Rumania ka arritur një hap të rëndësishëm në fushën e teknologjisë së avancuar, duke ndërtuar, në bashkëpunim me gjigantin amerikan të kompjuterëve kuantikë IonQ, një nga rrjetet më të mëdha operative të komunikimeve kuantike në Europë. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat, kompania amerikane ka përfunduar implementimin e teknologjisë së saj të sigurisë kuantike në kuadër të projektit RoNaQCI (Infrastruktura Kombëtare Rumune e Komunikimeve Kuantike), ndërsa vendi tashmë pret mbi 20% të kësaj infrastrukture në nivel europian.
Kjo iniciativë konsiderohet një nga rrjetet më të mëdha dhe më komplekse operative të shpërndarjes së çelësave kuantikë, të njohur si QKD, të përdorur për kriptim, jo vetëm në Europë, por edhe në rang global, duke qenë ndër më të mëdhatë jashtë Kinës. Rrjeti përfshin aktualisht 36 lidhje të sigurta kuantikisht, të shtrira në një distancë mbi 1.500 kilometra, duke përfaqësuar një pjesë të konsiderueshme të infrastrukturës tokësore të komunikimeve kuantike që funksionon sot në Europë.
Projekti RoNaQCI është realizuar në partneritet me Universitetin Politeknik të Bukureshtit dhe rrjetin kombëtar të kërkimit dhe edukimit RoEduNet, duke shënuar një moment kyç në përpjekjet e Europës për të mbrojtur komunikimet kritike nga kërcënimet kibernetike aktuale dhe ato të së ardhmes. Rrjeti kuantik është ndërtuar duke përdorur ekskluzivisht teknologjinë QKD të disponueshme komercialisht nga IonQ. Sipas drejtuesve të kompanisë, kjo infrastrukturë kontribuon drejtpërdrejt në ndërtimin e EuroQCI, projekti strategjik europian për komunikimet kuantike, dhe mbështet mbrojtjen e komunikimeve sensitive në sektorë si administrata shtetërore, shëndetësia, kërkimi shkencor, arsimi dhe qendrat e të dhënave.
Rrjeti lidh gjashtë zona të mëdha metropolitane në Rumani, përkatësisht Bukureshtin, Iașin, Timișoarën, Craiovën, Cluj-Napocën dhe Konstancën, duke siguruar qarkullimin e të dhënave në mënyrë të sigurt përmes shpërndarjes së çelësave të kriptimit nga njëra pikë në tjetrën. Sipas ekspertëve, kjo infrastrukturë krijon një bazë të qëndrueshme për shkëmbimin e sigurt të informacionit në të gjithë vendin dhe kontribuon në përpjekjen më të gjerë europiane për ndërtimin e rrjeteve të ndërveprueshme të komunikimeve kuantike.
I nisur në vitin 2023, projekti RoNaQCI përfshin një konsorcium të gjerë me 12 universitete rumune, shtatë institute kërkimore, tre agjenci kombëtare dhe aktorë të tjerë publikë e privatë. Projekti koordinohet nga Universiteti Politeknik dhe ka një buxhet prej 10 milionë eurosh, të financuar nga fondet e Bashkimit Europian dhe nga shteti rumun. Për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të kësaj fushe, universiteti ka iniciuar edhe programin e parë master në Rumani të dedikuar për teknologjinë kuantike, duke synuar përgatitjen e specialistëve të rinj.
Kompania IonQ, me seli në Maryland, është themeluar në vitin 2015 nga fizikanët dhe inxhinierët Christofer Monroe dhe Jungsang Kim, të dy profesorë në Universitetin Duke në Karolinën e Veriut. Gjatë vitit të kaluar, kompania ka zgjeruar ndjeshëm praninë e saj në Europë, duke investuar mbi një miliard dollarë për blerjen e startup-it britanik Oxford Ionics, si dhe duke nënshkruar marrëveshje për blerjen e prodhuesit amerikan të gjysmëpërçuesve SkyWater Technology për 1.8 miliardë dollarë.
Në tregjet financiare, aksionet e IonQ kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke u rritur me mbi 21% gjatë një seance tregtimi në bursën e Nju Jorkut, pas publikimit të rezultateve financiare që tejkaluan pritshmëritë e analistëve dhe projeksioneve për një rritje të të ardhurave me 80% gjatë këtij viti. Aktualisht, kapitalizimi i kompanisë arrin në mbi 14 miliardë dollarë. Ndërkohë, IonQ ka zgjeruar bashkëpunimet ndërkombëtare, duke njoftuar së fundmi një partneritet me Akademinë Sllovake të Shkencave për ndërtimin e rrjetit të parë kombëtar të komunikimeve kuantike në Sllovaki, pas një projekti të ngjashëm të realizuar më herët në Gjenevë, Zvicër.