Qyteti i Craiova, në jugperëndim të Rumanisë, ka hapur të premten Tregun e tij të Krishtlindjeve, të cilin kryebashkiakja Lia Olguța Vasilescu e quan „më të madhin në botë”. Panairi shtrihet mbi një sipërfaqe prej 27 hektarësh dhe autoritetet vendore presin që këtë vit të thyhet rekordi i vizitorëve, përfshirë edhe turistë nga jashtë vendit.
Sipas kryebashkiakes, pikërisht pritshmëria për shumë të huaj ka përcaktuar edhe frymën e këtij edicioni. „Këtë vit, duke qenë se presim shumë vizitorë nga jashtë, u përpoqëm të ndjekim anën tradicionale të Krishtlindjeve. Nëse vëreni me kujdes, do të shihni se edhe ngjyrat që kemi zgjedhur janë ngjyrat e Krishtlindjeve. Njëkohësisht kemi qenë të vëmendshëm edhe me dekorimet. Sa i përket ushqimit, jemi kujdesur që të jetë gjithmonë tradicional rumun”, deklaroi Vasilescu, e cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve Agerpres.
Tema e Elfëve dhe zonat e qytetit
Edicioni i këtij viti zhvillohet nën temën Tărâmul Elfilor, që në shqip do të thotë „Mbretëria e Elfëve”, dhe do të qëndrojë i hapur deri më 3 janar 2027. Panairi nuk kufizohet në një shesh të vetëm, por zë disa sheshe dhe rrugë qendrore të qytetit.
Sipas gazetës vendore Jurnalul Olteniei, tregu përfshin Piața Mihai Viteazul, Piața Ierusalim, Piața Frații Buzești, zonën Minerva, rrugën Theodor Aman, Calea Unirii, rrugën A.I. Cuza, English Park dhe hapësirën përreth Teatrit Kombëtar „Marin Sorescu”.
Çmime që i trembin disa vizitorë
Në stendat e panairit gjenden gatime tradicionale rumune, por edhe ushqime nga kuzhina ndërkombëtare, të ngjashme me ato të restoranteve të ushqimit të shpejtë. Megjithatë, për një pjesë të vizitorëve çmimet janë dekurajuese. „Pak si të larta për atë që të ofrojnë. Një hotdog 65 lei, është disi shtrenjtë”, tha një vizitor për Observator News.
Larisa Oprea, e intervistuar nga televizioni Antena 1, përshkroi ofertën e gjerë të ushqimeve, nga mititei, qoftet e njohura rumune të pjekura në skarë, te hellet, salsiçet e freskëta, gjellët me mish, sărmăluțe (sarmat e vogla me gjethe lakre), mishrat e tymosur, dhjami dhe lëkura e derrit e skuqur. Sipas saj, mishi shitet 16 lei për njëqind gramë, patatet 8 lei, turshitë 8 lei dhe kërpudhat 10 lei.
Një porcion prej 300 gramësh fasule me mish të tymosur kushton rreth 25 lei, ndërsa disa sarma shiten me 30 lei. Për një porcion pomana porcului, gatim tradicional me mish derri të freskët, turistët duhet të paguajnë 45 lei, kurse gjella me mish qengji kushton 60 lei.
Edhe pijet nuk janë të lira. Një shishe ujë kushton 10 lei, lëngjet, birra dhe vera e zier shiten me 15 lei, çaji me 10 lei, ndërsa një çokollatë e ngrohtë arrin në 20 lei.
Ëmbëlsirat dhe shpenzimi minimal
Sipas portalit Gândul, një kurtos kolac, ëmbëlsira cilindrike e pjekur në hell, kushton nga 25 deri në 35 lei, ndërsa petullat e ëmbla shiten nga 30 deri në 40 lei, në varësi të sasisë dhe llojit. Në të njëjtin nivel çmimi janë edhe papanași, ëmbëlsira tradicionale rumune me djathë, ndërsa langoș, një lloj petulle e skuqur, kushton nga 12 lei në variantin e thjeshtë deri në 25 lei kur shërbehet me hudhër, djathë telemea dhe salsiçe pikante.
Iustina Todireanu, tregtare në panairin e Craiova, i tha të njëjtit burim se shuma minimale me të cilën një turist mund të hajë në treg është 70 deri në 80 lei.
Për ata që duan ta eksplorojnë panairin, autoritetet kanë vënë në funksion dy mjete të veçanta transporti. Trenulețul Magic, „Treni i vogël magjik”, qarkullon çdo ditë nga ora 14:00 deri në 22:00, me një tarifë prej 4 lei për person. Party Bus udhëton çdo ditë nga ora 17:00 deri në 23:00, me një çmim prej 6 lei për person. Biletat mund të blihen drejtpërdrejt në mjetet e transportit.
Burimi: HotNews