Nga viti 2000 data 21 shkurt njihet si “Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare”. Kjo ditë ceremoniale u shpall e tillë nga UNESCO në vitin 1999 dhe prej 23 vjetësh festohet në të gjithë botën. Qëllimi i caktimit të kësaj date është ndërgjegjësimi për shumëllojshmërinë gjuhësore dhe kulturore si një vlerë universale. Gjuha amtare është element thelbësor i identitetit, është gjuha e parë në të cilën ne shprehim mendimet dhe emocionet tona, është gjuha që na lidhemi me kulturën dhe historinë tonë, duke na dhënë një kuptim më të mirë të botës ku jemi pjesë. Me gjuhen amtare identifikohen përvojat dhe kujtimet e fëmijërisë, qe janë një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe traditës së një komuniteti.
Në Tiranë Fondacioni “H. Martineau” ndërmori me rastin e kësaj dite nismën e organizimit të një takimi kulturor duke vënë theksin tek vecantia gjuhësore e pakicës arumune. Në qendër të angazhimit të Fondacionit është edhe promovimi i pakicës kombëtare arumune, ruajtja, afirmimi i identitetit kulturor dhe gjuhësor, promovimi përmes mass-medias i identitetit gjuhësor, forcimi i njohjeve gjuhësore të pakicave etnike tek të rinjtë etj. Në Shqipëri jetojnë bashkë me popullin shqiptar komunitete të ndryshme etnike me zakonet e tyre kulturore, gjuhësore. Pakica arumune është ndër 9 Pakicat kombëtare të njohura zyrtarisht që nga viti 2017. Ndaj dhe në këtë atmosferë festive e në përputhje me këto angazhime, mbi premisat që lejon ligji u mbajt edhe veprimtaria e së mërkurës së 21 shkurtit. Të pranishëm në takimin e mbajtur në Selinë e Ambasadës së Rumanisë në Tiranë ishin pjestarë të komunitetit arumun, miq e bashkëpunëtorë etj. I pranishëm në takim z. Oktavian Sherban (Octavian Serban), Ambasadori i Rumanisë në vendin tonë shprehu mbeshtetjen që Rumania jep për arumunët në Shqipëri dhe kudo ku janë. Ambasadori Sherban theksoi rëndësinë e gjuhës, rolin e saj në të studimin e të kaluarës historike dhe domosdoshmërinë për t´jua përcjellë atë brezave më të rinj”. Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare festohet për herë të parë nga komuniteti arumun në vendin tonë dhe dhe synimi e është për ta kthyer atë në një veprimtari të përvitshme. Në program ishin përfshirë paraqitja për të pranishmit e librave të shkrimtarit arumun Ligor Thano të tilla si: “Boați ti strigā”, “Puripsira”, “Namisa di munt aumbrigre”, Niagărşita”, “Imnarea a mea poetică”, si dhe drama me tri akte: “În aştăptarea numirl’ei”. I pranishëm në takim z. Thano ndau emocionet e të shkruarit në gjuhën amtare dhe dashurinë e pashtershme për Grabovën e tij dhe për traditat dhe gjuhën e të parëve. Më tej programi vijoi me paraqitjen përmes vidiove të disa vizitave të kryera në disa prej fshatrave të vendit ku banojnë arumunë si Mekat i Vlorës, Andon Poci në Gjirokastër, Grabovë e Sipërme në Gramsh apo dhe Sqepur i Beratit.