Kryetarja e
Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti delegacionin e Komisionit të Jashtëm të
Senatit të Rumanisë, të kryesuar nga Kryetari i Komisonit, Senatori Titus Corlatean. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri,
z. Octavian Serban.
Kryetarja
Nikolla vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë dhe marrëdheniet tradicionale mes
Shqipërisë dhe Rumanisë dhe vuri në dukje se “Bashkëpunimi ekonomik e tregtar
duhet të ndjekë bashkëpunimin politik. Zgjerimi i bashkëpunimit parlamentar do
t’i shërbejë intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike e tregtare midis dy
vendeve. Ne takohemi në një ditë simbolike, Ditën e Evropës, dhe në një kohë kur
rendi botëror dhe arkitektura e sigurisë evropiane është e rrezikuar nga sulmi
i Rusisë kundër Ukrainës.
Shqipëria i
është mirënjohëse Rumanisë për mbështetjen e vendosur të procesit të integrimit
evropian dhe mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së parë ndërqeveritare.
Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është një thirrje për përshpejtimin e
ritmeve të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.”
Kryetarja
Nikolla vlerësoi disa qëndrime të Rumanisë për rritjen e rolit të Kosovës në
nismat rajonale dhe u shpreh se ka ardhur koha që Rumania të njohë pavarësinë e
Kosovës.
Kryetari i
Komisionit të Jashtëm, Senatori Titus Corlatean, shprehu vlerësimin për
bashkëpunimin midis të dy vendeve dhe nënvizoi se duhet të punojmë që
bashkëpunimi ekonomik të ngrihet në nivelin e bashkëpunimit politik. Këtij
qëllimi do t’i shërbejë edhe fuqizimi i bashkëpunimit parlamentar. Rumania,
ashtu si edhe Shqipëria, dënon ashpër agresionin e Rusisë kundër integritetit
territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Në lidhje me Kosovën, Senatori Corlatean nënvizoi se edhe pse Rumania nuk e njeh pavarësinë e Kosovës,
po aplikon një qëndrim konstruktiv në përfshirjen e Kosovës në nismat rajonale
dhe proceset integruese në Ballkanin Perëndimor.