Vetëm disa orë pasi tanket sovjetike hynë në Çekosllovaki në gusht të vitit 1968, Nicolae Ceaușescu hodhi sytë mbi hartën e Rumanisë dhe kuptoi se një nga vargmalet më të larta të vendit, Malet Fëgërash (Făgăraș), nuk kishte asnjë rrugë që të lidhte Munteninë me Transilvaninë. Sfida e tij ndaj Kremlinit kishte qenë e hapur dhe e guximshme, por pasojat e saj kërkonin masa urgjente. Rumania ishte kthyer në një objektiv të mundshëm dhe nevoja për një korridor strategjik ushtarak u bë e menjëhershme.
Ideja për ndërtimin e një rruge përmes maleve nuk ishte e re. Projekte dhe skica ekzistonin që para viteve ’60, por kostot e larta e kishin bërë të pamundur realizimin e saj. Një nga variantet fillestare parashikonte një tunel rreth shtatë kilometra të gjatë për të shmangur zonat alpine, por shpenzimet e mëdha e përjashtuan këtë opsion që në fillim.
Më 10 dhjetor 1969, Këshilli i Ministrave miratoi projektin strategjik të njohur sot si Transfëgërëshan (Transfăgărășan). Ndërtimi iu besua Ushtrisë Rumune, e vetmja strukturë që mund të mobilizonte mijëra njerëz në kushte ekstreme. Në pranverën e vitit 1970 nisën shpërthimet e para që thyen qetësinë e egër të maleve. Dy njësi ushtarake filluan punën nga të dyja anët e malit, duke avancuar njëkohësisht në kushte që sfidonin çdo limit njerëzor.
Klima alpine, erërat e forta dhe stuhitë e dëborës nuk lejonin zakonisht më shumë se disa muaj punë në vit, por urdhri ishte i qartë: puna nuk duhej të ndalej. Punëtorët dhe ushtarët lidhnin njëri-tjetrin me litarë për të mos u rrëmbyer nga era, ndërsa shpesh punonin në temperatura ekstreme dhe në izolim të plotë. Vetëm ata që e përjetuan mund ta kuptojnë çfarë do të thotë të çash malin në mbi 2.000 metra lartësi, në dimër, larg çdo gjëje.
Shifrat e ndërtimit janë mbresëlënëse. Miliona metra kub dheu të zhvendosur, qindra mijëra metra struktura dhe dhjetëra ura e viadukte të ndërtuara. Për të çarë shkëmbinjtë u përdorën mijëra tonë dinamit, ndërsa makineritë konsumuan sasi të mëdha karburanti. Në një rast dramatik, një shkëmb gjigant u shemb mbi një buldozer, duke e zhdukur plotësisht nën tokë. Ai mbeti aty, i varrosur përgjithmonë nën rrugën që vazhdoi të ndërtohej mbi të.
Rruga nuk u ndërtua pa sakrifica njerëzore. Aksidentet ishin të shumta dhe shpesh fatale. Zyrtarisht u raportuan rreth 40 viktima, por dëshmitë e të mbijetuarve flasin për shumë më tepër. Mijëra njerëz, civilë dhe ushtarakë, kontribuuan në këtë projekt gjigant, duke lënë pas një histori të rëndë dhe të dhimbshme.
Në vitin 1971, gjatë një vizite në kantier, Ceaușescu vendosi që projekti të përmirësohej nga një rrugë e thjeshtë në një arterie të asfaltuar me dy korsi, duke i dhënë edhe një dimension turistik. Kjo e rriti ndjeshëm vëllimin e punës, por edhe rëndësinë e projektit.
Transfëgërëshani u përfundua zyrtarisht më 20 shtator 1974, pas vetëm katër vitesh pune intensive, një afat shumë më i shkurtër se sa kishin parashikuar inxhinierët. Sot, kjo rrugë konsiderohet një nga më spektakolaret në botë, duke tërhequr çdo vit qindra mijëra turistë që admirojnë kthesat e saj dramatike dhe peizazhet mahnitëse.
Megjithatë, nën asfaltin e saj të lëmuar fshihet një histori e ndërtuar mbi frikë, disiplinë dhe sakrificë. Është historia e një rruge që lindi nga frika e një diktatori ndaj një pushtimi të mundshëm, por që sot qëndron si një nga arritjet më të mëdha inxhinierike dhe turistike të Europës.