinte, porse kishte të ardhme të sigurtë. ( 147)
Këto kohë
ka patur zëra të shkruar e të pashkruar, për ta riparë datimin e së parës
shkollë shqipe në vendin tonë, që sot për sot zyrtarisht e kemi në fundin e
shekullit XIX, me Mësonjëtoren e Korçës të vitit 1887, natyrisht një gjurmë e
shndritshme e veprës së Rilindasve tanë. Po a
nuk janë rilindas dhe ata që i hapen ato shkolla dy shekuj e gjysmë para kësaj?
A nuk na thotë i vyeri profesor Namik Resuli, studiuesi i njohur i letërsisë
shqiptare, se “për klerikët shqiptarë Rilindja Kombëtare kish zënë fill,
ndonëse fshehurazi, që nga dita kur Shqipëria u robërua përfundimisht nga
turqit.” (148) Ishte e kuptueshme që kisha katolike, i vetmi “institucion
shqiptar i mbetur në këmbë”, në rend të parë të asaj rilindjeje, quaje po deshe
dhe arbënore, të kishte punët e diturisë, arsimit dhe edukimit. Ndaj, sipas
logjikës më të thjeshtë, do të pyetej: si mundet ta pranosh gjuhën dhe
letërsinë shqipe të asaj kohe për të
parë, kurse shkollën e bërë po prej tyre të mos e marrësh si të parë? Pa u nisur thjeshtë
nga aritmetika e shifrave, cili komb nuk do të ishte i lumtur po ta kishte
shkollën e vet të parë të paktën 255 vjet më përpara asaj që e mban për të
tillë, dmth jo në vitin 1887, por dy shekuj e gjysmë më parë, në vitin 1632!
Kështu,
“shkolla e parë shqipe”, në thelb s’ka të bëjë dhe aq me emrin Korçë apo
Shkodër, Kurbin apo Velë, Stubëll apo Dhërmi, por me një koncept historik, atë
të një Rilindjeje Shqiptare që fillon në shekullin XV dhe kulmon në shekullin
XIX. Botimet dhe shkollat e para shqipe janë prirë e mbajtur gjallë nga
ipeshkvinjtë shqiptarë: Një traditë që vinte nga shekulli XV, me humanistët
shqiptarë në Rilindjen Europiane, gjer profesorë në Universitetin e Padovas.
Por pavarësisht shkrimeve sporadike të karakterit historik të autorëve të
ndryshëm, me sa dimë askush ndër studiuesit nuk është ngulur me themel në
ndriçimin e kësaj maratone shqiptare për diturinë.
Shkollat e
para fuqizohen me Kuvendin e Arbënit që mbahet në Mërqi të Lezhës, në kishën e
Shën Kollit, me 14-15 janar 1703, me bekimin e Papa Klementit XI, me origjinë
shqiptare, përkundër asimilimit otoman. Deri në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit,
nga Durrësi në Shkodër e Kosovë, kishte 21 shkolla fillore me nga 30 nxënës e
në Prishtinë deri në 80. Fakti që dokumentet e Kuvendit të Arbnit u botun si në
latinisht si në shqip 300 vjet më parë dëshmon se ishin të shumtë ata njerëz që
dinin të shkuanin e lexonin shqipen që e kishin mësuar në shkollat ku ata ishin
shkolluar. Në këtë kontekst,
Mësonjëtorja e Korçës nuk zbehet aspak, si një shkollë shqipe historike,
kombëtare, martire, qytetare, laike, përkundrazi ajo del më fort në pah si
rithemeluese e një tradite arsimore shqiptare paraardhëse, e një etape të dytë
të arsimit rilindas në Shqipëri, si dhe vetë shkrimtarët e shquar të Rilindjes
ishin pasardhës të shkrimtarëve të letërsisë së vjetër, misionarë të fesë dhe
të qytetërimit.