Shqip Română
Sporti

Bianca Costea, surpriza nga Lima: ajo është notarja më e shpejtë në botë për të rinj në 50m stil i lirë

Bianca Costea, surpriza nga Lima: ajo është notarja më e shpejtë në botë për të rinj në 50m stil i lirë

Bianca Costea (Bianka Kostea) fitoi medaljen e artë në 50 metra stil i lirë në kampionatin botëror të notit për të rinj në Lima të dielën, një performancë që i sjell delegacionit rumun një "përfundim të shkëlqyer" në këtë garë, sipas Federatës Rumune të Notit. Në finalen e 50 metrave stil i lirë për femra, Bianca Costea bëri një garë fantastike dhe fitoi medaljen e artë me kohën 25 sekonda e 35 të qindtat. Bianca Costea ishte kualifikuar në finale me kohën e dytë të gjysmëfinales, 25 sekonda e 43 të qindtat. Atletja u ndoq në podium nga italianet Sara Curtis (25.53 sekonda) dhe Matilde Biagotti (25.60 sekonda).

Bianca mund të notojë edhe më shpejt se kaq. Në vitin 2019, në Festivalin Olimpik Europian për të Rinj në Baku, ajo fitoi medaljen e artë në 50 m stil i lirë me kohën 25 sekonda e 34 të qindtat. Në Kampionatin Europian për të Rinj të zhvilluar në Otopeni, Rumani, në korrik, Bianca Costea fitoi medaljen e argjendtë në këtë garë. Pas këtij kompeticioni, sportistja u përgatit për Kampionatin Botëror me Adrian Radulescu, i cili është edhe trajner i David Popovicit.

Bianca Costea, e lindur në vitin 2005 me origjinë nga Galati (Galac), është specialiste e distancave të shkurtra. Edhe pse është juniore, ajo përfaqësoi Rumaninë në Lojërat Olimpike të vitit të kaluar në Tokio, në 50 metra stil i lirë dhe 100 metra stil i lirë. Në Kampionatin Botëror në Lima, Rumania e përfaqësuar nga nëntë notarë, fitoi një medalje të artë në stafetën 4X100 metra për meshkuj (David Popovici, Alexandru Constantinescu, Ştefan Cozma, Patrick Sebastian Dinu), dy medalje ari përmes David Popovici në 100 m dhe 200 m stil i lirë, një medalje ari nga Bianca Costea në 50 m stil i lirë për femra, një medalje argjendi nga Vlad Stancu në 400 m stil i lirë dhe dy medalje bronzi, gjithashtu nga Vlad Stancu, përkatësisht në 1500 m stil i lirë dhe 800 m stil i lirë. Rumania u rendit e katërta në renditjen e medaljeve, pas Japonisë, Hungarisë dhe Polonisë, por përpara Italisë dhe Francës.

Postime të Ngjashme