Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli, priti një delegacion rumun të nivelit të lartë, të përbërë nga Sh.T.Z. Octavian Șerban, Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri; z. Cristian Cutaș, Këshilltar në Ambasadën e Rumanisë në Shqipëri dhe shef i Zyrës për Promovimin e Tregtisë dhe Ekonomisë pranë ambasadës; Prof. Dr. Costin Lianu, përfaqësues i Universitetit "Spiru Haret" nga Bukureshti, Rumani; Prof. Dr. Irina Rădulescu, përfaqësuese e Universitetit të Naftës dhe Gazit në Ploiești, Rumani; si dhe z. Florian Ionescu, profesor dhe sipërmarrës. Delegacioni shoqërohej nga Dr. Ferjolt Ozuni, drejtues i projektit "Tricolor.al" dhe lektor në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, i cili luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e këtij takimi, së bashku me stafin e Ambasadës së Rumanisë në Shqipëri.
Gjatë takimit, u zhvilluan diskutime të thelluara mbi rolin jetik të marrëveshjeve dhe partneriteteve akademike në forcimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri. Gjithashtu, u theksua potenciali që Shqipëria të përfitojë nga përvoja e vyer e Rumanisë në proceset e saj të para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke i përdorur këto mësime në avantazh të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.
Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli falënderoi delegacionin rumun për hapjen dhe angazhimin e tyre, duke theksuar përfshirjen e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në iniciativën dhe zbatimin e projekteve bilaterale dhe multilaterale. Ai shprehu gjithashtu dëshirën për të kthyer këto bashkëpunime në veprime konkrete përmes projekteve të përbashkëta, shkëmbimeve akademike, publikimeve shkencore dhe aktiviteteve inovative me partnerët rumunë.
Nga ana tjetër, Ambasadori i Rumanisë, Sh.T.Z. Octavian Șerban, rikonfirmoi angazhimin e tij personal dhe të ambasadës që ai drejton për të lehtësuar marrëdhëniet mes institucioneve akademike dhe shkencore në Rumani dhe Shqipëri. Sh.T.Z. e vlerësoi këtë nismë si një hap thelbësor në forcimin e lidhjeve historike dhe kulturore midis dy vendeve dhe në hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim rajonal.
Marrëveshjet e reja të nënshkruara me këtë rast nënvizojnë përkushtimin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë ndaj ekselencës akademike, si dhe dëshirën për të kontribuar në mënyrë aktive në projekte lokale dhe ndërkombëtare me ndikim. Këto marrëveshje përfshijnë partneritete komplekse në fushën akademike dhe shkencore, si dhe iniciativën për krijimin e një Digital & Innovation Hub, një platformë që do të mbështesë kërkimin dhe inovacionin.
Ngjarja përfundoi në një atmosferë festive, me nënshkrimin zyrtar të këtyre marrëveshjeve nga Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Adrian Civici, dhe nga përfaqësuesit e universiteteve rumune, duke shënuar kështu fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet akademike mes dy vendeve.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes në ambientet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, takimet u zhvendosën në Ambasadën e Rumanisë në Shqipëri, ku u organizua një tryezë e rrumbullakët e drejtuar nga Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Octavian Șerban, dhe z. Cristian Cutaș. Në këtë ngjarje morën pjesë Dekani i Fakultetit të Informatikës në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Dhimitër Tole; përfaqësues të departamenteve të ndryshme nga Fakulteti i Informatikës; znj. Alida Kondi, drejtore e Qendrës për Promovimin e Konkurrueshmërisë (anëtare e EEN); znj. Alda Dhamo, kërkuese, menaxhere projektesh dhe anëtare e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila në këtë takim ishte në rolin e konsulentes për Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë; si dhe Dr. Ferjolt Ozuni, drejtues i projektit "Tricolor.al" dhe lektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.
Në fjalën e tij hyrëse, Sh.T.Z. Octavian Șerban ritheksoi gatishmërinë e plotë të institucionit që ai drejton për të iniciuar bashkëpunime të ndryshme akademike dhe shkencore mes njësive akademike të të dy vendeve. Gjithashtu, ai falënderoi Dr. Ferjolt Ozuni dhe z. Cristian Cutaș për përpjekjet e tyre në organizimin dhe lehtësimin e takimeve të tilla, të cilat vënë në lëvizje mekanizmat e nevojshëm për bashkëpunime, si ai i nënshkruar atë ditë në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.
Diskutimet vazhduan me një prezantim të projekteve të ndryshme të realizuara nga institucionet e përfaqësuara nga Prof. Dr. Costin Lianu dhe Prof. Dr. Irina Rădulescu. Këto prezantime u pasuan nga diskutime frytdhënëse mbi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit midis institucioneve të pranishme dhe nisjen e projekteve të reja në fusha shkencore, akademike dhe inovacioni. Ndër këto projekte përfshihet edhe krijimi i një Digital & Innovation Hub, që pritet të realizohet në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, si rezultat i marrëveshjeve të nënshkruara më herët gjatë ditës.