Në një atmosferë mbresëlënëse dhe në një sallë të mbushur plot, mjediset e Ambasadës së Rumanisë në Shqipëri mirëpritën më 16 nëntor 2026 evenimentin e promovimit të librit „Rini pa rini“ (titulli origjinal „Tinerețe fără tinerețe“), vepër e shkrimtarit dhe filozofit të shquar rumun Mircea Eliade, e sjellë në gjuhën shqipe nga përkthyesja Gersa Rrudha. Veprimtaria u organizua nga Tricolor Albania në bashkëpunim me Ambasadën e Rumanisë në Shqipëri, nën kujdesin e veçantë dhe personal të Sh.T.Z. Octavian Șerban, Ambasador i Rumanisë në Shqipëri.
Pjesëmarrja e gjerë dhe bashkëpunimi ndërkulturore
Evenimenti mblodhi së bashku profesorë, studiues, përfaqësues të shoqatave arumune në Shqipëri, si dhe miq e dashamirës të artit dhe letërsisë. Përveç përshëndetjeve dhe kortezive të rastit, mjedisi u gjallërua nga diskutime të frytshme mes të pranishmëve dhe panelit.
Gjatë fjalës së tij, Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Octavian Șerban, theksoi faktin se ngjarje të tilla kanë si qëllim kryesor promovimin e bashkëpunimit kulturor, akademik dhe shoqëror mes popujve tanë, lidhje që datojnë prej qindra vitesh. Ai u shpreh se publikimet, përkthimet dhe shqipërimet e veprave të tilla madhore të letërsisë dhe filozofisë rumune, siç është ajo e Mircea Eliades, i japin një vlerë të shtuar dhe të pazëvendësueshme bibliotekës së lexuesit shqiptar.
Recenca letrare dhe filozofike nga Ambasador Prof. Dr. Arben Cici
Recenzën e librit e kreu Ambasadori Prof. Dr. Arben Cici, i cili foli me superlativa për cilësinë e përkthimit të kryer nga Gersa Rrudha, ashtu edhe për vlerat e jashtëzakonshme të vetë veprës. Në kumtesën e tij, Ambasadori Cici solli një reflektim të thellë filozofik mbi strukturën e librit, duke e cilësuar atë si një meditim mbi kohën, vetëdijen, identitetin dhe misterin e qenies njerëzore. Duke lidhur universin e Eliades me filozofinë e René Descartes dhe parimin „Cogito, ergo sum“ (mendoj, ndaj ekzistoj), ai nënvizoi se vetëdija dhe kujtesa zotërojnë një kohë të tyren që sfidon kalendarin biologjik.
Prof.Drf. Cici theksoi mesazhin fuqizues të veprës se njeriu nuk matet vetëm me vitet e jetuara, por me thellësinë e shpirtit dhe kujtesës, duke sjellë në vëmendje moton se:
“Dhe nëse koha i merr vitet, arti ia kthen kujtesës rininë”.
Ai e përmbylli fjalën e tij me mesazhin se njeriu nuk ka nevojë të mundë kohën për të mbetur i ri; mjafton të mos lejojë që ajo t'ia shuajë shpirtin.
Moderimi dhe falenderimet mirënjohëse
Evenimenti u moderua me mjeshtëri nga bashkëpunëtori dhe miku i Tricolor Albania, Dr. Dorian Leka. Ndërsa në fjalën e tij përshëndetëse, Dr. Ferjolt Ozuni shprehu mirënjohjen dhe falenderoi përzemërsisht Ambasadorin Octavian Șerban dhe stafin e Ambasadës së Rumanisë për mikpritjen e ngrohtë, mundësimin e organizimit të këtij aktiviteti në mjediset e ambasadës dhe mbështetjen e pakushtëzuar për nisma të tilla kulturore. Gjithashtu, ai falenderoi kolegun dhe profesorin Arben Cici, mikun e Tricolor Albania dhe të Ambasadorit Șerban; falenderoi kolegët e Tricolor Albania Ilir Kostallari, Niksmeralda Ozuni, Elda Ozuni dhe Adri Softa, si dhe të gjithë të pranishmit që e bënë këtë mbrëmje kaq të veçantë me praninë e tyre.
Në përmbyllje të evenimentit, autorja e përkthimit dhe sjelljes së librit në gjuhën shqipe, Gersa Rrudha, pati një çast të ngrohtë komunikimi me të pranishmit, duke u ofruar librin me nënshkrimin personal dhe duke i falenderuar për mbështetjen dhe pjesëmarrjen e tyre në këtë udhëtim të bukur letrar.