Panairi i Krishtlindjeve në Sibiu u hap më 13 nëntor me disa risi për vitin 2026

Panairi i Krishtlindjeve në Sibiu u hap më 13 nëntor me disa risi për vitin 2026
Foto: Digi24

Qyteti i Sibiu, në zemër të Transilvanisë, ka nisur të jetojë atmosferën e një prej ngjarjeve më të pritura të fundvitit. Târgul de Crăciun din Sibiu, Panairi i Krishtlindjeve i qytetit, u hap më 13 nëntor në Piața Mare, sheshi kryesor historik, dhe mund të vizitohet deri më 3 janar 2027.

Ky është edicioni i 19 i panairit, i cili këtë vit ka marrë titullin „Excellent European Christmas Market”, një vlerësim i dhënë nga European Excellent Christmas Market Association (EECMA). Tema e zgjedhur nga organizatorët është „Ai voie să crezi”, që në shqip do të thotë „Ke të drejtë të besosh”. Ideja pas saj është rikthimi i magjisë së fëmijërisë dhe i gëzimit të festave të dikurshme.

Risitë e edicionit të këtij viti

Sipas organizatorëve, hapësira e panairit është rimenduar tërësisht rreth kësaj teme, me dekore që sjellin ndër mend atmosferën e festave të fëmijërisë. Risia kryesore është Aleea Poveștilor, „Rruga e Përrallave”, një itinerar me katër shtëpiza ku vizitorët mund të dëgjojnë përralla të regjistruara. Në dekorin e përgatitur për këtë edicion bëjnë pjesë gjithashtu një gondolë skijimi dhe një slitë e vjetër.

Në hyrje të Piața Mare është vendosur një portë prej druri të rikuperuar nga ndërtesa të vjetra. Zona gastronomike ka shtëpiza të reja, ndërsa koncertet dhe shfaqjet zhvillohen mbi një skenë më të madhe se më parë. Në panair marrin pjesë edhe ekspozues që vijnë për herë të parë, dhe oferta përfshin produkte artizanale që nuk ishin paraqitur më parë në këtë ngjarje.

Një tjetër element i veçantë është Christmas Chalet, një kasolle që synon të sjellë në mes të sheshit atmosferën e vendpushimeve të skijimit. E ndërtuar në Austri prej druri masiv, në stil tirolez, ajo shërben pije të ngrohta dhe gatime sezonale, ndërsa në disa mbrëmje pret festa me DJ. Organizatorët thanë se është kasollja e parë e këtij lloji që ngrihet në një panair Krishtlindjesh në Rumani.

Atraksionet e njohura u rikthyen

Krahas risive, vizitorët gjejnë edhe atraksionet që kanë bërë të njohur panairin. Për më të vegjlit është rikthyer Atelierul lui Moș Crăciun, Punishtja e Babagjyshit, ku fëmijët marrin pjesë në aktivitete krijuese dhe mund të punojnë vetë zbukurimet e tyre. Ndërkohë, Liftul Fermecat, „Ashensori i Magjepsur”, i çon vizitorët në një udhëtim prej rreth pesë minutash deri te Casa lui Moș Crăciun, Shtëpia e Babagjyshit.

Roata Panoramică, rrota panoramike me lartësi 22 metra, mbetet një nga pikat më tërheqëse. E ndriçuar me drita festive, ajo bie në sy nga çdo cep i sheshit, ndërsa nga kabinat e saj mund të shihet nga lart qendra e Sibiut, bashkë me ndërtesat historike që rrethojnë Piața Mare.

Në shesh funksionon edhe një pistë patinazhi në ajër të hapur. Ata që zgjedhin të patinojnë janë të rrethuar nga shtëpizat e panairit dhe instalimet e ndriçimit, me ndërtesat historike të qendrës së qytetit në sfond.

Orari i vizitave

Panairi është i hapur nga e hëna deri të premten, nga ora 11:00 deri në 22:00. Të shtunën dhe të dielën, vizitorët mund ta shijojnë atmosferën festive nga ora 10:00 deri në 22:00.

Burimi: Digi24

Ndajeni këtë artikull: