Trajneri i Vllaznisë Mirel Josa thotë se nuk kishte preferenca për shortin e Conference League. Ai i konsideron rumunët e Kraiovës një skuadër me buxhet shumë më të lartë, ndërsa shton se drejtuesit nuk duhet të nxitohen me merkaton.
Shorti i turit të dytë kualifikues të Conference League e vendosi Vllazninë përballë rumunëve të Kraiovës, një kundërshtar më i fortë në letër por që te shkodranët nuk ka krijuar frikë aspak.
“Asnjë lloj preference, mund të binte edhe më e fortë, por edhe më e lehtë. Ne na ka rënë me një skuadër historike për Rumaninë. Dimë që luajmë ndaj një kundërshtari që ka objektiv për t’u kualifikuar më tej,”-u shpreh Mirel Josa, trajner i Vllaznisë.
Kraiova sezonin e kaluar u eliminua nga Laçi, por trajneri Josa thotë se ajo i përket së shkuarës dhe s’kanë çfarë mësojnë nga ajo ndeshje. Trajneri i shkodranëve u ndal edhe te merkato ku saktësoi se i ka kërkuar klubit të mos nxitojë, pasi lojtarët që do ketë për Europën duhet të jenë edhe për vazhdimësinë e sezonit.
“Nuk duhet të mendojmë shumë për Europën, por për të dyja. Qoftë për Europën ashtu edhe për konsolidimin e skuadrës. Ajo që i kam kërkuar presidentit dhe drejtuesve të klubit është që lojtarët të cilët do jenë në stërvitjen e parë të jetë edhe për vazhdimësinë e sezonit,”-deklaroi Mirel Josa, trajner i Vllaznisë.
Përgatitjet për Kupat e Europës Vllaznia i nisi të mërkurën e 15 qershorit, ndërsa ndeshja e parë e kësaj përballje do luhet në Shkodër me 21 korrik, e kthimit një javë më vonë.