Rumania është vendi i parë në Europë ku u përdor kirurgjia magnetike me sistemin MagDI™ pas lançimit të tij zyrtar në tregun europian. Dy ndërhyrjet e para u kryen në Ponderas Academic Hospital, një spital privat në Bukuresht, nga Prof. Dr. Cătălin Copăescu, drejtori mjekësor i spitalit. Të dy pacientët vuanin nga diabeti i tipit 2.
Teknologja e re përdor forcën e magnetëve për të lidhur dy segmente të zorrës. Lidhja krijohet pa qepje dhe pa kapëse kirurgjikale, pra ndryshe nga teknikat tradicionale.
Si funksionon sistemi
Sistemin MagDI™ e ka zhvilluar kompania amerikane GT Metabolic Solutions. Ai mbështetet në një shtypje magnetike graduale dhe të kontrolluar. Dy pjesë magnetike vendosen në mënyrë që t’i afrojnë segmentet e zorrës me njëri tjetrin. Presioni që ushtrohet gradualisht bën që indet të bashkohen dhe të formojnë një lidhje. Pasi lidhja është formuar, magnetët shkëputen dhe organizmi i nxjerr jashtë në mënyrë natyrale.
Zgjedhja e pacientëve me diabet të tipit 2 lidhet me faktin se kirurgjia metabolike mund të ndihmojë në kontrollin më të mirë të sheqerit në gjak tek disa kategori pacientësh me obezitet dhe sëmundje metabolike shoqëruese. Duke ndryshuar anatominë dhe rrugën e ushqimit në aparatin tretës, këto operacione mund të ndikojnë në mekanizmat që rregullojnë gliceminë.
Megjithatë, teknologjia në vetvete nuk është trajtim për diabetin. Ajo është një mënyrë e re për të kryer disa hapa kirurgjikalë, me potencial për t’i thjeshtuar ndërhyrjet dhe për të sjellë përfitime për sigurinë dhe rikuperimin e pacientëve. Efikasiteti dhe përfitimet klinike do të vlerësohen ndërsa grumbullohen përvoja dhe rezultate mjekësore.
Operacionet u kryen në praninë e Prof. Dr. Michel Gagner, kirurg dhe studiues kanadez i njohur për kontributin e tij në zhvillimin e kirurgjisë laparoskopike dhe bariatrike. Ai ndodhej në Bukuresht në kuadër të programit ndërkombëtar të trajnimit dhe mentorimit që shoqëron futjen e teknologjisë së re në Europë.
„Shënuam një premierë jo vetëm për Ponderas Academic Hospital apo për Rumaninë, por për gjithë Europën, duke kryer ndërhyrjet e para të këtij lloji me të gjitha miratimet e nevojshme. Është një hap revolucionar për kirurgjinë në Rumani dhe jemi vetëm në fillim”, deklaroi Prof. Dr. Cătălin Copăescu.
Sipas tij, parimi i përdorimit të magnetëve në kirurgji njihet prej më shumë se 150 vjetësh, por vetëm teknologjia moderne bëri të mundur zbatimin e tij në dobi të pacientëve që kanë nevojë për një lidhje midis dy segmenteve të tubit tretës pa teknikat klasike të qepjes. Pas dy ndërhyrjeve të para në Bukuresht, sistemi do të futet në shumicën e vendeve europiane.
Një karrierë e lidhur me risitë kirurgjikale
Copăescu është kirurgu i parë në Rumani me certifikim të dyfishtë, europian dhe amerikan, në kirurgjinë metabolike dhe bariatrike. Që në fillim të viteve ’90, kur pajisjet mjekësore të avancuara ishin të pakta, ai ishte ndër mjekët e interesuar për laparoskopinë. Në vitin 2002 kreu ndërhyrjen e parë bariatrike laparoskopike në Rumani dhe, po atë vit, bypass-in e parë gastrik në vend. Në vitin 2005 realizoi operacionin e parë laparoskopik të llojit gastric sleeve në rajon.
Në vitin 2011 ai themeloi Surgical Training Institute, një qendër trajnimi për teknika kirurgjikale të avancuara, nëpër të cilën kanë kaluar mbi 5.000 mjekë dhe specialistë nga Rumania dhe nga jashtë.
Edhe spitali ka përvojë të gjerë në kirurgjinë minimalisht invazive: mbi 90% e ndërhyrjeve kryhen në mënyrë laparoskopike ose robotike, përfshirë rastet onkologjike. Ponderas ka 10 akreditime ndërkombëtare për nëntë Qendra Ekselence, ndërsa investimet e viteve të fundit, mbi 20 milionë euro, e kanë dyfishuar kapacitetin e tij. Në shtator 2026, spitali mori çmimin Leadership of Excellence nga Surgical Review Corporation, duke u bërë i pari në Europë dhe i treti në botë me këtë vlerësim.
Parimi i shtypjes magnetike mund të gjejë zbatim edhe në fusha të tjera, si onkologjia dhe kirurgjia ezofagogastrike, kolorektale dhe pankreatike. Zgjerimi i përdorimit do të varet nga rezultatet klinike, nga vlerësimi i sigurisë dhe efikasitetit, si dhe nga përgatitja e ekipeve mjekësore.
Burimi: Digi24