23 Maji është një datë me rëndësi për arumunët. Prej shumë vitesh kjo datë njihet si Dita Kombëtare e Arumunëve dhe përveç se në Rumani e në vendet e Ballkanit, ka nisur të festohet edhe në Perëndim.
Në këtë ditë anëtarët e komunitetit festojnë, synojnë të ndërgjegjësojnë edhe shoqëritë ku janë pjesë për veçantitë e tyre kulturore dhe identitare si dhe premtojnë për vazhdimësinë e kulturës dhe traditave dhe zakoneve etj.
23 maji shërben edhe si një ditë homazhi për të gjithë ata që kanë kontribuar në përcjelljen e trashëgimisë duke nderuar dhe lartësuar identitetin arumun etj. Në vendin tone me Ligjin nr. 96/2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë, miratuar më 13 tetor 2017 arumunëve u është dhënë statusi zyrtar si pakicë kombëtare.Lidhur me disa prej karakteristikave identitare të arumunëve do të veçonim: gjuha, origjina e së cilës është latine, përkatësia fetare në besimin ortodoks, roli i rëndësishëm në tregti, zotësia në rritjen e gjësë së gjallë,pjesëmarrja në jetën aktive të shoqërive ku janë pjesë, endogamia- martesat brenda komunitetit, eugjenia- mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë gjenetike etj. Ata njihen për cilësitë shpirtërore, për energjinë mendore dhe për tiparet morale mjaft të qarta, ku forca e karakterit plotësohet edhe me inteligjencën. Arumunët kanë një prirje të dukshme për të mos e deklaruar origjinën gjë që duket në rregjistrimet e popullsisë.
Kjo lidhet edhe me një lloj kompleksi inferioriteti edhe pse gjuhën dhe origjinën e kanë ruajtur me force. Kjo prirje është e njohur dhe lidhet ndoshta edhe me vetë të kaluarën dhe mënyrën e izoluar të jetesës së arumunëve etj.
Edhe në vendin tonë familjet arumune e kanë ruajtur gjuhën dhe mjaft prej zakoneve të të parëve. Në ceremonitë festive apo dhe në përkujtimoret e njerëzve të ndarë nga jeta, traditat arumune vijojnë dhe u përcillen më të rinjve apo më të vegjëlve.
Ka ardhur koha që vetë arumunët të mendojnë për veten e tyre që të mos-asimilohen, të mos-humbasin, por të gjurmojnë dhe promovojnë dhe më pas trashëgojnë nga brezi në brez historinë, kulturën, traditat, folklorin e pasur të Arumunëve të Ballkanit.
Është i rëndësishëm promovimi brenda dhe jashtë vendit i vlerave tona arumune, për ta mbajtur kështu të gjallë tek brezat e rinj dashurinë për,kulturën dhe zakonet tona arumune.
Të gjithë ne duhet të jemi ambasadorët dhe promotorët e vlerave tona më të mira kombëtare, ne përpjekjen misionare të zhvillimit të marrëdhenieve ndërkulturore midis popujve tanë miq.
GALERI FOTOGRAFISH


