Më 15 dhe 16 gusht 2026, në mjediset e Aliaj Event në Divjakë, u organizua ekspozita e punimeve artizanale dhe fotografive që pasqyruan kulturën e pakicës kombëtare arumune. Veprimtaria u zhvillua në kuadër të projektit “Identitete në dritë: Libri, artizanati dhe trashëgimia”, të realizuar nga Fondacioni “Harriet Martineau”, me mbështetjen e Komitetit për Pakicat Kombëtare, në kuadër të Thirrjes 2026 “Trashëgimia si urë bashkëjetese”.
Në aktivitet morën pjesë anëtarë të komunitetit arumun nga zonat e Divjakës dhe Lushnjës, banorë të zonës, dashamirës të trashëgimisë kulturore, si edhe përfaqësues e miq të komunitetit. Evenimentin e mbështetën dhe në të morën pjesë gjithashtu Dr. Ferjolt Ozuni dhe Elda Ozuni nga stafi i “Tricolor Albania”, si edhe Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Octavian Șerban.
Datat e organizimit u përzgjodhën në një periudhë me vlerë të veçantë shpirtërore për komunitetin arumun, pranë Festës së Shën Mërisë, ose Ditës së Fjetjes së Hyjlindëses. Veprimtaria krijoi një hapësirë takimi, kujtese dhe promovimi të elementeve që përbëjnë identitetin kulturor arumun.
Ekspozita solli për publikun punime artizanale dhe fotografi që dëshmuan mjeshtërinë, kujdesin dhe traditën e ruajtur brez pas brezi nga gratë arumune. Në koleksion u paraqitën:
- Punime me grep me motive gjeometrike dhe lulesh
- Velenxa dhe rrugica të endura në tezgjah
- Fanella, papuçe dhe çorape të gjata të punuara me shtiza
- Floktore të endura në tezgjah
- Elemente që pasqyruan procesin tradicional të përpunimit të leshit: tjerrjen, ngjyrosjen dhe endjen
Punimet e ekspozuara dëshmuan rëndësinë që ka pasur përpunimi i leshit në jetën e përditshme dhe në krijimtarinë e grave arumune. Këto produkte përbëjnë një pjesë të çmuar të trashëgimisë kulturore arumune dhe ruajnë gjurmë të traditës, estetikës dhe kujtesës së këtij komuniteti.
Në fjalën e tij, Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Octavian Șerban, i kushtoi rëndësi të veçantë organizimit të veprimtarive të tilla kulturore. Ai vlerësoi rolin e tyre në ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave, kulturës dhe traditës arumune, jo vetëm te anëtarët e komunitetit, por edhe te bashkëqytetarët dhe bashkëjetuesit e tyre.
Ambasadori vuri në dukje se një pjesë e produkteve të ekspozuara, disa prej të cilave mbi 100-vjeçare, dëshmonin lidhjen e ngushtë të komunitetit arumun me zona të ndryshme të Rumanisë së sotme. Kjo lidhje u pasqyrua në motivet e përdorura, në teknikat e punimit dhe në mënyrën e krijimit të objekteve artizanale.
Po ashtu, ai vlerësoi rolin e organizatave, shoqatave dhe nismave vullnetare që mbështesin komunitetin arumun përmes aktiviteteve kulturore në rajone të ndryshme të Shqipërisë ku ai jeton. Thirrja kombëtare e vitit 2026 synoi pikërisht mbështetjen e projekteve që promovojnë dhe mbrojnë identitetin kulturor, etnik, gjuhësor dhe tradicional të pakicave kombëtare.
Veprimtaria në Divjakë u shndërrua në një dëshmi të gjallë të trashëgimisë arumune dhe të vlerës që ka përcjellja e saj te brezat e rinj. Përmes artizanatit, fotografisë dhe bashkëbisedimit, ekspozita forcoi njohjen e ndërsjellë, respektin për diversitetin kulturor dhe bashkëjetesën në komunitet.